19 Prill 2024

Ministri Buja falënderon Suedinë për ndihmën e dhënë arsimit

Prishtinë, 14 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja,  priti sot ambasadoren e Suedisë në Kosovë, znj. Ingrid Johansson,  e cila shoqërohej nga znj. Maria Melbing, koordinatore e projektit SIDA – donacion i Suedisë për Kosovën. 

 

Temë e këtij takimi ishte shqyrtimi i  mundësive për bashkëpunim të mëtejmë dhe përgatitjet që duhet bërë për organizimin e një konference të përbashkët me donatorët  e që do të jetë organizim i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Arsimit.

Ministri Buja ka falënderuar ambasadoren Johansson për  ndihmën që Suedia ka dhënë për Kosovën, duke filluar që nga njohja e pavarësisë e më pastaj në zhvillimin institucional të vendit tonë me theks të veçantë sektorin e arsimit.

“Ne çmojmë shumë kontributin e SIDA-s suedeze në ngritjen e cilësisë në arsim,  duke konsideruar se përvojat tuaja janë ndër më të mirat. Arsimi është një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe ndihma juaj në këtë drejtim është më se e nevojshme”, tha ministri Buja.

Ambasadorja Johansson tha se vendi i saj prioritet të investimeve në Kosovë e ka sektorin e arsimit, por “në të ardhmen do të fokusohemi edhe në sektorin e ekonomisë  dhe fusha tjera zhvillimore. Ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunim dhe  sukseset e arritura, ndërkohë që do të insistojmë që donatorët të grumbullojnë mjetet  në një fond të përbashkët, i cili do të shfrytëzohej sipas prioriteteve  të Qeverisë  apo sektorëve të ndryshëm  zhvillimor“, tha znj.Johansson.

Ndërkaq, koordinatorja e projektit SIDA, znj.Melbing, theksoi nevojën e  bashkëpunimit  të MAShT me qëllim të organizimit të një konference të përbashkët me donatorët, e cila kryesisht do të ketë për qëllim koordinimin e donacioneve për Kosovën, shqyrtimin e buxhetit të Kosovës  dhe  ndihmën që duhet bërë sipas prioriteteve që ka përcaktuar Qeveria e Kosovës  përkatësisht Ministria e Arsimit dhe ministritë tjera. Ajo gjithashtu ofroi draftin e një Memorandumi të Bashkëpunimit, i cili  së shpejti do të  nënshkruhet nga MAShT, Ministria e Bujqësisë  dhe SIDA  Suedeze.

Ministri Buja u shpreh i gatshëm të ndihmojë në përgatitjen e konferencës së paralajmëruar, e cila do të mbahet në Mars këtij viti, njëherësh ka falënderuar  ambasadoren Johansson dhe koordinatoren  Melbing për angazhim dhe kontribut të veçantë  në ngritjen e kapaciteteve  institucionale të vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)