29 Mars 2024

Mitrovica, Skenderaj e Vushtrria mirëpresin studentët për punën praktike

Mitrovicë, 8 nëntor - Drejtuesit e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me drejtoritë e arsimit në Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri për organizimin e praktikës së studentëve të Fakultetit të Edukimit nëpër institucionet shkollore dhe parashkollore.

Përfitues nga kjo marrëveshje bashkëpunimi pritet të jenë studentët, stafi akademik, mësimdhënësit, nxënësit, prindërit etj.

Në marrëveshjen e cila u nënshkrua të enjten nga prorektori, Izet Zeqiri, si dhe drejtorët e drejtorive komunale të arsimit në Mitrovicë, Iset Beka, në Skenderaj, Bekim Latifi dhe Vushtrri, Afrim Namani, janë përcaktuar obligimet e secilit institucion.

Në bazë të marrëveshjes planifikohet që palët të bashkëpunojnë për organizimin e veprimtarive arsimore, konferenca, simpoziume etj.

Në bazë të marrëveshjes palët janë pajtuar që të bashkëpunojnë në zbatimin e komponentës së praktikës pedagogjike, e cila është e ndërlidhur me veprimtarinë e institucioneve përkatëse.

Në marrëveshje është specifikuar se shkollat fillore dhe të mesme të ulëta si dhe institucionet parashkollore, lejojnë studentët e Fakultetit të Edukimit, që të jenë pjesë e procesit mësimor përgjatë vitit shkollor.

Drejtuesit e Universitetit “Isa Boletini”, ata të Fakultetit të Edukimit dhe drejtorët e drejtorive të arsimit në Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri, u zotuan se do të angazhohen që ky bashkëpunim të jetë sa më i frytshëm në të mirë të studentëve dhe institucioneve.  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)