19 Prill 2024

Themelelohet Universiteti Evropian në Kosovë

Prishtinë, 9 dhjetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, dhe presidenti i Bordit Ekzekutiv të Qendrës Evropiane për Paqe dhe Zhvillim të Universitetit të Paqes (ECPD), Albert Maes, kanë nënshkruar sot marrëveshjen për themelimin e Universitetit Evropian për Studime Zhvillimore në Kosovë, me seli në Graçanicën e Re.

Ministri Buja, aktin formal të marrëveshjes për themelimin e Universitetit Evropian në Kosovë, e ka vlerësuar ngjarje të një rëndësie të veçantë për faktin se ky institucion do të jetë shumëetnik dhe i hapur edhe për të rinjtë jashtë Kosovës.

 “Ministria e Arsimit do të jetë shumë e interesuar që këtij institucioni t’i ndihmojë për t’u avancuar. Ky institucion arsimor nuk do të jetë njëetnik, por shumëetnik dhe gjithsesi i hapur për gjithë studentët e interesuar nga Kosova dhe më gjerë”, ka thënë ministri Buja.

Më tej, ministri ka theksuar se ky universitet më herët ka pasur një seli në Prizren, por që tani e tutje, me hapjen e selisë edhe në Graçanicën e Re, do të jetë më i tërësishëm dhe me mundësi shkollimi të të gjitha niveleve.

Presidenti i Bordit Ekzekutiv të Qendrës Evropiane për Paqe dhe Zhvillim të Universitetit të Paqes, Albert Maes, fillimisht ka folur për rrethanat në të cilat e ka njohur Kosovën, ndërkaq ka shtuar se marrëveshja formale me Qeverinë e Kosovës, për të themeluar një universitet për studime të zhvillimit do të ofrojë një tërësi të studimeve zhvillimore në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Maes ka thënë se, ende mbetet shumë për t’u bërë në jetësimin e këtij projekti, porse mjetet ekzistojnë, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë intelektual.

Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se,  tanimë edhe marrëveshja rreth lokacionit të këtij universiteti pothuajse është arritur. “Ne kemi pasur kontakte me komunën e Graçanicës së Re dhe jemi duke shikuar se në cilin lokacion ta ndërtojnë ndërtesën e këtij universiteti. Medojmë se jemi përafruar dhe mendojmë që ta vendosim në Çagllavicë”, ka thënë Maes.

Qendra Evropiane për Paqe dhe Zhvillim është themeluar në vitin 1985 nga Universiteti i Paqes së Kombeve të Bashkuara.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)