09 Shkurt 2023

ORCA denoncon për plagjiaturë kandidatin për rektor, Ilir Tolaj

Prishtinë, 16 nëntor - Me rastin e shpalljes së kandidaturave për rektor, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) po hulumton kredencialet akademike të tyre.

Në hulumtimin e kandidatit Ilir Tolaj, ORCA ka zbuluar që në tezën e doktoratës së tij ka përbërje të theksuar të plagjiaturës nga një burim i vetëm.

Rron Gjinovci nga ORCA ka thënë së doktorata “Sepsisi meningokoksik në Kosovë - Përvojat tona në përdorimin e terapisë adjuvante” e mbrojtur në vitin 2004 në Universitetin e Prishtinës nga kandidati Ilir Tolaj, pjesën e hyrjes, shqyrtimit të literaturës, dhe 99% të referencave i ka identike dhe të përkthyera nga një punim shkencor i vitit 2000 nga autorë të huaj.

Ky disertacion sipas Gjinovcit i ka shërbyer profesorit Ilir Tolaj për ta marrë gradën doktor i shkencave, për t’u punësuar në Universitetin e Prishtinës dhe për të mbajtur titull akademik.

ORCA ka përgatitur një dosje me dëshmi të mjaftueshme për ta dokumentuar plagjiaturën e profesorit dhe kandidatit për rektor dhe sot i është drejtuar Këshillit të Etikës të UP-së, organ ky që është përgjegjës për verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të tilla të cilat cenojnë integritetin dhe ndershmërinë intelektuale të universitetit.

"Ne presim që ky organ ta shqyrtojë dokumentacionin e ofruar dhe të vërtetojë se profesori Ilir Tolaj ka kryer shkelje të rënda nga Kodi i Etikës, Statuti i UP-së dhe nga Rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës", ka thënë Gjinovci.

Bazuar në të gjitha këto shkelje, ORCA pret që Këshilli i Etikës bazuar në kompetencat e përcaktuara në paragrafin 6 të nenit 2 të Rregullores për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës të marrë këtë vendim duke shqiptuar:

1. masën disiplinore  sipas nenit 8, paragrafit 1, nën paragrafit 1.10: “ndërprerje të marrëdhënies së punës”;

2.  dhe masën disiplinore  sipas nenit 8, Paragrafit 1, nënparagrafit 1.9: “revokim i gradës shkencore” të doktorit të shkencave.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 shkurt 2023

- Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KGJK-së, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Podujevës, ku do të pritet nga kryetari Shpejtim Bulliqi. (Podujevë, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, do të përurojnë Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gllamnik. (Fshati Gllamnik, Podujevë, ora 11:00)  

- Komuna e Prizrenit nënshkruan Agjendën e Kontratës Sociale për Prizrenin, që është zotim i përbashkët i Komunës dhe qytetarëve për përmirësimin e komunikimit, bashkëpunimit dhe veprimeve kolektive. (Këndi Amerikan në Prizren, ora 11:00)

- Federata e Boksit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Laureatët e viti 2022”. (Hotel Sirius, ora 17:00)