28 Mars 2024

Norvegjia mbështet projektet arsimore në Mitrovicë

Mitrovicë, 20 korrik - Norvegjia ashtu sikur deri me tani do të vazhdoj të mbështes projektet që kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së jetës në Mitrovicë.

Këtë zotim e dha ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Brathu, gjatë një takimi që zhvilloi me kryetarin e komunës, Avni Kastrati.

Në këtë kontekst, u përmenden projektet që kanë të bëjnë me rritjen e hapësirës shkollore, duke pasur parasysh problemet që ka trashëguar Mitrovica në këtë drejtim.

Ambasadori theksoi se Norvegjia është e fokusuar në projektet që kanë të bëjnë me arsimin.

Lidhur me këtë, kryetari Kastrati, ka shtruar para ambasadorit dy projekte shkollore, të cilat ia ka vlerësuar si shumë të rëndësishme.

Ai ka përmendur nevojën për mbështetje për ndërtimin e shkollës së muzikës dhe ndërtimit të një shkolle pesë klasëshe në Kodrën e Minatorëve.   

Për shkollën e muzikës, tha se është një ndër shkollat më të njohura në rajonin e Mitrovicës që ka nxjerrë figura të shquara në fushën e muzikës.

“Është e vetmja shkollë e muzikës në rajonin tonë, prandaj nevoja është e madhe për ndërtimin e  një objekti të përshtatshëm për të”.

Ndërsa për shkollën në Kodrën e Minatorëve, kryetari Kastrati, tha se nxënësit e asaj lagjeje në veri mësojnë në një kontejner në kushte shumë të rënda.

“Nevoja është shumë e madhe të ndërtohet një shkollë në atë lagje të veriut edhe për shkak të rrethanave specifike”.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Agim Ppeci, drejtor i spitalit rajonal “Sami Haxhiberqiri”, i cili falënderoi ambasadorin norvegjez dhe nëpërmjet tij edhe qeverinë dhe qytetarët norvegjez për realizimin e projektit të spitalit.

“Është ndër projektet më të rëndësishme pas luftës, meqë ka krijuar kushte që edhe këtu të ofrohen shërbime mjekësore, të cilat kanë munguar për 13 vjet me radhë”.

Peci theksoi edhe rëndësinë që projekti i spitalit të përfundoj dhe për këtë kërkoj mbështetje prej ambasadorit norvegjez.

Ambasadori ka vlerësuar të gjitha këto projekte me rëndësi dhe është zotuar se do të angazhohet që të siguroj përkrahjen e Oslos për realizimin e tyre. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)