19 Prill 2024

Kolegjet e politikanëve

Prishtinë, 16 prill - Kolegjet private po i mbajnë dyert e hapura për politikanët me ndikim kosovarë. Prokurorë, ministra, deputetë, kryetarë komunash vazhdojnë “t’i mësojnë” studentët e këtyre kolegjeve, pavarësisht angazhimeve të shumta që i kanë në kuadër të institucioneve shtetërore.

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se disa politikanë kosovarë janë aksionarë në këto shkolla private, nga të cilat krijojnë të hyra milionëshe.

Njëkohësisht, familjarët e pushtetarëve punësohen të parët në këto kolegje, pavarësisht se i përmbushin kriteret e nevojshme akademike, apo jo.

Në Kolegjin “Fama” që disa vjet është punësuar bashkëshortja e kryeministrit, Hashim Thaçi, Lumnije Thaçi, e cila paguhet rreth 18,000 mijë euro në vit, po aq sa paguhet i pari i Qeverisë në vend nga buxheti i shtetit.

Lideri i opozitës, përkatësisht kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, është aksionar me 6 për qind në kolegjin privat “Riinvest”, nga i cili ka deklaruar se përfiton rreth 8000 euro në vit.

Mustafa, përpos pozitës se kryetarit nga e cila përfiton rreth 12 mijë e 600 euro në vit, ai njëkohësisht vazhdon të jetë edhe më tutje ligjërues i rregullt në Universitetin e Prishtinës, edhe pse një gjë të tillë ia ndalon ligji në fuqi.

Mustafa në Agjencinë Kundër Korrupsionit po ashtu ka deklaruar se si ligjërues në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku merr 9500 euro në vit.

Ndërkaq si anëtar me korrespodencë i Akademisë së Shkencave merr hiç më pak se 4500 euro.I pari i Komunës së Prishtinës merr edhe një honorar modest prej 1500 euro në vit prej shtëpisë botuese “Libri Shkollor”.

I kyçur në biznesin e shkollave private, është edhe ministri aktual i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i cili ka në pronësi të familjarëve të tij kolegjin “Cambridge” në Pejë. Ministri Beqaj ka deklaruar se nga puna si konsultant që bën në këtë kolegj brenda një viti merr 18 mijë euro, apo rreth 4 mijë euro më shume se paga e ministrit.

Po ashtu, Beqaj është i angazhuar edhe si profesor në Universitetin e Prishtinës, ku brenda vitit merr hiç më pak se 6000 euro. Ai figuron edhe në listën e mësimdhënësve në Kolegjin “Fama”, ndonëse në Agjencinë Kundër Korrupsionit nuk ka deklaruar se ka të ardhura nga ky kolegj.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja, dhe ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, të cilët vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës në pushtet, janë edhe ligjërues në kolegjet private edhe anëtarë të kabinetit të kryeministrit, Hashim Thaçi.

Ministri Ramë Buja ligjëron në Kolegjin “AAB” lëndën e Sistemeve Politike për studentët e programit Master, në degën e Komunikimit Masiv, ndërsa ministri Stavileci punon me honorar në Kolegjin “Iliria” në Prishtinë.

Deputetët “supermenë”

Edhe një pjesë tjetër e konsiderueshme e qeveritarëve, por edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të jenë të angazhuara si mësimdhënës në këto shkolla.

Deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK) të Kosovës, Afërdita Berisha – Shaqiri, përpos pagës mujore prej 1,488.00 është e angazhuar edhe si profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, nga i cili merr 800 euro në muaj, si dhe profesoreshë me honorar në Kolegjin e Biznesin, ku për çdo orë mësimi paguhet 40 euro.

Edhe deputeti tjetër i LDK-së, Arben Gashi, vazhdon t’i mbajë dy punë dhe t’i marrë dy paga. Gashi nga Kuvendi i Kosovës merr 22,831.00 euro në vit. Ndërkaq si mësimdhënës në kolegjin privat “AAB” ka deklaruar se merr nga 500 euro në muaj.

