25 Shtator 2021

Qeveria e përkushtuar që të mbështesë arritjet arsimore të komuniteteve

Fushë Kosovë, 27 korrik - Ekziston një hendek i gjerë në mes të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptianë nga njëra anë dhe komuniteteve të tjera, sa u përket arritjeve në fushën e arsimit. Ky hendek është rritur akoma më shumë gjatë pandemisë, pasi mundësitë e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për të ndjekur mësimin online kanë qenë më se të kufizuara, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e organizuar me qëllim të mbledhjes së fondeve për ndërtimin e një Qendre të re të Komunitetit dhe Mësimit në Fushë Kosovë.

“Qendrat mësimore si kjo e juaja kanë kontribuar dhe do të kontribuojnë në zvogëlimin e këtij hendeku, duke mobilizuar potencialin e komunitetit që t’i ndihmojë pjesëtarët e vet. Por, në krah do ta keni edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila nuk do të hezitojë t’i mbështes nismat e tilla”, tha kryeministri Kurti. 

Këtë vit, për herë të parë, MAShTI do të ndajë një fond prej 200 mijë euro për organizatat e shoqërisë civile me bazë në komunitet që mbështesin punën e qendrave mësimore, ndërsa vitin tjetër, kryeministri tha se do të bëhen përpjekje që kjo shumë të rritet. 

Po ashtu, këtë vit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, janë ndarë bursa për 596 nxënës të shkollave të mesme të larta dhe ky program, sipas kryeministrit, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Në arsimin e lartë publik do të vazhdojmë me diskriminimin pozitiv në kuptim të kuotave të rezervuara dhe dhënien e bursave për pjesëtarët e komuniteteve pakicë, por prej këtij viti studimet e larta në sektorin publik do të jenë më të përballueshme, pasi ato do të jenë pa pagesë për të gjithë, pa diskriminuar asnjë njeri”, tha kryeministri Kurti.

Projekti për ndërtimin e Qendrës për Komunitetin i nisur vitin e kaluar nga organizata “The Ideas Partnership”, është ndihmuar nga donatorë dhe institucione ndërkombëtare e vendore, por ka mbetur në gjysmë të rrugës për t’u përfunduar.

Qendra ka për qëllim të mbështesë rreth 300 fëmijë në edukim, për të zgjeruar njohuritë dhe për t'u bërë agjentë të ndryshimeve pozitive për komunitetin e tyre.


  

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Shtator 2021

- Federata e Pingpongut organizon 3 xhirot e radhës në ligën e juniorëve dhe 1 xhiro në ligen e junioreve ku do te mbahet ndeshja ndërmjet ‘Ahmet Hoxha MK’ vs ‘Lidhja e Prizrenit’. (SHMU Tefik Çanga në Ferizaj, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës dhe njëherësh kandidati për kryetar të Komunës nga Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren, Mytaher Haskuka, do të vizitojë fshatin Nashec. (Oborri i shkollës së fshatit Nashec, ora 18:00)