23 Tetor 2020

Rektori, prof. dr. Naser Sahiti, fillon detyrën në krye të UP-së

Prishtinë, 1 tetor - Sot, prof. dr. Naser Sahiti ka filluar mandatin e tij katërvjeçar në krye të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Pas mikpritjes në rektoratin e UP-së nga stafi i brendshëm i rektoratit, rektori Sahiti ka vizituar disa njësi akademike, ku i ka takuar dekanët e fakulteteve, të cilët po ashtu kanë nisur mandatin e tyre në menaxhimin e njësive akademike.

Rektor, prof. dr. Naser Sahiti e vizitoi së pari Fakultetin e Mjekësisë në UP, për të vazhduar me vizitat në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin e Arteve dhe Fakultetin Juridik.

Gjatë vizitës në njësitë akademike të UP-së, rektori Sahiti u prit në takim nga dekanët: prof. dr. Suzana Manxhuka – Kërliu, dr. sc. Ahmet Shala, prof. asoc. dr. Isak Shabani, dr. Hazir Haziri dhe prof. ass. dr. Avni Puka.

Rektori Sahiti ua uroi dekanëve fillimin e vitit të ri akademik, duke garantuar që menaxhmenti i UP-së do të bashkëpunojë ngushtë me njësitë akademike, si dhe do të punojë intensivisht në sigurimin e transparencës maksimale me të gjitha instancat, brenda dhe jashtë UP-së.

“Përkundër sfidave, ne duhet të punojmë intensivisht për Universitetin e Prishtinës dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ju e keni përkrahjen time të pakursyer që të punoni dhe të angazhoheni që të mos dëmtohet procesi mësimor, i cili po nis në rrethana jo të zakonshme,” theksoi Sahiti.

Dekanët e uruan rektorin Sahiti për pranimin e detyrës, si dhe e falënderuan për kujdesin e shfaqur qysh në ditën e parë të tij të punës në këtë funksion.

Vlen të përmendet që vizita e Sahitit në Fakultetin e Mjekësisë u realizua në objektin e ri të këtij fakulteti, i cili për studentët dhe stafin do të ofrojë hapësirë funksionale dhe moderne për mësimnxënie.

Prof. dr. Naser Sahiti, nga data 1 tetor 2020, e mban pozitën e rektorit të UP-së. Sahiti është profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në UP, si dhe paraprakisht ka shërbyer në funksione të tjera menaxheriale të UP-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Tetor 2020

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (ndërtesa e KQZ-së në, kati i parë, ora 10:00) 

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviziton ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit; Blerim Kuçi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Në kuadër të përmbylljes së “Javës  Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë”, ministri i MPMS-së, Skender Reçica viziton fabrikën “NewCo Ferronikeli”. (Drenas, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në përurimin e “Memorialit të Komandant Drinit - Ekrem Rexha. (Tek parku përballë Shtëpisë së Bardhë, ora 11:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish- Zëvendës kryesuesin e Bordit të Agjencisë së Privatizimit, Naser Osmani. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian takohet me Shefin e Zyrës dhe Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovës, Tomáš Szunyog në lidhje me Raportin për Kosovën 2020 të publikuar nga Komisioni Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 12:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ish Ministër i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti pritet me një ceremoni zyrtare kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. (Para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup, ora 14:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev mbajnë konferencë për media. (Konferenca do të përcillet online, ora 15:05)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon bisedën “Off the record: Gjendja e hapësirave të braktisura”. (Kino Armata, ora 15:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. (Ndërtesa e Presidencës në Shkup, ora 15:35)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. (Kabineti i Kryetarit të Kuvendit në Shkup, ora 16:10)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Artan Grubi, Zëvendës Kryeministër i parë i shoqëruar edhe Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së. (Ndërtesa e Kuvendit në Shkup, ora 16:35)

- Nënshkruhet MoU për krijimin e rrjeteve të pastra 5G në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Departamentit të SHBA-ve. (Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, ora 17:15)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Udhëheqësit e partive politike si Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, Bilall Kasami nga Lëvizja Besa,  Afrim Gashi nga Alternativa dhe Menduh Thaqi nga PDSH. (Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, ora 17:40)