22 Maj 2019

ORCA demaskon "supermenët" e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike

Prishtinë, 8 maj - Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) vitin e kaluar ka denoncuar 8 profesorë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të cilët u avancuan në titullin e profesorit të rregullt, titullin më të lartë akademik në vendin tonë.

ORCA pati argumentuar se punimet që janë marrë parasysh për avancimin e tyre nuk janë të publikuara në revista kredibile pasi të 8 profesorët kishin publikuar nga 7 deri në 19 punime brenda një periudhe 1 vjeçare e gjysmë.

Kjo gjë sipas ORCA-se është e pamundur, nëse për asgjë tjetër atëherë për faktin e thjeshtë se një profesor i inxhinierisë mekanike në Norvegji arrin të publikojë 0.96 punime në vit, pra as një punim të plotë. Për këtë arsye ne vendosëm t’i konsiderojmë supermenë profesorët tanë dhe ashtu i quajtëm sa herë që folëm për ta.

Shumica e këtyre punimeve janë publikuar në dy revista për të cilat ORCA pati dyshime sapo pa raportet e vlerësimit të profesorëve.

Pas një analize profesionale, të ndihmuar edhe nga eksperti me famë botërore Jeffrey Beall, ORCA erdhi në përfundim që revistat ndjekin praktika të dyshimta.

Më 6 korrik 2018 ORCA ka zhvilluar komunikimin e parë me SCOPUS ku ka ngritur dyshimet për revistat duke dërguar analizën e bërë edhe me ndihmën e ekspertit Beall. 

Më 16 korrik 2018 SCOPUS ka njoftuar ORCA-n se kërkesa e ORCA-s për rivlerësim të revistave do të zbatohet.

Më 19 korrik 2018 ORCA ka organizuar aksion publik simbolik para Rektoratit të UP-së përmes të cilit i bën thirrje Senatit të mos i avancojë kandidatët nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike. Po ashtu, ORCA ka njoftuar në mënyrë formale senatorët e UP-së me detajet e analizave për revistat në fjalë.

Megjithatë, më 23 korrik 2018, Senati avancon 8 profesorët e rregullt të denoncuar nga ORCA.

Më 13 gusht 2018 SCOPUS njofton ORCA-n se revistat zyrtarisht dhe formalisht janë futur në rivlerësim.

Ndërkohë më 26 nëntor 2018 ORCA ka përfunduar investigimet shtesë për të gjitha punimet e profesorëve të denoncuar dhe ka formuar këtë dosje masive prej 492 faqesh që i është dërguar Këshillit të Etikës. Në këtë dosje bëhet e qartë se në 36 punimet e 8 profesorëve së bashku, ka kopjim pa citim apo referencim, gabime drejtshkrimore e gramatikore, si dhe paraqitje të të njëjtës përmbajtje me dy tituj si dy punime të ndryshme.

Argumenti kryesor i profesorëve të denoncuar ishte se ata kishin përmbushur kriteret formale, pra ata argumentonin se revistat përmbushnin kriteret e kërkuara me ligjet në fuqi pasi ato ishin të indeksuara në platformën SCOPUS. Gjithçka tjetër ishte fjala jonë kundër fjalës së tyre deri para disa javësh, pra më datën 23 prill 2019, kur SCOPUS njofton ORCA-n se revistat nuk janë më pjesë e indeksimit për vitin 2019 e tutje.

Në njoftim thuhet: publikuesi është informuar se mbulimi i SCOPUS për të dy titujt nuk vazhdon për vitin 2019 e tutje. Po ashtu vendimi nga Bordi Këshillëdhënës për Përzgjedhjen e Përmbajtjes i SCOPUS do të jetë final dhe nuk do të rishikohet.

Vlerësimi i Scopus për marrjen e vendimit për t'i hequr nga lista për vitin 2019 këto dy revista shkencore është mbështetur në vlerësimin për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2017/2018, kur edhe kanë publikuar e kur janë avancuar 8 profesorët e FIM.

Tashmë mund të thuhet përtej çdo dyshimi të bazuar se:

Ahmet Shala – Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, profesor dhe senator në UP

Ramë Likaj – Këshilltar për arsim i kryeministrit aktual, profesor dhe senator në UP
Azem Kyçyku – profesor në UP
Mirlind Bruçi – profesor në UP
Naser Lajqi – profesor në UP
Nexhat Qehaja – profesor në UP
Rexhep Selimaj – profesor në UP
Xhevat Berisha – profesor në UP

Janë avancuar në mënyrë jomeritore në titullin e profesorit të rregullt me çka kanë fituar kontratë të përhershme pune dhe nuk i detyrohen më asgjë Universitetit në raport me punën e tyre akademike.

Sot mund të themi pa asnjë hezitim, se supermenë nuk ka, ka veç profesorë jomeritorë.

Prandaj, pas fakteve të sjella sot, ORCA pret nga Këshilli i Etikës që t’i rekomandojë Senatit heqjen e titujve të fituar dhe marrjen e masave disiplinore ndaj të avancuarve jomeritorë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 maj 2019 - Ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Fatmir Matoshi, do të pres në takim ministrin e Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi, me të cilin do të diskutojnë mbi bashkëpunimin mes dy ministrive në fushën e mjedisit. (Kabineti i ministrit Matoshi, ora 9:00)

- Mbahet takimi i Grupit të Vecantë për Reformën e Administratës Publike GVRAP. (Ministrinë e Administratës Publike, salla e takimeve kati 18, ora 9:30)

- Instituti për Politikë të Jashtme të Kosovës organizon konferencën 'Politika e jashtme e Kosovës në këndvështrim shkencor'. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Shoqata e Inovacionit Financiar mban konferencë për media në të cilën prezanton aktivitetet e shoqatës. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, do të takohet me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, i cili do të jetë i shoqëruar nga  kryetarët e Bashkive të Vlorës dhe Himarës, përkatësisht Dritan Leli dhe Jorgo Goro, si dhe nga një grup operatorësh turistikë. (Ndërtesa e Ministrisë së Tregtisë, ora 10:30)

- Shefi i Komandës së Bashkuar të  Aleancës në Napoli, admiralit James Foggo viziton Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. (Ministria e Mbrojtjes, ora 11:15)

- Grupi i asambleistëve të Prishtinës, mbajnë konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 11:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mban dëgjim publik për Projektligjin për Referendum. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 11:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkë organizim më MASHT, Universitetin e Prishtinës, komunën e Dragashit, OJQ- të mjedisore  do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit. (Kampingu “Limth”, në hapësirat e Parkut Kombëtar “Sharri”, komuna e Dragashit, ora 12:00)

- Në shenjë nderimi dhe respekti për të rënët dhe të gjithë ata që përjetuan masakrën në burgun e Dubravës më 1999 mbahet tubimi përkujtimor për shënimin e 20 vjetorit të kësaj masakre. (Hapësirat e burgut të Dubravës, ora 12:00)

- Zyra e Koordinatores Zhvillimore të OKB-së, së bashku me Komunën  e Obliliqit dhe Let’s do it Kosova organizojnë aktivitet të mbjelljes së fidanëve në Ditën Ndërkombëtare të Biodiverzitetit. (Banesat e Plemetinës në fshatin Plemetinë, Komuna e Obiliqit, ora 14:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës organizon Ditët e Kuvendit me qytetarët e Lipjanit. (Kuvendi Komunal i Lipjanit, orën 14:00)