22 Maj 2018

Shkenca në funksion të zhvillimit ekonomik e shoqëror

Prishtinë, 15 maj - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të Javës së Shkencës, e cila po organizohet për herë të dhjetë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Presidenti Thaçi ka thënë se ndjehet mirë që si ngjarje e përvitshme, Javë e Shkencës ka filluar të organizohet në kohën kur Kosova u bë shtet i pavarur dhe sovran.

“Puna kërkimore dhe shkencore vlerësohet si mjeti më i fuqishëm i avancimit të dijës dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror. Prandaj, potenciali juaj njerëzor, shkencor dhe kulturor si studiues, përbën një mbështetje të fuqishme për të gjitha proceset nëpër të cilat kalon shteti ynë. Unë i përcjelli me vëmendje, aq sa mundem dhe kam kohë, shumicën e aktiviteteve shkencore. Hulumtimet shkencore dhe aktiviteti juaj si kudo në botë ka për qëllim jo vetëm avancimin e të arriturave në lëmi të caktuara, por edhe zhvillimin ekonomik dhe social. Prandaj, të nderuar njerëz të shkencës, shoqëria nga ju pret që ta determinoni jo vetëm të sotmen, por të përcaktoni qartë se ku duhet të jemi pas 2-3 dekadave, në të ardhmen”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se nuk mjafton të nxjerrim vetëm studentë të diplomuar dhe nuk mjafton të ecim me trende rajonale, por duhet të lëvizim më shpejt, më mirë dhe në mënyrë më cilësore se të tjerët.

“Unë jam i bindur se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes rritjes ekonomike, me rritjen e sasisë dhe cilësisë në arsim. Vetëm me këtë vizion mund ta fuqizojmë energjinë e rinisë sonë të talentuar”, ka thënë ai.

Presidenti i vendit ka shtuar se nëse analizohen vendet më të zhvilluara në botë, shohim se çdo kund, çelësi i suksesit të tyre ka qenë cilësia e burimeve njerëzore.

“Ajo çfarë i dallon vendet e zhvilluara nga vendet në zhvillim, sikurse në rastin tonë, është fakti se vendet e zhvilluara kanë sisteme arsimore shumë të mira dhe kuadro konkurrues në tregun global të punës. Pra, në këtë kontekst, asnjë vend nuk mund të pretendojë të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, pa investuar në mënyrë serioze në kapitalin njerëzor”, ka thënë ai.

Gjatë këtyre 19 vjetëve të lirisë dhe 10 vjetëve të pavarësisë, sipas presidentit Thaçi, prioriteti ynë ka qenë kompensimi i dekadave të diskriminimit të vazhdueshëm dhe represionit nga e kaluara.

“Kemi pasur nevoja bazike të ndërtimit të një infrastrukture arsimore moderne në gjithë vendin dhe pa modesti e them se infrastruktura arsimore në Kosovë është më e mira në rajon. Ne, tashmë i kemi përmbushur këto nevoja dhe është koha që të përqendrohemi më shumë te cilësia, te investimet në kapitalin social, në burimet njerëzore”, u shpreh presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka theksuar se po jetojmë në një botë që ndryshon përditë, por në këtë botë digjitale të teknologjisë informative, sipas tij, edhe profesorët e studentët mund të bëjnë që qytetari ynë, për një periudhë të shkurtër kohore, të ketë lakmi të jetojë në vendin e vet dhe të ndjehet krenar.

“Nuk janë vetëm politikanët ata që duhet t’u japin përgjigje të gjitha çështjeve. Përkundrazi, jeni edhe ju. Ne e kemi obligim si shtet, si institucione, që t’ju ndihmojmë gjithmonë. Por, ju jeni ata që duhet të ndihmoni politikën dhe institucionet”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në Javën e Shkencës, kreu i shtetit ka thënë se presim nga njerëzit e shkencës që të shfaqin ide dhe pikëpamje lidhur me të arriturat shkencore apo synimet për të ardhmen, duke zbuluar edhe energji të reja shkencore që premtojnë reforma në qasjet e dijës dhe shkencës në raport me kërkesat e realitetit të ri evropian.

