23 Prill 2024

Parlamenti Studentor kundër vendimeve të MASHT-it në UPZ

Prizren, 24 maj - Më 22.05.2018 është mbajtur mbledhja e Këshillit Drejtues të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren me rend dite intervistimin e kandidatëve për Rektor dhe votimin për zgjedhjen e Rektorit. Në mbledhje ka qenë prezent edhe Kryetari i Parlamentit Studentor.

Anëtarët e Këshillit Drejtues të caktuar nga ana e MASHT, pasi kanë dështuar që të bindin përmes presioneve anëtarët tjerë, janë munduar që të kontrabandojnë zgjedhjen e rektorit përmes një procesi të parregullt zgjedhor. Madje Kryesuesi i KD ka vjedhur materialin zgjedhor duke vepruar në kundërshtim me çdo dispozitë ligjore dhe praktikë. Kërkojmë nga Qeveria, Kuvendi i Kosovës, ambasadat shteteve të huaja, shoqëria civile dhe mediat që të hetojnë këtë rast të pa precedent të inskenuar nga ana e MASHT-it përmes instrumenteve të tyre të parapolitikës. MASHT nëse është për vendosjen e rendit, të shkarkojë menjëherë anëtarët e KD për këto veprime të kundërligjshme.

Në Statut shkruan shumë qartë se zgjedhja e rektorit bëhet me 2/3 e votave të anëtarëve të KD. Në raundin e parë dhe në raundin e dytë të parregullt, asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë numrin e nevojshëm të votave. Në vend se KD të vendoste për përsëritjen e konkursit ashtu siç e parasheh Statuti, në një mbledhje pa kuorum dhe pa kushte ligjore kanë konstatuar tinëzisht dhe joligjërisht përmes mediave se është zgjedhur rektori dhe në fund kanë vjedhur materialin zgjedhor dhe kanë ikur. Deri më tani në bazë të informatave tona asnjë komunikim zyrtar nuk ka ndodhur dhe për këtë dikush duhet të jep përgjegjësi.

Parlamenti Studentor zotohet publikisht se nuk do të lë mjet ligjor dhe demokratik pa shfrytëzuar për të mos lejuar që të legjitimohet një rektor i kontrabanduar nga strukturat parapolitike të MASHT-it. 

Kërkojmë nga ana e MASHT që të mos mundohet në asnjë mënyrë të legjitimojë procesin e parregullt zgjedhor në rastin e rektorit sepse nuk do të mund të nisë punën në UPZ një rektor i kontrabanduar.

Me veprimet e më hershme dhe më këto në rastin e UPZ, kjo udhëheqje në MASHT është kërcënim permanent për sistemin arsimor të Kosovës, prandaj Qeveria dhe Kuvendi duhet të marrin masa sa më parë. 

P.S Në votimin e raundit të dytë prezent kanë qenë vetëm 4 anëtarë të KD, e që kjo nënkupton se mbledhja nuk ka pasur kuorum për të vazhduar më tutje. Këtë gjë e specifikon qartë neni 20, pika 2 e Statutit të UPZ, e cila thotë:

“Për mbajtjen e mbledhjeve të Këshillit Drejtues nevojitet kuorumi prej pesë(5) anëtarëve, së paku katër(4) prej tyre me të drejtë vote.”

Gjithashtu edhe neni 13 pika 1 e Rregullores mbi punën e Këshillit Drejtues të UPZ, e cila thotë:
“Për mbajtjen e mbledhjeve të Këshillit Drejtues nevojitet kuorumi prej pesë(5) anëtarëve, së paku katër(4) prej tyre me të drejtë vote. Vendimet e Këshillit Drejtues janë të plotëfuqishme vetëm nëse kuorumi vërtetohet në kohën e votimit.”

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)