04 Dhjetor 2020

MEA dhe UP nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për mbrojtjen e mjedisit

Prishtinë, 16 nëntor - Me qëllim krijimin e bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” konkretisht Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti sot kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.

Institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij memorandumi do të bashkërendojnë aktivitetet për afirmimin e çështjeve aktuale në mbrojtjen e mjedisit dhe faunës, mbrojtjen e natyrës, ekspertizës dhe kërkimit shkencor për projekte mjedisore.

Me këtë rast ministri Kuçi tha se qëllimi i këtij memorandumi është të krijojë lidhje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjegjësisht Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës dhe ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. Sipas tij, bashkëpunimi ka për qëllim bashkërendimin e aktiviteteve për afirmimin e çështjeve aktuale në mbrojtjen e mjedisit dhe faunës, mbrojtjen e natyrës, ekspertizë dhe kërkim shkencor për projekte mjedisore.

“Sot kam kënaqësinë që si ministër së bashku me rektorin ta nënshkruajmë një marrëveshje e cila është iniciativë e hershme lidhur me çështjet që kanë të bëjmë me mbrojtjen e mjedisit dhe të ecim përpara. Këto kanë të bëjnë me kërkime të ndryshme shkencore, praktikës së studentëve të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës. Ndërsa rektorit i dëshiroj suksese në punën e tij sidomos, Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës në lëmit përkatës të mjedisit”, ka thënë ministri Kuçi.

Ndërsa, rektori Sahiti u shpreh se me nënshkrimin e këtij memorandumi, punimet në fushën e mjedisit do të kenë mundësi që të vihen në pah më shumë.

“Kam kënaqësinë që në cilësinë e rektorit të UP-së, të nënshkruaj këtë Memorandum Bashkëpunimi ku me zgjerimin e fushave dhe përgjegjësive të MEA-së na është hapur mundësi shtesë për bashkëpunim duke pas parasysh që fusha e mbrojtës se mjedisit është një ndër top temat sot jo vetëm në Kosovë por gjithandej. Me këtë marrëveshje do të kemi mundësinë që stafi i UP-së të jep një kontribut të çmueshëm me ekspertizën dhe analizat e tyre në mbrojtje të ambientit dhe faunës dhe  punimet të kenë rezultate”, shtoi rektori Sahiti.

Ndryshe, saktësisht, ky memorandum do të krijojë kushte të përgjithshme për bashkëpunimin dy palësh në sferën e arsimit dhe kërkimit në shërbim të bashkëpunimit në zhvillimin e moduleve dhe programeve mësimore në nivelin bachelor dhe master, realizimin e punës praktike për studentët në këto module dhe programe, shkëmbimet e përvojave, praktikave të mira, ekspertëve dhe literaturës përkatëse për zhvillimin institucional, me qëllim të avancimit të politikave në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor e veprimtarive shkencore dhe profesionale, ndikimi pozitiv në përafrimin e programeve të studimit me nevoja të tregut të punës e shumë veprimtari të tjera.

Për mbarëvajtjen e këtij memorandumi janë caktuar edhe koordinatorë nga ana e të dyja palëve ku do të monitorojnë dhe sigurojnë zbatimin e memorandumit në fjalë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Dhjetor 2020 - Mbahet seanca fillestare për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamenti Special - krimet e rënda me c'rast avokati mbrojtës do te jep deklaratë për mediet pas seancës. (Gjykata Themelore në Prishtinë, ora 9:30)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti do të mbaj një takim virtual me presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Alexis Mourre dhe Drejtoreshën e Komisionit të Arbitrazhit për Evropë, Laetitia de Montalivet. (Takim virtual, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Emilja Redzepi, do të bëjnë nënshkrimin e kontratave me përfituesit e thirrjes për përkrahjen e OJQ-ve dhe individëve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:00)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime organizon aktivitetin “Tuneli i Fundit” në përkujtim të grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në pesë vitet e fundit në Kosovë, dita e dytë. (Përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton shkresën e Artan Qerkinit përfaqësues i Malcolm Simmons, ish kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, “Përgjigje në ftesën për të dëshmuar para Komisionit për Legjislacion” si dhe njoftohet me shkresën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Tomas Szunyong, për emërimin e Karin Hernmark Ahliny, Ambasador i Suedisë, anëtar i Bordit  Mbikëqyrës  të Agjencisë Kosovare për Verifikim dhe Krahasim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:15)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës Arban Abrashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit te Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Organizata Etea dhe Aleanca Franceze në Prishtinë me mbështetjen e Ambasadës Franceze do të mbajnë takimin e parë të huazimit të librave. (Tek objekti i Aleancës Franceze, ora 11:00)

- Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) mban konferencë për medie lidhur me një hetim ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e energjisë elektrike. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, ora 11:15)

- Kryetari i Delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë Veljko Odalovic do të mbajnë konferencë për media lidhur me varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. (Lokacioni i varrezës masive në Kizhevak  të Serbisë, ora 12:00)

- Shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarit N. M., i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, për veprën penale “vrasje e rëndë” pasi qe në  fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i pandehuri dyshohet që pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë - shufër metalike, godet bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtoren e Insitutit Hidrometeorologjik të Kosovës Letafete Latifi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë plotëson listën e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mban konferencë për media me rastin e dorëzimit të padisë për konflikt administrativ kundër vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji”. (Para Pallatit të Drejtësisë, ndërtesa A, ora 14:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla pret në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj ku pjesë e takimit do të jenë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. (Objekti i MPJD-së, ora 14:00)