20 Janar 2020

Prokuroria në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër 6 zyrtarëve policor

Gjilan, 27 nëntor - Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë (6) zyrtarëve policor, të stacionit policor në Gjakovë, të pandehurve K.GJ., B.P., G.B., A.I., M.U. dhe SH.L.

Sipas aktakuzës, i pandehuri K.GJ., më 14 nëntor 2018, në objektin e stacionit policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar të dëmtuarin M.A., i cili kishte qenë i arrestuar dhe i prangosur, për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale, në atë mënyrë që derisa ishte ulur në karrige, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme, derisa nga aty të pandehurin e largon një zyrtar policor.

Në këtë mënyrë, i pandehuri K.GJ., ka kryer veprën penale ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’, nga neni 198 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu,  edhe të pandehurit B.P., G.B., A.I. dhe M.U., kanë keqtrajtuar të dëmtuarin M.R., ashtu që me qëllim që të nxjerrin informacione, për personat e tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale, për të cilat i dëmtuari ka qenë i dyshuar, e sulmojnë fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për të cilat është detyruar të kërkonte tretman mjekësor.

Me këto veprime, të pandehurit B.P., G.B., A.I. dhe M.U., kanë kryer veprën penale ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’, nga neni 198 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri SH.L., si person përgjegjës në qendrën e ndalimit në Gjakovë, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, pasi iu ka mundësuar të pandehurve M.U., G.B. dhe A.I., të futen në qelinë ku ndodhej i dëmtuari M.R., të cilët pastaj e kanë keqtrajtuar duke e sulmuar fizikisht.

Në këtë mënyrë, i pandehuri SH.L., ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 janar 2020

- Zyra e BE-së/Përfaqësuesi Special i BE-së në bashkëpunim me Qendrën për Arsim të Kosovës dhe organizatat e tjera joqeveritare, anëtare e “Rrjetit të Kosovës për punësim dhe arsim” do të organizojnë konferencën përfundimtare e cila do të përqendrohet në arsim dhe punësim. (Hoteli Swiss Diamond, ora 9:30)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të mbajë takim me qytetarë, ku do të njoftojë për punën e Komunës së Prizrenit gjatë vitit 2019. (Salla e Kuvendit Komunal në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Prishtinës. (Shkollën Model në Prishtinë, ora 11:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka thirrur mledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të Legjislaturës VII. (Ndërtesa e Kuvendit, Salla C 301, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, do të marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore, në dy vjetorin e vdekjes së veprimtarit të Çështjes Kombëtare, Jonuz Musliu. (Shtëpia e Kulturës në Bujanoc, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Obiliqit. (Shkolla "Ismail Dumoshi" në Obiliq, ora 14:00)

- Hapet ekzposita "Cikël me Peizash" nga piktori Anton Krasniqi. (Kafe Atelie +S, rruga 'Avdyl Frasheri' nr. 42, Prishtinë, ora 19:00)