28 Mars 2024

Regjistrim “online” në UP

Regjistrim “online” në UP

Prishtinë, 13 qershor - Maturantët këtë vit mund të aplikojnë “online” për t’u regjistruar në Universitetin e Prishtinës (UP). Ky shërbim afrohet për herë të parë në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve në UP.


Drejtori i Teknologjisë Informative në UP, Isak Shabani, ka shfaqur shpresën se ky projekt do të rezultojë i suksesshëm dhe se me të do të eliminohen radhët e gjata para dyerve të njësive akademike.


“Jemi duke i bërë të gjitha përgatitjet për aplikimin ‘online’ nëpërmjet sistemit të menaxhimit elektronik të punëve të studentëve, maturantët këtë vit do të kenë mundësi që formularët për regjistrim, të cilët deri më tani i kanë plotësuar në mënyrë manuale, t’i plotësojnë ‘online’ nëpërmjet internetit prej çfarëdo pike të rruzullit tokësor”, ka thënë Shabani.


Sipas tij, studentëve automatikisht do t’u konfirmohet në email-at e tyre dëshmia se aplikimi ka qenë i suksesshëm.


“Studentët kanë mundësi nga interneti t’i marrin edhe fletëpagesat për regjistrim dhe pagesën ta bëjnë në cilëndo bankë komerciale në Kosovë”, ka shtuar Shabani.


Ai ka treguar se maturantët dëshminë e fletëpagesës së bashku me dokumentacionin fizik siç janë: certifikatat e shkollës së mesme së bashku me diplomën duhet t’i dorëzojnë në fakultetet përkatëse.


Komisionet e caktuara nga fakultet për regjistrimin e studentëve të rinj do t’i verifikojnë një nga një dosjet fizike me përputhshmërinë e aplikimit ‘online’”, ka bërë me dije Shabani.


Ai është i bindur se kjo mënyrë e aplikimit do të funksionojë shumë mirë. “Jemi optimistë 100 për qind, sepse kemi bërë testimet paraprake me të dhëna joreale”, ka treguar Shabani.


Gjithashtu, maturantët do ta kenë mundësi që të gjitha njoftimet t’i marrin në uebfaqet e fakulteteve ku kanë aplikuar.


Ata do të mund të marrin informacione si për sallën ku do të mbahet provimi pranues, orën, datën dhe gjithçka lidhur me provimin pranues.


“Komisionet përkatëse të fakulteteve nëpërmjet sistemit do t’i publikojnë edhe rezultatet finale për të gjithë kandidatë për studentë”, ka deklaruar ai.


Në vazhdim Shabani ka treguar se të gjithë ata kandidatë që do të kenë fatin të regjistrohen për të studiuar në UP do të pajisen me ID kartela.


“Studentët pas regjistrimit do të pajisen edhe me ID kartela, të cilat do t’i përdorin për regjistrim të semestrave dhe paraqitje online të provimeve”, ka thënë Shabani.


EPOKA E RE
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)