19 Prill 2024

Studentët paralajmërojnë protestë gjithë studentore

Prishtinë, 5 mars - Brenda 10 ditësh do të ketë protestë gjithëstudentore, në qoftë se nuk merren parasysh kërkesat e studentëve, të parashtruara pas përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistri Evropian për Sigurim të Cilësisë në Arsimin e Lartë – EQAR.

Kështu bënë të ditur Parlamenti Studentor i UP-së dhe studentë të tjerë në një konferencë për media, ku kanë parashtruar një varg kërkesash drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës, të dala si rezultat i mungesës së perspektivës për studentët, politizimin e arsimit si dhe rrezikun e mohimit të së drejtës së tyre për të studiuar jashtë vendit.

Këto kërkesa i bëri të ditura kryetarja e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, Arjetë Bajrami, e cila tha se për të gjitha pikat e parashtruara kanë rënë dakord pas një mbledhjeje të mbajtur sot me përfaqësues të universiteteve publike dhe private, ku është diskutuar për problemet e fundit në arsim.

“Ne kërkojmë nga Qeveria dhe MASHT-i që të japin llogari për gjendjen në të cilën është Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe për përjashtimin e saj nga EQAR, të marrin hapa për depolitizimin e arsimit të lartë, duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes dhe shkarkimit të Këshillit shtetëror të Cilësisë dhe anëtarëve të Këshillave të Drejtuesve të Universiteteve Publike.Buxheti për arsimin e lartë për vitin 2019 të jetë 50 përqind më i madh se sa në vitin 2018”,  tha ajo.

Ndërsa në vargun e kërkesave të tyre drejt Ministrisë të Arsimit dhe Qeverisë të Kosovës, Bajrami tha  të jenë edhe ndërtimi i Fakultetit të Shkencave Matematikore, pajisja e fakulteteve me laborator të kërkimit shkencor, shtimi i bibliotekave në këto fakultete, sigurimi i qasjes pa pagesë në platformat elektronike shtetërore e të tjera.

Ndërsa Arianit Berisha, kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, tha se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen brenda 10 ditëve do të organizohet protestë gjithëstudentore.

“Ne i kemi paraparë disa aksione simbolike, të cilat do t’i marrin ditëve në vazhdim dhe gjithashtu e paralajmërojmë një protestë gjithëstudentore e cila besoj se brenda 10 ditëve do të ndodhë dhe për këtë do t’iu informojmë me kohë”, tha Berisha.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme një grup studentësh kanë protestuar para objektit të Qeverisë të Kosovës, ku kanë kërkuar depolitizimin e arsimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)