27 Janar 2023

Shkolla “Mehmet Isai” pranon donacion të makinave nga Bursa e Turqisë

Gjilan, 28 tetor - Shkolla e mesme teknike “Mehmet Isai” ka pranuar një donacion të makinave të punës CNC nga Bursa e Turqisë, përkatësisht nga biznesmeni Fahretin Gylener.

Drejtoresha komunale e Arsimit, Albana Demiri, e ka falënderuar z. Gylener për këtë donacion si një mundësi e madhe për nxënësit e kësaj shkolle.

“CNC është një mundësi mjaft e avancuar dhe inovative si pajisje prodhimi dhe matëse me cilësi të lartë. Përpunimi me CNC luan një rol jetik në zhvillim profesional tek nxënësit të cilët do të kenë mundësi tash e tutje të punojnë me këtë program”, ka thënë Demiri.

Kryetari i shoqatës Kosova-Shkup me seli në Bursa, Rexhep Gunduz, ka thënë se kjo është mbështetja e radhës për shkollën teknike të Gjilanit nga kompania e Gylener, duke konfirmuar se mbështetja dhe bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Fjalë falënderimi për këtë donacion ka shprehur edhe drejtoresha e shkollës “Mehmet Isai”, Lumnije Tahiri-Sadriu, e cila tha se kjo është shkollë me fat që e ka memorandumin e bashkëpunimit afatgjatë me Gunduz e Gylener.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2023

 - Mbahet dita e dytë e konferencës Ndërkombëtare për Siguri Siguri Kinernetike “Cyber Zero” në të cilën diskutohet sulmet online dhe kërcenimet në sigurinë kibernetike. (Klan Arena, ora 9:00)
    
- Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me vendimin për lirimin nga obligimi për rentën minerare për ndërmarrjen “Ferronikeli”. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me përfaqësues të OJQ-së “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve”. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)
    
- Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, raporton në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 13:30)
    
- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 42 të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Merr pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu etj. (Ndërtesa e re e Fakultetit të Sigurisë Publike në AKSP, Vushtrri, ora 13:30)
    
- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan do të nderojë me çmimin “Doctor Honoris Causa” anëtarin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl. (Teatri i Qytetit, Gjilan, ora 15:00)