27 Maj 2020

ORCA: Skandali i diplomave të rrejshme të adresohet në hetuesi

Prishtinë, 5 gusht - Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka njoftuar se është jashtëzakonisht e shqetësuar për situatën e krijuar së fundmi ku del se mijëra diploma të mijëra studentëve të lëshuara nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë nuk janë në përputhje me ligjet në fuqi.

Për më tepër ORCA sheh kryerje të veprave penale nga ana e institucioneve të arsimit të lartë të cilat me shumë gjasë i kanë mashtruar studentët duke marrë para nga ta, ndërkohë që nuk i kanë dorëzuar regjistrat e të dhënave të studentëve tyre në MAShT siç parashihet me legjislacionin në fuqi.

Kësisoj, mijëra diploma të lëshuara nga këto institucione nuk kanë bazë për t’u njohur në Kosovë apo jashtë saj.

Mosdorëzimi i regjistrave në afatet e parapara ligjore mund të duket si një formalitet i parëndësishëm, por në fakt është pjesa që konfirmon vërtetësinë e kohëzgjatjes së studimeve, programeve të ndjekura dhe çështjeve të tjera me rëndësi për dëshmimin e ndjekjes së studimeve.

Në këtë situatë ORCA i bën thirrje organeve të hetuesisë që të veprojnë me shpejtësi në identifikimin e shkelësve dhe vendosjen e tyre para drejtësisë.

Ndërkohë ORCA i bën thirrje studentëve viktima të këtij mashtrimi t’i drejtohen organeve të hetuesisë apo gjyqësisë duke ushtruar padi dhe kallëzime penale për institucionet që i kanë mashtruar ata.

ORCA pret nga MAShT që ta informojë publikun me të dhëna zyrtare se për cilat institucione bëhet fjalë e po ashtu pret që MAShT t’i ushtrojë kompetencat e saj në përputhje me ligjin dhe t’ua tërheq licencat të gjitha institucioneve të përfshira në këtë mashtrim.

Po ashtu, përfshirja e mundshme e zyrtarëve të MAShT duhet të adresohet nga vet Ministria te organet e hetuesisë si dhe në procedura disiplinore brenda saj.

ORCA mbetet e përkushtuar dhe e fokusuar për ta hetuar këtë rast deri në fund ndërkohë që po përcjell me vëmendje veprimet e të gjitha palëve, sidomos ato të institucioneve relevante.

Me këtë rast ORCA bën thirrje për kujdes të prindërve dhe nxënësve në zgjedhjen e institucioneve për kryerjen studime.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Maj 2020 - Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrton kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore, shqyrton po ashtu Programin e Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 10:00 - pa prezencën e mediave)
 
- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Raportin e Ministrisë së Shëndetësisë. (Ndërtesa e Kuvendit, N 302, ora 10:00 - pa prezencën e mediave)

- Komisioni për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media shqyrton Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00 - pa prezencën e mediave)

- Disa Organizata Jo Qeveritare dorezojn  Peticionin - 'Mos na helmoni!' - kundër deponisë së hirit të Korporatës Energjetike të Kosovës. (Tek Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, ora 13:00)

- Komuna e  Rahovecit, organizon debat publik me qytetarët për Taksa Komunale. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, Rahovec, ora 13:30)

- Me hapjen e një përkujtimore të dedikuar viktimave të vetëvrasjes përmbyllet kampanja 'Linja e Jetës'. (Mbrapa Rektoratit në kampusin e Universitetit të Prishtinës, ora 16:00)