20 Janar 2020

Lansohet Instrumenti për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta

Prishtinë, 9 dhjetor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), me mbështetje të Save the Children, ka lansuar sot Instrumentet për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë.

Këto instrumente janë hartuar nga MAShT në bashkëpunim me grupin punues, të përbërë nga anëtarë të ekipeve vlerësuese komunale, të udhëhequr nga profesorë të Universitetit të Bolonjës dhe Universitetit të Padovës.

Të pranishmit i përshëndeti këshilltari i Ministrit, Fatmir Bytyqi, i cili ndër të tjera tha se, arsimimi i fëmijëve me nevoja të veçanta është sfidë e përgjithshme, ndërsa theksoi se MAShT angazhohet në mënyrë të vazhdueshme që të sigurojë çasje në arsim për të gjithë, e veçanërisht që të ofrojë arsimim adekuat për fëmijët me nevoja të veçanta.

Ai falënderoi profesorët e Universitetit të Bolonjës dhe atij të Padovës për mbështetje shkencore në realizimin e këtij projekti.

Për rëndësinë e arsimimit të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe mbështetjen e Save the Children në këtë drejtim, foli drejtori i kësaj organizate, Ahmet Kryeziu. Ndërsa, udhëheqësi i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu, e vlerësoi angazhimin e MAShT dhe partnerëve për hartimin e këtyre instrumenteve, të cilat e lehtësojnë punën në arsimimin e këtyre fëmijëve. 

Instrumentet e zhvilluara kanë për bazë modelin bio-psiko-social të Klasifikimit Ndërkombëtar të Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit - Versioni për Fëmijë dhe të Rinj (ICF-CY).

 Përmes këtyre instrumenteve, MASHT synon që të lehtësojë punën e Ekipeve Vlerësuese komunale në vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe të fuqizojë bashkëpunimin mes mësimdhënësve dhe ekipit vlerësues në nivel komunal.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 janar 2020

- Me rastin e 14-vjetorit të vdekjes së Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova bëjnë homazhe te varri i tij. (Velani, ora 10:30) 

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj bën homazhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në përvjetorin e vdekjes së tij. (Velani, ora 10:30)

- Anëtarë të Kryesisë së Lidhjes Demokratike vizitojnë Familjen Rugova. (Velani, ora 10:45)

- Qendra e Lëvizjes në Prishtinë mban konferencë për media në lidhje me projektet e ndërtimit në Liqenin e Badovcit. (Qendra e Lëvizjes në Prishtinë, ora 11:00)

- Prokuroria Themelore në Prizren mban konferencë për media ku do të prezantohet raporti i punës për vitin 2019 dhe objektivat e kësaj prokurorie për vitin 2020. (Zyra e Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Prizren, rruga William Walker, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës organizon Akademi Përkujtimore për Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova. (Hotel Emerald, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë të Lidhjes Demokratike e Kosovës. (Selia e LDK-së, ora 14:00)

- Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij, CHwB Kosova organizon prezantimin e librit "Qyteti në Miniaturë". (Shkolla speciale për të verbër në Pejë, ora 14:00)