29 Mars 2024

Ministri Buja: Dita e Mësuesit është ditë magjike

Prishtinë, 7 mars - Ministri i Arsimit ka themeluar edhe çmimin “Shaban Jashari”, një çmim special për arsimin parauniversitar, i cili u nda këtë vit për herë të parë dhe do të jetë tradicional.

Mësimdhënësit e Kosovës, rreth 25 mijë sa janë, kanë kremtuar sot 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, e bashkë me ta edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), me ç’rast këtë ditë e ka shënuar me disa aktivitete.

Këtë ditë të veçantë të arsimit kosovar, ministri i Arsimit, Ramë Buja, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij e ka filluar me homazhe në varrezat e dëshmorëve në Prekaz, për t’u kthyer më pas në Prishtinë, në manifestimin qëndror, nga ku ministri Buja uroi të gjithë mësimdhënësit e Republikës së Kosovës dhe të gjithë mësimdhënësit shqiptar.

Në këtë manifestim, morën pjesë përfaqësues të institucioneve të arsimit, mësimdhënësës të shumtë, e poashtu edhe përfaqësues të familjes Jasharaj.

Ajo që e veqon këtë vit këtë festë të arsimit, është edhe 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Ministri Buja theksoi faktin se kjo ditë koinçidon edhe me shumë festa nga historia jonë, por edhe nga historia më e re e Kosovës, siç janë ditët e Epopesë së lavdishme të UÇK-së dhe “epopesë së veçantisë sonë, një familje legjendë dhe epope në vete, që nuk ka askund shembull në botë, familjes Jashari”.

Ministri theksoi se fakti që jemi tubuar për ta nderuar punën e arsimit në Kosovë, e arsimit gjithshqiptar, është madhështore.

Duke folur për historinë e kësaj dite, ministri Buja theksoi faktin se sot festohet 125 vjetori i Ditës së Mësuesit, që nisi me shkollën e parë shqipe në Korçë. “Dhe, krajatat tona nuk u ndalën. Kishim vështirësi të mëdha. Për dallim nga Shqipëria e sotme administrative, ne këtej kufirit kemi pasur vështirësi nga më të ndryshmet deri në rëniet heroike të mësuesve tanë. Epo, nuk ka akt më sublim!”, tha ministri dhe theksoi se në këtë drejtim një nga rëniet më heroike, ishte rënia e një udhëhqësi të mësimit dhe të luftës, Shaban Jasharit.

Ministri, poashtu, theksoi se arsimin e pavarësuam në vitin 1992 dhe sivjet shënuam 20 vjetorin e shkollës së pavarur dhe shkollave-shtëpi. “Kjo për ne ishte shumë e madhe. Janë pak vite, por janë vite të mëdha, të bujshme, të pasura të rritës sonë dhe pavarësimit tonë”.

Ndërsa, duke folur për atë që është arritur sot në arsim, ministri Buja theksoi se kemi 2 universitete publike dhe një tjetër në themelim, ndërsa tha se pretendojmë të kemi edhe tri të tjera, e poashtu kemi edhe 19 institucione të arsimit të lartë privat.

“Synim i yni është jo të shtojmë cilësi, por të rrisim cilësinë në mënyrë të pandalur. Ky është synim i yni, është synim i miqve tanë që do të na ndihmojnë për të na sjellë në pozicionin që të mos themi që jemi në Evropë vetëm fizikisht, por edhe me dije dhe ta materializojmë slloganin tonë - Kosovën e dijes. Nëse e realizojmë këtë, jemi realizuar plotësisht dhe kush ka mision të parë për këtë? Ju, të dashur mësues dhe mësuese. Askush tjetër më shumë se ju”, u shpreh ministri i Arsimit.

Ministri Buja, me këtë rast, ndau edhe mirënjohje për kontribut të veqantë në arsimin parauniversitar për 10 mësimdhënës, të cilët janë propozuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit.

Ndërsa, e veqanta e kësaj dite ishte se sot, për herë të parë, një mësuese nga Gjakova  mori shpërblimin special për arsimin parauniversitar “Shaban Jashari”, çmim ky i themeluar nga ministri Buja dhe i cili do të jetë tradicional. Këtë ]mim e ndau ministri Buja së bashku me Lulzim Jasharin, djali i komandantit legjendar Adem Jashari.

Me këtë rast, mësuesja që e mori këtë çmim Shkëndije Nagavci – Bokshi theksoi se ndjehet e privilegjuar që ka marrë këtë çmim të madh sepse mban emrin e një njeriu të madh, Shaban Jasharit. Ajo theksoi se ky privilegj i jep edhe një përgjegjësi më të madhe. “Poqëse do të më jepej rasti ta kisha edhe një jetë, prap mësuese do të isha”, theksoi ai për ta theksuar dashurinë për profesionin.

Ministri Buja, më pas, mori pjesë edhe në takimin letrar “Karvani i Trembëdhjetë i Shkrimtarëve për Fëmijë ‘Agim Deva’, i cili u mbajt në kolegjin Universium në Prishtinë, i cili është organizuar nga klubi i letrarëve “Ismail Kadare” të këtij kolegji për nder të Ditës së Mësuesit.

Ministri Buja e përshëndeti këtë nismë dhe i përgëzoi anëtarët e klubit që kanë vendosur ta ndërojnë me çmim shkrimtarin Mark Krasniqi në Ditën e Mësuesit – ditën e çmuar dhe magjike.

Të shpërblyerit me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit

Me çmimin special “Shaban Jashari” u shpërblye mësuesja nga Gjakova Shkëndije Nagavci-Bokshi.

Ndërsa, për kontribut të veçantë në fushën e arsimit, morën mirënjohje:

1.         Jëlldëzë Buçinca- Mitrovicë

2.         Isuf Krasniqi- Prishtinë

3.         Izet Krevanjeva- Kaçanik

4.         Behxhet Berisha- Suharekë

5.         Ibrahim Gashi- Malishevë

6.         Bukurie Gllareva- Drenas

7.         Emin Ramadani- Gjilan

8.         Jakup Hoti- Prizren

9.         Hana Kojiç - Pejë

10.       Ferhat Dervish - Prizren

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)