30 Nëntor 2022

ORCA dënon ndërhyrjet në Fakultetin e Mjekësisë

Prishtinë, 5 tetor - Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka dënujar ndërhyrjen e u.d. drejtores së ShSKUK-së e cila duke përdorur faqen e institucionit që drejton ka provuar të ndërhyjë në çështjet akademike të Universitetit të Prishtinës konkretisht të Fakultetit të Mjekësisë.

ORCA pret që U.D. drejtorja të kryejë me përgjegjësi funksionet e saj të cilat edhe ashtu janë shumë të ngarkuara, madje ORCA shprehet e befasuar me kohën e lirë të drejtores të cilën ajo e shfrytëzon për t’u marrë me probleme të institucioneve të tjera.

U.D. drejtorja e ShSKUK-së mbase duhet të përcaktohet nëse do t’i japë më shumë rëndësi karrierës profesionale apo asaj akademike, ndërkohë si asistente e Fakultetit të Mjekësisë, duhet të angazhohet për të rritur punën e saj akademike ashtu që në një të ardhme të avancohet në mënyrë meritore në titull më të lartë akademik.

ORCA është befasuar me kontrabandimin e ndryshimeve në rregulloren për të ardhurat e stafit akademik në UP, nga përbërja e vjetër e Këshillit Drejtues të cilat janë bërë pa u konsultuar askush, madje as vet Fakulteti i Mjekësisë.

ORCA e sheh të padrejtë ndryshimin e rregulloreve me anë të së cilave bëhet e domosdoshme që të rritet numri i stafit akademik në Fakultetin e Mjekësisë edhe duke qenë se Fakulteti i Mjekësisë është ndër të rrallët që ka nga dy e më shumë profesorë në një lëndë, luks që nuk e kanë fakultetet tjera për shkak të kostove financiare.

ORCA i bën thirrje institucioneve, sidomos Këshillit Drejtues të UP-së që të rrisë transparencën. Është e papranueshme që për çdo udhëzim administrativ, çdo ligj, çdo nismë ligjore të institucioneve të Kosovës përfshihen aktorët kryesorë të fushës ku propozohen nisma ligjore, ndërkohë në UP, ende sikurse në kohë kur transparenca ishte nocion i munguar, dalin rregullore që kanë implikime financiare e implikime organizative pa u konsultuar hisedarët, madje as ata që i prek drejtpërdrejt ndryshimi.

 Praktika e Qeverisë dhe ministrive të saj që përfshin të gjithë hisedarët nëpër nismat e veta ligjore duhet të jetë obligative edhe për institucionet tjera publike. Universiteti i Prishtinës ka autonomi në çështje akademike të cilën ORCA e mbron me devotshmëri, por nuk ka autonomi në veprimtari të dyshimta siç janë kontrabandimet e tilla.

ORCA i bën thirrje eksponentëve të lidhur me pushtetin që janë shpërndarë në institucione tjera publike që të mos thirren në emrin e Kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së Kosovës për të shtyrë përpara agjenda personale të përfitimit material e akademik dhe i kërkon Universitetit të Prishtinës dhe fakulteteve të tij, të mos u binden asnjëherë kërkesave të tilla.

Universiteti i Prishtinës është dhe duhet të mbetet autonom në çështjet akademike, por po ashtu duhet të jetë i hapur e transparent, gjithsesi llogaridhënës ndaj publikut pasi shumica dërrmuese e fondeve të tij janë para publike të taksapaguesve të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 nëntor 2022

- Iniciative për Drejtësi dhe Barazi INJECT dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet IKS organizojnë diskutimin publik për iniciativat e reja ligjore për Mbrojtjen e Grave. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Kosova Women 4 Women  në bashkëpunim me Departamentin e Punës Sociale të Universitetit të Prishtinës organizon konferencën "Politikat në veprim kundër dhunës në baza gjinore". (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi raporton para Komisionit për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë shqyrton kërkesën për shtim të mjeteve buxhetore për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë në Projektligjin për Buxhet për vitin 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me Fabian Salvioli raportues special i OKB-së për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive për mospërsëritje të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Agjencia e Punësimit në bashkëpunim me GIZ Kosova, Universitetin e Prishtinës dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare organizojnë ceremoninë e hapjes së edicionit të shtatë të Panairit Kombëtar të Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë. (Salla “1 Tetori”, ora 10:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton raportet lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore organizon edicionin e dytë të Forumit të OZhQ-ve me titull ‘Koordinimi në mes të nivelit lokal dhe qendror të qeverisjes për zbatimin e Agjendës 2030'. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon konsultimin publik me qytetarë për planin e Mobilitetit Urban në Rahovec. (Hotel Park Plaza, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, nga fushëveprimi që mbulon Komisioni për Legjislacion. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve mban Kuvendin e VIII Zgjedhor Qendror. (Hotel Amazona, ora 11:00)

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit​ të Republikës së Kosovës në të cilën do të paraqitet në interpelancë me kryeministrin, Albin Kurti për çështjen: "Masat urgjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport mesituatën e krijuar në vend". (Kuvendi i Kosovës, ora 11:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci do të vizitojnë Komunën e Kamenicës me ç ‘rast do të​ takohen me Kryetarin, Kadri Rahimaj. (Komuna e Kamenicës, ora 12:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci do të vizitojnë Shkollën Fillore të Mesme të Ulët, "Xhavit Ahmeti" në fshatin Hodonoc, Komuna e Kamenicës. (Objekti i Shkollës në fshatin Hodonoc, ora 13:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KQZ-së, ora 14:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci do të jenë afër grave që udhëheqin biznese, znj. Ibadete Sadiku, znj. Kadrije Mustafa dhe znj. Emine Kërhanaj. (Kamenicë, ora 15:00)