11 Dhjetor 2018

MASHT e përkushtuar për nxitjen e diversitetit në shkolla

Prishtinë, 11 tetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në konferencën përmbyllëse  të projektit “Nxitja e kulturës demokratike dhe e diversitetit në shkollë”, projekt ky i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës.

Ky projekt është zbatuar në 20 shkolla pilote dhe përgjatë dy viteve kanë marrë pjesë rreth 200 përfaqësues, përfshirë drejtorë, mësimdhënës, prindër dhe pjesëmarrës të komuniteteve.

Ministri Bytyqi falënderoi BE-në dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen në këtë projekt që i ka kontribuar rritjes së cilësisë në shkollat tona. “Ky projekt i ka kushtuar një rol të rëndësishëm dhe të veçantë krijimit të një kulture demokratike dhe nxitjen e diversitetit nëpër shkollat tona, një çështje shumë e rëndësishme dhe një përpjekje shumë e madhe edhe e partnerëve tanë, por edhe e MAShT, që të kemi shkolla sa më të zhvilluara”.

Ministri Bytyqi përmendi faktin se në kuadër të këtij projekti është bërë edhe trajnimi i mësimdhënësve, me qëllim të mbështetjes së sistemit arsimor në Kosovë.

“Si rezultat i këtij projekti, janë rritur aftësitë e mësimdhënësve trajnerë për të ndihmuar dhe monitoruar proceset demokratike dhe gjithpërfshirëse në zhvillimin e shkollave”, tha ministri Bytyqi dhe theksoi se tash kur ky projekt po përfundon, trajnerët janë të gatshëm për t’u angazhuar në proceset konkrete të zhvillimit të shkollave dhe do të lehtësojnë zhvillimin e proceseve përmes dhënies së trajnimit në nivel vendor dhe rajonal për ekipet e shkollave të zgjedhura pilot të angazhuara ndaj proceseve të zhvillimit profesional.

“Ky projekt ka nxjerrë në pah që politikat, rregullat dhe praktikat shkollore duhet të hartohen në mënyrë të tillë që të ndalojnë dhe të parandalojnë diskriminimin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë”, tha ministri Bytyqi.

Ministri theksoi edhe rolin e prindërve në këtë proces dhe tha se prindi duhet të jetë gjithmonë pjesëmarrës në zgjidhjen e këtyre çështjeve, sepse ata janë edukatorët kryesorë të fëmijëve dhe e dinë më së miri se cilat janë kërkesat e fëmijëve të tyre për t’i zgjidhur problemet që paraqiten ndaj diskriminimeve të caktuara.

“Kur flasim për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve tanë, ne flasim për të ardhmen e Kosovës, andaj duhet të ketë një angazhim të përbashkët që vërtetë në shkollat tona të kemi një zhvillim gjithpërfshirës për fëmijët dhe krijimin e mundësive të barabarta duke mos lejuar diskriminimin për cilindo fëmijë, apo komunitet të caktuar”, tha ministri Bytyqi dhe theksoi se kështu do të kemi një sistem arsimor shumë më të zhvilluar dhe cilësi në arsim.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 dhjetor 2018 - Organi Shqyrtues i Prokurimit fillon me transmetim të drejtpërdrejtë “live stream” të sesioneve të tij, një hap ky në drejtim të një qasjeje më transparente nga ana e këtij institucioni. (Zyra e Organit Shqyrtues të Prokurimit, ish-Banka e Lubjanës, kati i 5-të, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë tryezën e diskutimit me temë “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin legjislativ”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Shoqata “Miqtë e Amerikës” dhe Komuna e Gjakoves hapin Librin e Zisë, në nderim të Presidentit George H.W. BUSH. (Pallati i Kulturës "Asim Vokshi" në Gjakovë, ora 10:00)

- Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të organizohet aksion pastrimi në Komunën e Rahovecit. (Rruga kryesore në fshatin Zaqisht të Rahovecit, ora 10:00)

- Shefi i Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, do të diskutojë me nxënësit e shkollave të mesme me temë "Të mbështesë ndryshimin kulturor: roli i gjeneratave të reja për formësimin e vlerave të së nesërmes".  (Kafiteria Dit' e Nat', ora 10:00)

- Kompania vendore 'Produktet Natyrale të Kosovës' organizon ceremoninë e inaugurimit të linjës së re me teknologji të avancuar për përpunimin e farave të kungullit. (Fabrika 'Produktet Natyrale të Kosovës' në fshatin Loxhë në Pejë, ora 11:00)

- Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës të mbajë konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve të sektorit privat. (Zyret te BSPK, së ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon ngjarjen vjetore të shpërblimeve në kuadër të projektit “Leja prindërore për barazi gjinore” që financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze. (Libraria Dukagjini, ora 11:00)

- Mbahet tryeza në të cilën do të diskutohet për pakon ligjore kundër korrupsionit, si dhe për punën e institucioneve të drejtësisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C-405, ora 11:00)

- Asociacioni i Arkitektektëve të Kosovës dhe Komunës së Gjilanit bën prezantimin e “Bienales së Arkitekturës 2018”, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit dhe arkitektët në nivel Kosove dhe ata regjional. (Gjilan, ora 13:00)

- Instituti për Politika Zhvillimore organizon konferencën për shtyp me temë “Standardizimi i produkteve vendore: Shpërndarja dhe shitja e standardeve. (Resource Center Kosovo, në lagjen Pejton, në zyre të Forumit për Iniciativa Qytetare, ora 13:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të organizoj tryezen e diskutimit me temë “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin ekzekutiv”. (Hotel Sirius, ora 14:00)

- Partia Socialdemokrate mban konferencë për media lidhur me çështjen e dialogut me Serbinë, për të cilën do të flasin nënkryetarët Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani. (Zyrat e PSD-së, në lagjen "Arbëria", ora 14:00)

- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në prag të përfundimit të vitit 2018, organizon ngjarjen vjetore për shënimin e të arriturave në vetëqeverisjen lokale në Kosovë si dhe të prezantojë orientimet për vitin e ardhshëm. (Sheshi 21, ora 18:00)