25 Prill 2024

LDK: Buxheti diskriminon arsimin në komunat që nuk i udhëheq PDK

Prishtinë, 13 nëntor - Nga analiza që ka bërë Këshilli i Ekspertëve i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), del se shpërndarja e buxhetit në fushën e arsimit nga viti 2010 e këndej ka qenë tepër diskriminuese, meqë investimet janë përqendruar te komunat që udhëheq PDK-ja dhe, për fat të keq, kjo praktikë diskriminuese duket edhe te draft-buxheti për vitin 2013.

Gjatë periudhës 2010-2013, në komunat që udhëhiqen nga PDK-ja është investuar mesatarisht dy herë më shumë në arsim për kokë banori se në komunat që udhëhiqen nga LDK-ja.

Për shembull, në vitin 2012 është investuar 11 euro për kokë banori në komunat që udhëhiqen nga PDK-ja, ndërsa vetëm 6 euro për kokë banori në komunat që udhëhiqen nga LDK-ja dhe 7 euro për kokë banori në komunat që udhëhiqen nga AAK-ja.

Këto dallime sipas LDK-së kanë dalë në pah prej se kjo qeveri është në pushtet. Si rrjedhim, në disa komuna të vogla që dominohen nga zonat rurale dhe që udhëhiqen nga PDK-ja, shumë shkolla të ndërtuara në tri vitet e fundit kanë mbetur të zbrazëta për mungesë të nxënësve.

Në ndërkohë, në kryeqytet ka shkolla me më shumë se 50 nxënës për klasë, pavarësisht investimeve të që ka bërë Komuna e Prishtinës.

LDK vlerëson se këto dallime bëhen edhe më të mëdha nëse analizohen këto investime nëpër komuna veç e veç. Figura 2 në vijim paraqet këto investime për kokë banori në secilën komunë për periudhën 2010-2013 (për vitin 2013 është marrë draft-buxheti).

"Investimet arsim në Skënderaj për kokë banori janë 20 herë më të larta se në kryeqytet, ku numri i nxënësve dhe presioni për tu regjistruar në shkolla është jashtëzakonisht i madh. Brenda kësaj periudhe, në Skënderaj është investuar 230 euro për kokë banori, krahasuar me vetëm 12 euro në Prishtinë", thuhet në reagimin e LDK-së.

Në Prishtinë komuna ka ndërtuar numër të madh shkollash, por numri i nxënësve për klasë vazhdon të jetë i lartë edhe për një arsye tjetër. Sipas ligjit, pas ndërtimit të një shkolle, vendimet për themelimin e tyre e lëshon Ministria e Arsimit.

Në disa raste në Prishtinë, Ministria e Arsimit ka lëshuar vendimet e tilla me kusht që mos të ketë asnjë implikim financiar. Si rrjedhojë, shkollat e reja vazhdojnë të jenë të stërmbushur me shumë nxënës për paralele, pasi nuk mund të punësohen arsimtarë shtesë për të ulur numrin e nxënësve për paralele.

Insistimi i Ministrisë së Arsimit që vetë të menaxhojë me ndërtimin e infrastrukturës shkollore është në kundërshtim me Ligjin për Arsimin në Komuna. Ky ligj specifikon se të gjitha investimet në arsimin parauniversitar duhet bërë nga komunat. Nëse në një komunë ka nevojë të ndërtohet një shkollë, atëherë fondet duhet të barten në komunë dhe komuna të merret me ndërtimin e saj.

Lidhja Demokratike e Kosovës i bën  thirrje Qeverisë që të ndërpresë diskriminimet dhe që të mirat e përbashkëta t’i shpërndajë në bazë të nevojave dhe të planifikimeve normale.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që të kihen parasysh nevojat e mëdha që kanë qendrat e mëdha për investime kapitale në arsim. Vetëm investimet e duhura do të ndikojnë në rritjen e cilësisë, që është synimi themelor i politikave të arsimit në çdo vend.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)