20 Shtator 2018

Haradinaj: Nuk do të zvogëlohen bursat e studentëve

Prishtinë, 6 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim një grup të studentëve bursistë të Universitetit të Prishtinës, të përfaqësuar nga studentët Drilon Berisha, Egzon Osmani, Donjeta Ahmeti dhe Arton Bunjaku.

Në këtë takim, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ata shprehën shqetësimet e tyre përkitazi me zvogëlimin e bursave, për të cilat thanë se do të ndikojnë ndjeshëm në motivimin e studentëve të dalluar bursistë.

Kryeministri Haradinaj, e quajti të padrejtë këtë vendim të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, derisa i garantojë studentët që do të bëjë çdo gjë që është në kompetencën e tij dhe të Qeverisë së Kosovës që t’ju ofrojë mbështetjen e duhur gjithë studentëve, duke theksuar se gjatë mandatit të tij, arsimi do të jetë prioritet për Qeverinë.

“Është i padrejtë vendimi për zvogëlimin e shumës së bursës. Ju garantoj se nuk do të ketë zvogëlim të bursave, përkundrazi bashkë me Ministrinë e Arsimit do t’i shqyrtojmë mundësitë dhe format të tjera që kjo shumë të rritet”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj në koordinim me ministrin e Arsimit, po ashtu kanë shprehur interesim që studentët e dalluar të kenë forma sa më të mira të stimulimit  nga ana e institucioneve përkatëse, duke thënë se do të rikthehet shuma e mëparshme e pagesës.

Gjatë takimit, kryeministri tha se si Qeveri e kemi obligim që të krijojmë kushte sa më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit, në mënyrë që arsimi në Kosovë të jetë jo vetëm prioritet, por të arrihen rezultate konkrete. 

Kalendari

Ngajrjet e datës 20 shtator 2018

 - Këshilli i Investitorëve Evropianë në bashkëpunim me Zyren e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Bankën Evropiane për Rindertim dhe Zhvillim organizojn konferencën e nivelit të lartë 'Drejt një klime miqësore të biznesit dhe investimeve në Kosovë, “White Book 2018”. (Hotel Emerald, ora 8:30)

- Komuna e Gjilanit organizon aktivitetin "Dita pa Makina", që shënohet në kuadër të aksionit "Ta pastrojmë Kosovës". (Para shtatores se Rexhep Males e Nuhi Berishes, ora 10:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon konferencën “Siguria Njerëzore, Problemi dhe Reagimi Institucional”. (Salla e konferencave Orion, përballë KINO ABC, ora 10:00)

- Nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës bëhet përurimi i shtatoreve të heroit Fehmi Lladrovci dhe heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci. (Sheshi “Fehmi Lladrovci” në Drenas, ora 12:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli dhe Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në zbulimin e shtatoreve të Heroit Fehmi Lladrovci dhe Heroinës Xhevë Krasniqi - Lladrovci. (Sheshi “Fehmi Lladrovci”, Drenas, ora 12:00)

- Ushtruesi i Detyrës së Ministrit te Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi do të vizitojë Komunën e Pejës dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodini” në Pejë. (Komuna e Pejës, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të mbahet shqyrtimi i Projektligjit pÑ‘r Ratifikimin e Marrëveshjes për Pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative për Mbështetjen e Sektorëve Kulturorë dhe Kreativë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 13:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 14:00)  

- Fillon asfaltimi i rrugëve në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. (Oborri i QKUK-së, ora 15:00)

- Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi takohet me Kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë veri-perëndimore, Nebi Hoxha. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 15:00)

- Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës dhe forumZFD Programi në Kosovë organizojn konferencën tre ditore 'Rishikimi i ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësia tranzicionale në Ballkan' . (Fakulteti Filozofik, ora 15:30)

-  Kyetari i LDK-së Isa Mustafa mban mbledhje me kryetarë të degëve të LDK-së. (Hotel Sirius, ora 17:00)