24 Prill 2024

Nis “Java e arsimit për të gjithë”

Prishtinë, 22 prill - Me rastin e fillimit fushatës globale “Java e arsimit për të gjithë”, e cila është aktivitet i shpallur nga UNESKO, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka pritur në një takim disa nxënës (përfaqësues të organizatës së të rinjve, përfaqësues të këshillit të nxënësve në të gjitha nivelet), dhe mësimdhënës.

Në këtë takim, janë diskutuar aspektet e cilësisë së mësuesve tanë, zhvillimit profesional të tyre, si dhe janë vlerësuar opinionet e nxënësve për reformat në mësimdhënie.

Ministri Buja, me këtë rast, shprehu kënaqësinë e tij për këtë takim me nxënës. Duke cituar temën e shpallur për këtë vit nga UNESKO që është: “Çdo fëmijë ka nevojë për një mësues”, ministri e zgjeroi duke thënë se edhe “çdo njeri ka nevojë për një mësues”.

“Ne si MAShT, jemi përpjekur dhe kurrë nuk ndalemi, për të realizuar atë që është më e mira, që të përgatisim mësues të mirë, mjekë, ingjinierë, ushtarakë...”, tha ministri Buja, i cili përmendi vendimin e vitit të kaluar për transformimin e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës.

“Jemi të bindur se duke e transformuar këtë fakultet do ta transformojmë edhe tërë UP-në, dhe jo vetëm atë. Do të përgatisim mësues të mirë, të shkolluar tamam siç kërkojnë përmasat e kohës së këtij shekulli. Kjo do ta realizojë synimin tonë “Kosova vend i dijes”. Dija është portëhapësja më e madhe për perspektivën tuaj dhe të vendit tonë”, tha ministri Buja. 

Ministri i Arsimit më pas bashkëbisedoi me nxënës dhe iu përgjigj shumë interesimeve të përfaqësuesve të nxënësve të Kosovës, të cilat kishin të bëjnë me Provimin e Maturës, sigurinë në shkolla, çështjen e teksteve për arsimin profesional, cilësinë e mësimdhënësve, etj.

Ministri Buja iu premtoi nxënësve se ministria që drejton ai, po kujdeset maksimalisht në mënyrë që ata të mos kenë asnjë brengë. Ai theksoi se proceset në arsim, janë procese që nuk mund të bëhen shumë shpejt. Por, ministri Buja përmendi kredinë e butë nga Austria për digjitalizimin e provimit të maturës dhe shndërrimin dalëngadalë të këtij provimi në provim të arritshmërisë, transformimin e Fakultetit të Edukimit, themelimin e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe shumë ndërmarrje të tjera për ngritjen e cilësisë në arsim.

Me këtë rast, ministri Buja iu dhuroi libra nxënësve pjesëmarrës në takim, ndërsa u  shpërnda fletëpalosja dedikuar kësaj jave, të cilën MAShT do ta shënojë më disa aktivitete.

Kësaj iniciative i është bashkangjitur edhe Kosova respektivisht MAShT-i që nga viti 2005, ku prej atëherë “Java e arsimit për të gjithë” është shënuar me aktivitete në përputhje me qëllimin e kësaj fushate me temën e përcaktuar nga UNESKO.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)