16 Prill 2024

Studentët kosovarë paguajnë për të punuar në Gjermani

Berlin, 5 prill - Gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan në numrin e saj të të enjtes për një keqpërdorim në nivel të skandalit, që sipas saj e bën një agjenci për ndërmjetësimin e punëtorëve nga Kosova në Gjermani.

\"Për çdo vit, 180 studentë nga Kosova lejohen të shkojnë në Gjermani për të punuar. Në fakt, ata duan të fitojnë para, por një kompani e ka shndërruar këtë në një biznes fitimprurës për veten\", shkruan gazeta, transmeton Albinfo.ch.

Në Kosovë, të rinjtë, nëse janë me fat, mund të gjejnë ndonjë punë si kamerier në ndonjë restorant apo për t`i rregulluar shtretërit në një hotel. Të tjerë mund të punojnë mbase në bujqësi, ose në pastrim. Puna është e rëndë dhe e kufizuar kryesisht për tre muaj. Për këtë arsye, këtu në Prishtinë, kërkohet vetëm një gjë: Puna në Gjermani.

Për çdo vit, Agjencia Federale e Punësimit ofron punë verore për rreth 180 studentë nga Prishtina. Kjo është detyrë e një zyre për ndërmjetësim (ZAV), një sektori të Agjencisë për punësim, e cila rekruton po ashtu edhe specialistë të informatikës dhe mjekë nga jashtë.

Në këtë rast ajo ofron vende pune për të cilat në Gjermani pothuaj nuk ka të interesuar. Në Kosovë, ndërkaq, konkurrojnë për to me qindra studentë. Në rastet kur mund ta bëjnë këtë! Për faktin se vetë konkurrimi kushton, shkruan gazeta, plot 105 euro.

“Partneri kooperues i ZAV në Kosovë, AFK, nga procesi konkurrues ka bërë një biznes fitimprurës. 105 euro i kërkon gjatë këtij viti për ndërmjetësim “Abeitsförderung Kosovo” (AFK). Kështu njoftojnë studentët dhe kështu del edhe nga dokumentet e Ministrisë kosovare të punës. Nga 180 ndërmjetësime, në këtë mënyrë mblidhen afër 20 mijë euro.

Dhe problemi këtu është se ZAV, i ka konfirmuar gazetës se partneri kooperues nga Kosova në fakt nuk do të duhej të merrte fare para nga studentët kosovarë që i ndërmjetëson. Por, ZAV po ashtu, gjatë gjithë pesë viteve të kaluara nuk e ka kontrolluar asnjëherë punën e AFK-së.

“Kjo është vërtetë para e madhe. Ai që fare ka mundësi të punojë në Kosovë si student fiton ne mes 100 dhe 150 euro në muaj”, thotë Fisniku. Ai ndjek studimet në semestrin e gjashtë të gjermanistikës ndërsa i financon ato përmes punës verore në Gjermani. Vitin e kaluar Fisniku ka bartur paketa dhe ka shpërndarë letra, në Wiesbaden. 105 eurot për të konkurruar, ia kishte huazuar një i afërm i tij që t`ia kthente pas punës verore.

“Unë nuk kam tjetër mundësi të vi në Gjermani”, thotë ai dhe prandaj as nuk është ankuar për çmimin e lartë të pagesës për ndërmjetësim.

- Ministria, ka vërejtje për rritjen e pagesës por është e kënaqur se studentët nuk ndalen në Gjermani
Gjatë termineve me rastin e konkurrimit në AFK asnjëri nga studentët nuk kishte guxim të vinte në pikëpyetje procedurën. “Ne jemi gjithnjë dy veta në zyrë. Biseda me zyrtarin gjerman zgjat pesë minuta.

“Ai pyet se prej nga vijmë dhe përse duam të shkojmë në Gjermani. Pastaj ai kryqëzon në formular se çfarë pune mund të bëjmë ne atje. Kundrejt dhjetë eurove të tjera, zyrtari i AFK-së të jep një certifikatë për njohjen e gjuhës...\"
Terminet për konkurrim bëhen në një zyrë të Ministrisë së Punës, në një ndërtesë përdhese në afërsi të qendrës së Prishtinës.

