29 Mars 2024

Komuna e Klinës ndan mirënjohje dhe libra për nxënës e arsimtarë të dalluar

Prishtinë, 7 mars - Me rastin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit, Drejtoria Komunale e Arsimit në Klinë, ka organizuar ceremoni, ku janë nderuar me mirënjohje dhe libra nxënës e arsimtarë të dalluar dhe ata punëtor arsimor që janë pensionuar në mes të dy festave.

Fillimisht, zyrtarët e Komunës së Klinës, kanë nderuar me homazhe dhe kurora lulesh pranë bustit të tij, ish- punëtorin shumëvjeçar të arsimit dhe kryetarin e parë të Klinës pas luftës, Ismet Rracin.

Në ceremonine e mbajtur në Sallën e Kuvendit të Komunës, në të cilën kanë marrë pjesë nxënës, arsimtarë dhe prindër, Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka uruar gjithë punëtorët arsimorë për këtë festë dhe ka thënë se, kur përkujtojmë këtë ditë të veçantë për arsimin shqip, ngjallim nderimin dhe respektin për të gjithë ata pishtarë të dijes dhe të diturisë, të cilët që nga kohërat e hershme hapen shkollat shqipe dhe me punën e tyre sublime ruajtën frymën kombëtare të arsimit shqip në Kosovë.

“Rruga historike e arsimit shqip, është rrugë e sakrificës së madhe të të gjithë pishtarëve të arsimit, shumë prej tyre edhe kanë rënë në këtë rrugëtim të shkronjave shqipe, duke e ngritur nga një altar në shërbim të popullit dhe të atdheut. Me punën e tyre sublime plejada të tërë mësuesish, ruajtën frymën kombëtare të arsimit shqip”, tha kryetari Elezaj.

Kurse, Drejtori i Arsimit, Arben Limani, foli për historikun e shkollës shqipe, duke përmendur sakrificën e madhe që kanë bërë gjenerata të tëra për mbijetesën e arsimit shqip.

“Rruga nëpër të cilën kaloi shkolla shqipe ishte përplot me vuajtje dhe sakrifica. Mësuesit e shkollës shqipe gjatë gjithë historisë së dhimbshme që kaloi kombi ynë, ishin cak i përndjekjes, maltretimit, helmimit dhe likuidimit. Por, edhe pas gjithë kësaj, arsimi shqip i mbijetoi furtunave."

"Populli shqiptar krahas luftës për pavarësi, gjithmonë ka ruajtur dashurinë e madhe për shkollën shqipe. Ju jemi mirënjohës dhe përkulemi për punën dhe angazhimin tuaj”, tha Limani, duke shprehur mirënjohje të thellë për kontributin e mësimdhënësve në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)