17 Shkurt 2019

Sot fillon viti i ri i Universitar

Prishtinë, 1 tetor - Sot në kampusin para Bibliotekës Kombëtare, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon Ditën e Orientimit për Studentët e Rinj. Po ashtu gjate ditës se sotme dhe Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan do te organizoj pritjen e studentëve të rinj.

UP për herë të parë do të organizojë një pritje të tillë me pjesëmarrjen e të gjitha njësive akademike dhe zyrave apo qendrave që kanë kontakt me studentët, ku studentët e rinj do të informohen nga afër lidhur me studimet në UP.

Para studentëve fjalë rasti do të mbajë rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi dhe znj. Atifete Jahjaga-  përfaqësuese e Alumni UP.

Studentët vizitojnë tavolinat informuese dhe marrin informacione nga fakultetet dhe zyrat pjesëmarrëse lidhur me studimet në universitet.

Po ashtu të udhëhequr nga studentët e UP-së, studentët e rinj vizitojnë fakultetet ku janë regjistruar, për t’i parë nga afër zyrat ku duhet të drejtohen për çështje të ndryshime lidhur me studimet, sallat e mësimit, bibliotekat etj.

Edhe Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan do te organizoj pritjen e studentëve të rinj.

Rektori i Universitetit, Prof Asoc. Dr. Bajram Kosumi,  Prorektorët, Dekanët, Sekretari i Përgjithshëm dhe personeli akademik e administrativ i këtij Institucioni, presin në një organizim solemn studentët e rinj dhe të tjerët, për t’ ju uruar fillimin e vitit të ri akademik 2018/2019.

Më pas drejtuesit e njësive akademike, respektivisht dekanët, bashkë me stafin e tyre dhe studentët, vazhdojnë takimin  nëpër sallat  sipas agjendës:

 Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, ju uron mirëseardhje studentëve të rinj dhe atyre ekzistues, duke ju dëshiruar suksese në studime, njëherësh uron edhe personelin akademik dhe administrative për një vit të mbarë! 
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 shkurt 2019 - Qeveria e Kosovës mban mbledhje festive për nder të 11-vjetorit të Pavarësisë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:00)

- Ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovës për nder të 11-vjetorit të Pavarësisë në të cilën marrin pjesë presidenti Hashim Thaçi, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj. (Hapësira mes ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë, ora 8:30) 

- Presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Haradinaj vendosin kurora lulesh te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova. (Sheshi “Ibrahim Rugova”, para Kuvendit, ora 8:45) 

- Presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Haradinaj vendosin kurora lulesh në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. (Prekaz, ora 9:40)

- Në 11 vjetorin e shpalljes së pavarësisë të Kosovës, anëtarë të kryesisë së LDK-së bashkë më struktura të saj, bëjnë homazhe te varri i Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. (Velani, ora 10:00)

- Komuna e Gjilanit organizon homazhe  te varrezat e dëshmorëve. (Gjilan, ora 10:00)

- Federata e Ping-Pongut e Kosovës (FPPK) organizon turneun “Dita e Pavarësisë”.  (ShMU “Tefik Çanga”, Ferizaj, ora 10:00)

- “Star Kids” do të performojnë në sheshin “Skënderbeu” për nder të Pavarësisë. (Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë solemne për nder të 11-vjetorit të Pavarësisë. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:45) 

- Komuna e Gjilanit organizon akademi solemne dhe program artistik nga Shkolla e Muzikës në Gjilan. (Teatri i Qytetit, ora 11:00)

- Trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovë parakalojnë me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. (Prej Sheshit “Nënë Tereza” deri te Sheshi “Ibrahim Rugova”, ora 12:20)

- Me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës organizohet koktej për të gjithë të ftuarit në Parakalimin e Trupave të FSK-së. (Hotel “Swiss Diamond”, ora 13:00)

- Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovë në Gjilan bën përurimin e bustit të ish-presidentit Ibrahim Rugova (Gjilan, ora 13:00)

- Përfaqësues të organizatave studentore organizojnë një “protestë artistike” në lidhje me vonesën e liberalizimit për qytetarët e Kosovës. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00) 

- Komuna e Vushtrrisë organizon manifestimin qendror për shënimin e 11-vjetorit të Pavarësisë. (Kalaja e Qytetit, Vushtrri, ora 13:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim deputetët nga Mbretëria e Bashkuar, John Grogan dhe Martin Vickers. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, organizon një event simbolik për Pavarësi. (Sheshi “Skënderbeu”, ora 14:00) 

- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe ministri i Kulturë, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, përurojnë Palestrën Sportive në Shtime. (Shtime, ora 15:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim delegacionin 17-anëtarësh nga Shtetet  e Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga Senatori James Inhofe. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 15:00) 

- Komuna e Lipjanit organizon koncert festiv për 11-Vjetorin e Pavarësisë. (Qendra e Kulturës “Tahir Sinani”, Lipjan, ora 15:00)

- Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” mban koncert festiv për Pavarësi. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë, 18:00)

- Për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës bëhet ndezja e organizuar e fishekzjarrëve. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë, ora 18:30)

- Me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës organizohet pritja shtetërore nën përkujdesjen kryeministrit Ramush Haradinaj. (Hotel “Venus”, magjistralja Prishtinë-Ferizaj, ora 19:30)

- Mbahet koncerti festiv për nder të 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë, ora 20:00)