04 Dhjetor 2020

ORCA: Avokatura shtetërore mungon në seanca gjyqësore

Prishtinë, 18 nëntor - ORCA sot ka publikuar “Raportin e monitorimit të Naric Kosova 2”, i cili është rezultat i monitorimit të Qendrës Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik-NARIC Kosova, si dhe Këshillit Shtetëror për Njohje, i cili funksionon në kuadër të kësaj qendre.

Qendra NARIC po përballet me mungesën e një databaze digjitale e cila do të mundësonte arkivimin e të dhënave për njohjet/barasvlerën e diplomave ndër vite, mungesën e një databaze interaktive e cila do të ofronte informata rreth sistemit të arsimit parauniversitar dhe të lartë në Kosovë, stafin e pamjaftueshëm, mungesën e rregullores për Këshillin Shtetëror për Njohje, lëndët pezull nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, si dhe më e rëndësishmja mungesën e një ligji të veçantë për këtë qendër.

Tashmë ka rast në të cilin Gjykata, shkalla e dytë e Apelit, si dhe ajo Supreme, kanë obliguar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, konkretisht Këshillin Shtetëror për Njohje, që të zbatojë vendimin për njohjen e diplomës së doktoratës së kandidatit, Fisnik Bytyqi i cili ka ushtruar padi. Rast ky i cili ka krijuar precedent për njohje të gradës së doktoratës edhe të këtyre shtatë personave të tjerë: Blerim Pushkolli, Valon Murtezaj, Bashkim Isufi, Besnik Skenderi, Nazmi Zeqiri, Arton Celina dhe Faruk Ahmeti.

Rast tjetër i padisë për mosnjohje të diplomës është edhe e kandidatit Emrush Thaçi, i cili në vitin 2016 kishte marr vendim negativ nga KShNj, sa i përket njohjes së gradës së doktoratës. Në tetor të vitit 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte nxjerrë një aktvendim të cilit thuhej se aprovohej si e bazuar kërkesëpadia e tij, anulohej vendimi i vitit 2016 dhe se çështja i kthehej në rishqyrtim Ministrisë së Arsimit. Por KShNj kishte rivendosur që të mos e njeh këtë gradë, bazuar në përgjigjen e marrë nga Ministria e Arsimit në shtetin përkatës, e cila ka deklaruar se nuk e njeh atë diplomë.

ORCA e konsideron si shqetësuese humbjen e rasteve gjyqësore, si pasojë e mungesës së Avokaturës së Shtetit në seanca gjyqësore në të cilat është e thirrur që të mbroj institucionin, në këtë rast Ministrinë e Arsimit. Problem tjetër janë edhe arsyetimet e vendimeve të kësaj qendre, e të cilat duhet shkruar nga zyra ligjore në Ministri, për shkak se në gjykata ato po konsiderohen si të mangëta bazuar në mungesën e sqarimit të bazës ligjore dhe faktike.

Aktualisht në proces janë 194 lëndë apo diploma pa përgjigje për njohje apo mosnjohje si pasojë e vonesave në përgjigje nga institucionet ku palët i kanë përfunduar studimet, apo nga qendrat ENIC/NARIC të shteteve përkatëse.

Problematike mbesin diplomat nga Shqipëria e të cilat janë 68 sosh, që nuk kanë marr ende ndonjë vendim për njohje apo mosnjohje dhe kjo po ndodhë kryesisht për shkak të përgjigjeve kontradiktore nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri (MASR) për diplomat e fituara në universitetet private atje apo për shkak të ndryshimit të përgjigjes nga negative në pozitive pa ndonjë arsyetim të bazuar.

Problem tjetër janë edhe diplomat që vijnë nga Maqedonia e Veriut, e që aktualisht janë pa ndonjë vendim 47 sosh, të gjitha këto për shkak të pajisjeve pa ndonjë kontrollë me diploma kryesisht të doktoratës.

Sipas të dhënave të grumbulluara nga kjo qendër, sa i përket validimit të diplomave të fituara brenda Kosovës me qëllim të përdorimit të tyre jashtë vendit, numri i aplikimeve është 70 për qind më i lartë se në vitet e kaluara, duke shënuar numrin prej 700 aplikimesh vetëm në muajin tetor të vitit 2020. Qytetarët e Kosovës të cilët po i validojnë këto diploma, për të shkuar jashtë Kosovës për vazhdim të studimeve janë rreth 30 për qind, ndërkaq ata të cilët po shkojnë për punësim janë rreth 70 për qind.

Në periudhën kohore janar-tetor të vitit 2020, janë marrë gjithsej 663 vendime nga Qendra Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik (NARIC Kosova), prej tyre, 288 janë nga Zyra e Qendrës NARIC, ndërsa 375 janë nga Këshilli Shtetëror për Njohje.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Dhjetor 2020 - Mbahet seanca fillestare për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamenti Special - krimet e rënda me c'rast avokati mbrojtës do te jep deklaratë për mediet pas seancës. (Gjykata Themelore në Prishtinë, ora 9:30)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti do të mbaj një takim virtual me presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Alexis Mourre dhe Drejtoreshën e Komisionit të Arbitrazhit për Evropë, Laetitia de Montalivet. (Takim virtual, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Emilja Redzepi, do të bëjnë nënshkrimin e kontratave me përfituesit e thirrjes për përkrahjen e OJQ-ve dhe individëve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:00)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime organizon aktivitetin “Tuneli i Fundit” në përkujtim të grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në pesë vitet e fundit në Kosovë, dita e dytë. (Përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton shkresën e Artan Qerkinit përfaqësues i Malcolm Simmons, ish kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, “Përgjigje në ftesën për të dëshmuar para Komisionit për Legjislacion” si dhe njoftohet me shkresën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Tomas Szunyong, për emërimin e Karin Hernmark Ahliny, Ambasador i Suedisë, anëtar i Bordit  Mbikëqyrës  të Agjencisë Kosovare për Verifikim dhe Krahasim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:15)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës Arban Abrashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit te Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Organizata Etea dhe Aleanca Franceze në Prishtinë me mbështetjen e Ambasadës Franceze do të mbajnë takimin e parë të huazimit të librave. (Tek objekti i Aleancës Franceze, ora 11:00)

- Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) mban konferencë për medie lidhur me një hetim ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e energjisë elektrike. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, ora 11:15)

- Kryetari i Delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë Veljko Odalovic do të mbajnë konferencë për media lidhur me varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. (Lokacioni i varrezës masive në Kizhevak  të Serbisë, ora 12:00)

- Shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarit N. M., i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, për veprën penale “vrasje e rëndë” pasi qe në  fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i pandehuri dyshohet që pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë - shufër metalike, godet bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtoren e Insitutit Hidrometeorologjik të Kosovës Letafete Latifi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë plotëson listën e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mban konferencë për media me rastin e dorëzimit të padisë për konflikt administrativ kundër vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji”. (Para Pallatit të Drejtësisë, ndërtesa A, ora 14:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla pret në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj ku pjesë e takimit do të jenë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. (Objekti i MPJD-së, ora 14:00)