18 Prill 2024

Komisioni i Maturës shpalosi përgatitjet për provimin e maturës

Prishtinë, 8 qershor - Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës ka shpalur përgatitjet e bëra rreth provimit “Matura Shtetërore 2012”, të cilit maturantët do ti nënshtrohen dy ditë në një afat, më 9 dhe 23 qershor.

Kryetari i KQSHM-së dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa ka bërë të ditur se provimi do të mbahet nesër në ora 10:00, ndërkohë që numri i maturantëve të cilët këtë vit do ti nënshtrohen provimit arrin shifrën rreth 32 mijë.

Kryetari i KQSHM-së, Mustafa po ashtu ka thënë se nesër maturantët do të sprovojnë dijet e tyre në lëndët e përgjithshme: gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë, të cilat përfshijnë gjashtëdhjetë për qind të totalit të pyetjeve, ndërsa në ditën e dytë të testimit ata do të përgjigjen në pyetjet nga lëndët që janë të përafërta me drejtimet që i kanë ndjekur gjatë shkollimit të mesëm dhe që përbëjnë dyzet për qind të pyetjeve.

Duke folur për mënyrën e organizmit të provimit dhe ndryshimet të cilat janë bërë këtë vit, Mustafa ka thënë se ato kanë kaluar nëpër një debat konstruktiv që është zhvilluar  me Drejtoritë Komunale të Arsimit, mësimdhënësit, nxënësit dhe faktorët tjerë të rëndësishëm në këtë proces, duke marrë parasysh edhe rekomandimet e nxjerra nga konferenca dy ditore që është mbajtur në nëntor të vitit të kaluar me moton “Vizioni për Maturën 2015 në Kosovë”.

Mustafa po ashtu ka theksuar se, roli i monitoruesve nga Universiteti i Prishtinës këtë vit do të ketë fuqi  më të madhe në rekomandimet e tyre, duke bërë që nëse në një qendër të caktuar monitoruesit e UP-së sugjerojnë që të bëhet anulimi rezultateve dhe sjellin fakte për atë sugjerim, atëherë KQSHM pasi të shqyrtoj faktet do të përfill sugjerimet e tyre për anulim të rezultatit, kjo është për faktin se këtë vit në shtatë njësi akademike nuk do të ketë provim pranues, por pranimi i tyre do të bëhet duke u bazuar në suksesin e shkollës së mesme dhe rezultatin e testit të maturës.

Më tej, Mustafa ka bërë të ditur se të gjitha pyetjet e përfshira në test janë pjesë e plan- programeve dhe se këtë vit nuk do të ketë përsëritje të testit të maturës.

Mbajtja e provimit të maturës në dy ditë ka rritur edhe numrin e mbikëqyrësve të këtij procesi, duke bërë që 260 administrues, 900 komisionerë dhe 300 monitorues nga Universiteti i Prishtinës të jenë të angazhuar në mbarëvajtjen e tij. Publikimi i rezultateve të provimit do të bëhet më 30 qershor, afati i ankesave të nxënësve do të jetë nga 2-4 korrik, ndërkaq publikimi i rezultateve të ankesave do të bëhet më 5 korrik.

Njësitë akademike të cilat këtë vit do të bëjnë pranimin e studentëve pa provim pranues janë:Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Fakulteti i Shkencave Matematiko- Natyrore, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Gjeoshkencës dhe Teknologjisë, si dhe Fakultetet e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Pejë.

Pas përfundimit të konferencës me gazetarë, kryetari i KQSHM-së, Muatafa ka mbajtur një takim me zyrtarë të MASHT-it me të cilët ka biseduar për organizmin e testit, me ç’ rast i ka porositur ata që të jenë të përpiktë në menaxhimin e këtij procesi të rëndësishëm arsimor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)