02 Korrik 2020

MASHT vendos që të mbahet Testi i Arritshmërisë për klasët e 9-ta

Prishtinë, 15 qershor - Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), ka organizuar sot një takim me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit dhe drejtorët e departamenteve të MASh, ku ka marrë pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj.

Ministri Likaj i njoftoi të pranishmit me dy vendimet që janë marrë për pezullimin e mësimit përgatitor për Test të Arritshmërisë në shkolla dhe organizimin e mësimit online (mësim në distanë) për maturantët, si përgatitje për Testin e Maturës.

Ministri theksoi se këto vendime janë marrë në bashkëpunim të ngushtë me MSh, IKShP dhe Kolegjiumin e Drejtorëve Komunalë të Arsimit, ndërsa theksoi se takimi i sotëm është ftuar me qëllim që të propozohen zgjidhje rreth mbajtjes së këtyre dy testeve, për shkak të rrezikshmërisë së përhapjes së infeksionit.

Po ashtu, ministri Likaj përmendi faktin se sot MSh ka bërë publik Manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19 dhe theksoi se të gjitha vendimet që mund të merren duhet t’i përshtaten kërkesave të reja që dalin nga ky Manual dhe koha deri data e mbajtjes së Testit të Arritshmërisë është shumë e shkurtër.

Megjithatë, drejtorët e DKA-ve kërkuan që të mbahet Testi i Arritshmërisë dhe me kërkesë tyre u vendos që ky test të mbahet, pasi që drejtorët u deklaruan se komunat i kanë mundësitë që të zbatojnë masat mbrojtëse të kërkuara nga institucionet kompetente.

Gjatë takimit, u diskutua edhe për përgatitjet që janë bërë për Testin e Maturës dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, megjithatë u konstatua se vendimet do të merren konform rrethanave pandemike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Korrik 2020 - Mbahet mbledhja e dytë e rregullt për vitin 2020 e Kuvendit të Komunës së Prizrenit. (Salla e Kuvendit të Komunës në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Inaugurohen zyrat të reja të Bankës Qendrore të Kosovës në të cilen do të merr pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. (Tek ish-zyrat e Komunës së Prishtinës që gjenden mes objektit të BQK-së dhe parkingut nëntokësor tek Hotel Grandi, ora 10:00)

- Nataliya Apostolova, Udhëheqëse e Zyrës së BE-së në Kosovë do t’i dorëzojë Ministrisë së Shëndetësisë 6,000 komplete testimi për COVID-19, 90 shtretër spitalorë, mbi 67,000 maska të frymëmarrjes dhe pajisje të tjera mjekësore në mbështetje të sistemit shëndetësor. (Live stream në facebook.com/EuropeanUnionInKosovo, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të vizitojë Komunën e Gjilanit ku do te takohet me kryetarin Lutfi Haziri. (Objekti i Komunës së Gjilanit, ora 10:30)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës se Gjilanit, Lutfi Haziri vizitojnë stadiumin e qytetit në Gjilan si dhe vendosin gur-themelin e stadiumit ndihmës. (Gjilan, ora 11:00)
 
- Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Iniciativa për Progres me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it, do të mbajnë konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti i monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik: “E drejta për ujë, peng i prokurimit: Analizë e tenderit maratonik për ujësjellës në Komunën e Dragashit”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, përfaqësuar nga Ambasada Britanike, nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit. (Holli i Kuvendit të Kosovës​, ora 12:00)

- SKOPI Studentor organizon aksion simbolik për të treguar realitetin e krijuar nga emërimet e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. (Para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, ora 12:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në nënshkrimin e Memorandum Bashkëpunimit me Ambasadën Britanike për pozitat e larta drejtuese. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- IKD dhe INPO mbajnë konferencë për medie, në të cilën do publikohet raporti i monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik “E drejta për ujë, peng i prokurimit”. (Hotel “Sirius”, ora 14:30)

- Me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka ftuar të gjithë gazetarët e sportit, në takim me për të diskutuar mbarëvatjen e sportit në vendin tonë si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet sporti dhe gazetarët sportivë. (Kabineti i Ministres së MKRS-së, ora 15:15)