Behar Selimi, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin e Kosovës, vazhdon të jetë i angazhuar si mësimdhënës në dy kolegje private në vend. Selimi nga kolegji “Dardania” ka deklaruar se merr rreth 2000 euro. Ndërkaq, nga kolegji “UBT” rreth 3000 euro.Po ashtu, tri punë edhe më tutje vazhdon t’i mbajë edhe deputeti tjetër i LDK-së, Haki Demolli. Ai përpos kësaj edhe më tej vazhdon të jenë i angazhuar si mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës dhe në kolegjin privat “Dardania”.

Pa përfitime nga ligjërimet në universitete nuk ka mbetur as deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani. Ajo ka deklaruar se e angazhuar edhe si mësimdhënëse në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin Amerikan në Kosovë.Në anën tjetër, kryetari i Kuvendi të Kosovës, Jakup Kransiqi, zyrtarët shtetërorë të cilët mbajnë më shumë se dy vende pune i ka quajtur “supermenë” në seancën që është mbajtur në fillim të prillit 2013.
Ai nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka shtruar dilemën se si mundet që një zyrtar shtetëror të ketë deri në pesë vende të punës dhe të jetë në gjendje t’i kryejë me sukses të gjitha.

“Çfarë supermenësh janë ata zyrtarë që kanë deri në pesë vende të punës? A mund t’i kryejnë të gjitha detyrat siç i kërkojnë ligjet në Kosovë?”, ka thanë Krasniqi para deputetëve. “Kjo është e pamundshme. Ata njerëz që mbajnë këto poste zyrtare, çdo ditë e shkelin ligjin dhe askush s’ua prish tymin e duhanit”. Përpos politikanëve nga shkollat private në vend po përfitojnë edhe zyrtarë të lartë të institucioneve të pavarura në vend.Kryeprokurori në Prokurorinë e Apelit, Aleksandër Lumnezi, ka deklaruar se përpos pagës vjetore prej 14 mijë euro si kryeprokuror, siguron edhe të hyra tjera si ligjërues në kolegjin Universitar “AAB” nga i cili merr rreth 2300 euro në vit.

Zyrtarët u krijojnë afarizëm të suksesshëm

Në anën tjetër, Fidan Kalaja nga Lëvizja “Fol” thotë se politikanët kosovarë janë të angazhuar në kolegje private si mësimdhënës, si pasojë e mungesës së bazës ligjore për konflikt interesi, e cila do të definonte dhe përcaktonte qartë se zyrtarët e lartë publikë nuk do të mund të angazhoheshin në vende të tjera të punës.

Sipas tij, pronarët e kolegjeve private angazhojnë politikanët sepse sigurojnë afarizëm të suksesshëm.

“Pronarët e këtyre kolegjeve kalkulojnë një gjë të tillë, sepse ata janë biznesmenë, mirëpo paradoksi është se si zyrtarë të lartë (ministra) që normalisht do të duhej të angazhoheshin që të dizajnojnë dhe implementojnë politika për avancimin e universiteteve publike ata thellësisht janë angazhuar që të përfitojnë honorar e rroga nga kolegjet private. Ironia e këtyre rasteve është se edhe pse këta politikanë po angazhohen në këto kolegje niveli i cilësisë akademike në Kosovë po pëson regres”, tha ai. Sipas tij, fatkeqësisht me ligjin aktual të konfliktit të interesit, një zyrtar publik mund të mbajë dy apo më shumë pozita karshi punës si zyrtar publik e në këtë rast në fushën akademike.

Rektorit iu dërgua lista me 330 profesorë

Basri Muja nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës ka thënë për “Zërin” se rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, i kanë dërguar një listë prej 330 profesorëve që janë të angazhuar edhe në kolegje private. Kjo, sipas tij, me qëllim që të krijohet një pasqyrë më e qartë rreth angazhimit të profesorëve të UP-së.

Zyrtarët e Agjencisë thonë se profesorët mund ta kenë vetëm një kontratë të rregullt, tjetrën si profesor i angazhuar, dhe në asnjë mënyrë nuk guxojnë t’i kenë dy, apo më shumë kontrata të rregullta pune, pasi që kjo është në kundërshtim me ligjin në fuqi.

Sipas burimeve të “Zërit” profesorët universitarë po marrin paga të majme nga universitetet private, prandaj po hezitojnë t’i bëjnë publike kontratat e tyre. Pagat më të ulëta të profesorëve në kolegje private janë 500 euro e më të lartat 1500 apo 2000 euro në muaj.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)