“Migrations-Service-Center” quhet zyra. Hafiz Leka, shef, i sektorit për punësim në Ministrinë e Punës flet për suksesin e bashkëpunimit shumëvjeçar me ZAV. Por shpejt shihet se ai në këtë rast nuk ka parasysh interesin e studentëve.

“Deri më tash të gjithë janë kthyer nga Gjermania, gjithmonë me kohë dhe gjithmonë vullnetarisht. Asnjëri nuk ka provuar të mbetet atje”.

I pyetur për bashkëpunimin me AFK ai tregon për një memorandum nga viti 2008. Me të është sqaruar se AFK merr përsipër administrimin dhe gjithë komunikimin me institucionet gjermane. Ministria jep në dispozicion falas lokalet për terminet për konkurrim pasi që AFK nuk posedon zyra të vetat në Prishtinë, thotë Leka. Një nëpunëse e ministrisë i pranon aplikacionet për punë dhe i bën gati ato. Pastaj, i dërguari nga ZAV i kryen bisedat me aplikuesit.

Por, Ministria e Punës ka shprehur interesimin që ta udhëheqë projektin drejtpërdrejt me ZAV, pa pjesëmarrjen e AFK-së. Kjo, sepse, duket qartë, edhe nëpunësit e ministrisë janë habitur me zhvillimet rreth pagesave që duhet të bëjnë studentët për aplikim. Ato janë rritur në vazhdimësi që nga nënshkrimi i memorandumit në vitin 2008 e këtej.

Nga 20 euro sa ishin në fillim, qenë bërë 40 dhe së fundi janë ngjitur në 105 euro, thotë Leka. Si përgjigje për kërkesën për sqarim që e ka bërë ministria, AFK ka \"sqaruar\" se: 5 euro duhet të paguajnë studentët për aplikim, 20 euro “për shpenzimet administrative” si dhe një “kaucion” prej 80 eurosh. Këto të fundit u kthehen studentëve vetëm në rastet kur atyre nuk u gjendet punë. Ndërkaq, shpenzimet për certifikatën gjuhësore nuk figurojnë fare në llogari.

“Paratë shkojnë të tërat në AFK. Puna e ministrisë është falas”, thotë Leka. Ministria ka po ashtu kapacitetin që gjithë procedurën e aplikimit ta bëjë pa pagesë”.

- Qendra në Gjermani nuk di asgjë!

Por ky informacion nuk ka arritur fare në adresë të ZAV. Kjo pranon se e ka ditur që kërkohen 40 euro në emër të një paushalli për përpunimin e aplikimeve, si posta, pagesat e telefonatave etj. Kjo shumë është vlerësuar si e arsyetueshme. Parimisht ZAV punon vetëm me partnerë që emërohen nga autoritetet zyrtare. Në këtë rast nga ministria kosovare e punës. Por tash do të rishikohet besueshmëria e AFK-së.

Nga ana tjetër punëtori gjerman i AFK- së, i cili mbikëqyr i vetëm punën në Kosovë i hedh poshtë akuzat, në një kundërshtim me shkrim. Sipas tij, nuk ka marrëveshje me ZAV që do t`ia ndalonte atij rritjen e çmimit të shërbimeve të ndërmjetësimit.

Ai thotë se faturat e paraqitura janë të fryra. Sipas tij, shumë studentëve u janë zbritur pagesat. Ai nuk jep shifra të sakta por vetëm e prezanton dhënien e certifikatës për gjuhën prej 10 eurosh si “çmim më të ulët në treg”.

Fisniku dhe kolegët e tij ndërkohë shikojnë për mundësi të tjera. Në Kosovë, persona privatë kanë hapur agjenci ndërmjetësimi të cilat ofrojnë punë në Gjermani ose në Itali. Këto agjenci janë edhe më të shtrenjta se AFK.

Kush nuk arrin t`i paguajë, mbetet rrugëve. Ashtu sikurse Arsimi, i cili vitin e kaluar ka pjekur hamburgerë në Göttingen, në një pompë benzine në autostradën A7.

“Këtë vit nuk pata paratë e nevojshme për të konkurruar në ZAV”, thotë ai. Pa të hyra plotësuese, Arsimi nuk mund t`i vazhdojë studimet. Tashti, ai shpreson se një mik i tij nga Gjermania do t`ia sigurojë një punë. Në çfarëdo mënyre. “Kryesorja: me punue”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)