28 Mars 2024

Mosakreditimi si rrjedhojë e papërgjegjësisë, duhet të ndëshkohet

Prishtinë, 29 qershor - Pezullimi i 23 programeve të studimeve nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës (AKA) për Universitetin e Prishtinës është një tjetër dëshmi shqetësuese për situatën e rëndë në të cilën ndodhet institucioni më i madh arsimor në vend.

Siç thuhet në vendimin e Agjencisë “Pezullimi i akreditimit të këtyre programeve të studimit nënkupton që këto institucione nuk do të kenë të drejtë të regjistrojnë studentë të rinj për vitin e ardhshëm akademik 2017/18, deri në një vendim tjetër të KSHC-së së AKA-së.”

Ky vendim është marrë nga AKA pasi “ka analizuar gjendjen e stafit akademik të secilit institucion të arsimit të lartë dhe në mungesë të plotësimit të kritereve sipas legjislacionit në fuqi ka marrë vendim për pezullimin e akreditimit”.

I gjithë publiku kosovar është dëshmitar se profesorët, e në veçanti dekanët e UP-së, janë personat që marrin paga ndër më të lartat në vend nga fondet publike.

Por në anën tjetër, përveç raportimeve të ORCA-s dhe të medieve se nga ana e një pjese të madhe të profesorëve të UP-së ka një shkallë të lartë neglizhimi të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, vjen konkretizimi i kritikave edhe nga dy institucione publike: Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Agjencia e Akreditimit e Kosovës.

Këto institucione përmes raporteve dhe vendimeve të tyre kanë demaskuar edhe institucionalisht gjendjen në UP. Shqetësues mbetet fakti se asnjë masë nuk është marrë ndaj askujt.

Shpërfillja e detyrave dhe përgjegjësive të parapara me kontrata si dhe rehatimi në një praktikë të dëmshme institucionale për sa i përket avancimeve, të cilat janë luftuar dhe po luftohen efektivisht nga ORCA, kanë sjellë te situata që 23 programeve të UP-së t’u pezullohet akreditimi deri në një vendim tjetër.

Vendimi i AKA-së është demaskim institucional i punës së dobët dhe papërgjegjësisë të një pjese të konsiderueshme të stafit akademik të universitetit.

Ky demaskim vjen pasi ORCA në bashkëpunim me akterë të tjerë të shoqërisë civile dhe medieve, pamundësoi avancimet jomeritore që kanë qenë praktikë në UP. Pasi u bë i pamundshëm avancimi ilegal, doli në shesh situata reale, me ç’rast 23 programe humbin akreditimin.

ORCA pret nga të gjitha institucionet relevante e sidomos nga menaxhmenti i UP-së që të fillojë zbatimin e masave të ndëshkimit, aplikimit të kontrollit rigoroz për mbarëvajtjen e mësimit në UP dhe parandalimin e menjëhershëm të praktikave abuzuese nga stafi akademik, për të cilin ritheksojmë se kanë pagat nga më të lartat në vend të marra nga fondet publike.

Nga ana tjetër, ORCA vlerëson hapat e parë të rëndësishëm nga strukturat drejtuese të universitetit për zbatimin e rregullave për avancimet dhe për përtëritjen e meritokracisë akademike.

Gjithashtu, nuk mundet veçse të shprehë mirënjohje të thellë për ata profesorë që falë rezultateve të larta akademike dhe punës së palodhshme, kanë kontribuuar çdo ditë në shpëtimin e universitetit nga gremisja përfundimtare. Këta janë krenaria jonë e përbashkët dhe shpresa e arsimit të lartë në Kosovë.

Në anën tjetër ORCA i bën thirrje të gjithë kosovarëve të rinj që kanë kryer studimet jashtë vendit dhe që plotësojnë kriteret e Statutit të UP-së për pozita të ndryshme akademike, që të konkurrojnë në rastin e hapjes së konkurseve të reja pasi ORCA do të garantojë përpjekje maskimale për ta bërë të gjithë procesin transparent.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)