Duke marrë parasysh jo vetëm arritjet, por edhe sfidat, presidenti Thaçi ka thënë se është e nevojshme të bëhet një listë e prioriteteve në të gjitha fushat me potencial hulumtues, si në burimet natyrore, në energji dhe mjedis, në prodhim bujqësor dhe sigurim të ushqimit, në kërkimet shkencore në mjekësi, studimet në ekonomi, në shkencat humanitare, në teknologji informative dhe në fusha të tjera.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Maj 2018 - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë komunën e Kaçanikut, ku do të takohet me kryetarin e Komunës, Besim Ilazi. (Zyra e kryetarit Ilazi, ora 9:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Jusuf Gërvalla” në Biqec. (Objekti i shkollës në Biqec, ora 9:45)

- Instituti për Politika Zhvillimore organizon tryezën ”Sistemi Pensional në Kosovë: sfidat dhe mundësitë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Në kuadër të kampanjës “Drejtësia dhe biznesi” Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me përfaqësues nga KIESA dhe Oda Ekonomike Amerikane, do të takojnë bizneset nga rajoni i Mitrovicës. (Hotel Palace në Mitrovicë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilen do të behët shqyrtimi i raportit të Auditimit për PVF-të e Autoritetit të Aviacionit Civil, shqyrtimi i raportit të Auditimit për PVF-të e Organit Shqyrtues të Prokurimit, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi, Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, nesër, më 22 maj 2018, viziton Burgun e Dubravës, me rastin e shënimit të përvjetorit të masakrës së vitit 1999. (Dubravë​, ora 10:15)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë shkollën e mesme “Feriz Guri dhe Vëllezërit Qaka”. (Objekti i shkollës, ora 10:30)

- Oda Ekonomike e Kosovës publikon studimin “Bottleneck” me qëllim identifikimin e barrierave që pengojnë të bërit biznes në vendin tonë. (Oda Ekonomike e Kosovës, ora 11:00)

- Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe OJQ George Williams Youth Association in Kosovo me qëllim financimi në projektin “Qendra e edukimit jo-formal për rini” me lokacion në fshatin Pjetërshan në komunën e Gjakovës. (Ministria e Kultures, Rinise dhe Sportit, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilen do të behët shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, shqyrtimi i Projektligjit për Masat Mbrojtëse në Importe, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Me rastin e shënimit të 19-vjetorit të masakrës së Dubravës bëhen homazhe në nderim të burgosurve të vrarë në burgun e Dubravës nga forcat paramilitare serbe. (Dubravë, ora 11:00)

- Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pret në takim futbollistët e FC Drita, të cilët të dielën u shpallën kampion. (Zyra e Kryetarit, objekti i ish-gjykatës, ora 12:00)

- Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në  Kosovë, Qemal Minxhozi viziton komunën e Dragashit, ku do të pritet nga kryetari i komunës, z. Shaban Shabani (Komuna e Dragashit, ora 12:30)

-  Ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Skender Reçica dhe Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jetviq raportojn para Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim lidhur me implementimin e projektit për ndërtimin e shtëpive për komunitetin joshumicë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj do të vizitojë komunën e Vitisë, ku bashkë me kryetarin e komunës do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi për realizimin e një projekti në fushën e mjedisit. (Objekti i komunës së Vitisë, ora 13:00)

- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj bashkë me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova dhe Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, marrin pjesë më inaugurimin e rrugës Krushevë-Shishtavec, e financuar nga BE.. (Krushevë, Komuna Dragashit, ora 15:00)

- Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova së bashku me autoritetet e Kosovës do të përurojnë rrugën e ndërtuar rishtas midis Krushevës dhe Shishtavecit, që lidh Kosovën dhe Shqipërinë, të financuar nga Bashkimi Evropian. (Vendkalimi kufitar mes fshtarave Krushevë dhe Shishtavec Komuna e Dragashit, ora 15:00)

- Drejtori i misionit të USAID-it Xhejms Houp do të flasë me rastin e ceremonisë zyrtare që do të shënojë partneritetin me Cacttus Education. (Cacttus Education, rr. Bashkim Fehmiu. Arberia 3, BC2/11, nr. 4,  ora 16:45)

- Dega e OVL te UÇK-së në Kaçanik në bashkëpunim me SHIL, SHFD, institucionet komunale organizon orë përkujtimore me rastin e 19 të rënies heroike të dëshmorëve: Danush Kurtaj, Mejdi Dalloshi, Tefik Raka, Avdylgafurr Luma dhe Suad Brava, të rënë në Masakrën e Dubravës së Istogut me 22 maj ’99. (Shtëpia e Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik, ora 17:00)

- Bëhen homazhe me rastin e 19 të rënies heroike të dëshmorëve të rënë në Masakrën e Dubravës së Istogut me 22 maj ’99. (Varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, ora 18:30)