25 Prill 2024

UKZ u jep medalje fituesve të garës ndërkombëtare të verërave

Gjilan, 5 dhjetor - Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan u ka dhënë medaljet dhe diplomat  fituesve, prodhues të  verërave të Republikës së Kosovës ,  të cilët janë shpërblyer me  dy çmime ndërkombëtare për cilësi në verë të bardhë dhe të kuqe në  garën e dhjetë ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Mariborit në Slloveni.

Rektori Bajram Kosumi  tha se, ky rast  ka qenë një kënaqësi e veçantë sepse sipas tij çmime të tilla e nderojnë Universitetin “Kadri Zeka”, prodhuesit e verërave si dhe vendin - Republikën e Kosovës.

Rektori Kosumi ka shtuar se në një pjesëmarrje të 30 prodhuesve të verërave nga 13 shtete të ndryshme të Evropës, prodhuesit e verarisë në Kosovë janë vlerësuar më të mirët dhe atë, vendi i parë i është ndarë verarisë RAHVERA ndërsa vendi i tretë verarisë DAKA dhe verarisë SEFA WINE.

Nga ana e tij Hamëz Rama nga Shoqata e Verëtarëve të Kosovës “Enologjia”, ka  falënderuar Universitetin  “Kadri Zeka”  që po krijon mundësi për  bizneset kosovare, që tregun e punës ta zgjerojnë në nivel ndërkombëtar.

Ai ka thënë se mbrojtja e interesave të prodhuesve të verërave karshi institucioneve lokale dhe qendrore dhe zhvillimet në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, janë misioni dhe vizioni i shoqatës që ai drejton.

 Edhe përfaqësuesit e verarive që janë shpërblyer me ­çmime, kanë falënderuar  drejtuesit e Universitetit “Kadri Zeka” për përkrahje dhe mbështetje, duke thënë se falë mundësisë që iu është dhënë nga UKZ, tani ata janë të barabartë në tregun e punës karshi vendeve të Bashkimit Evropian.

Ndryshe, në muajin shator të këtij viti,  Universiteti "Kadri  Zeka" në Gjilan u ka mundësuar dhjetë prodhuesve të verërave të Kosovës që të garojnë në garën e dhjetë ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Mariborit në Slloveni.

Ky organizim është vlerësuar mjaft i rëndësishëm, duke i dhënë kështu  mundësinë verëtarëve të Kosovës të plasojnë verërat e tyre në tregun e Unionit Evropian.

E gjithë kjo ka ardhur si  rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit që  Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka me Universitetin e Mariborit në Slloveni dhe me Shoqatën e verëtarëve të Kosovës “Enologjia”.

Në garat e 10-ta ndërkombëtare të verërave organizuar nga Universiteti i Mariborit dhe Universiteti “Kadri Zeka”, kanë marrë pjesë  30 prodhues të verërave nga 13 shtete të Unionit Evropian.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)