23 Tetor 2020

Fshati Krajk me aneks të ri shkollor modern për edukim cilësor

Prizren, 2 tetor - Sot, me pjesëmarrjen e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, zv/ministrit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Xhavit Rexhaj dhe drejtoreshës së Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), Xhemile Thaçi-Vezgishi, u bë përurimi i aneksit të ri të shkollës “Mithat Frashëri” në fshatin Krajk të Hasit.

Gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e përurimit, kryetari Haskuka theksoi ndërtimi i aneksit të ri në këtë shkollë ka qenë i domosdoshëm, ngase objekti i vjetër nuk i plotësonte kushtet për mësim-nxënie. Me këtë rast, ai premtoi se do të vazhdojë të punojë intensivisht për të krijuar hapësira dhe mjedise sa më kualitative dhe të përshtatshme për një edukim cilësor të fëmijëve.

“Vizitën e parë në këtë shkollë e kam bërë në vitin 2018 ku u takova me drejtorin Himë Çoçaj. Në atë kohë, kjo shkollë ka qenë e vjetër dhe posedonte pajisje të vjetra. Prandaj, duke i parë kushtet që nuk ishin të përshtatshme për mësim-nxënie, vendosëm ta ndërtojmë këtë aneks që tashmë po e bëjmë përurimin. Gjatë ditëve në vijim do të vazhdojmë të punojmë intensivisht për përfundimin e punimeve edhe në shkollat tjera të komunës së Prizrenit”, deklaroi Haskuka.

Duke i dhënë detajet e projektit, drejtoresha Thaçi-Vezgishi, tha se do të dëshironte që ky objekt të jetë shembull për shkollat tjera të Kosovës.

“Tashmë nxënësit e këtij fshati kanë një shkollë të kompletuar dhe do të doja që kjo shkollë të jetë model për shkollat tjera. Nxënësit e kësaj shkolle tanimë posedojnë hapësira moderne me gjashtë klasa mësimi, dy laboratore, sallën e arsimtarëve, nyjet sanitare për nxënësit, personat me aftësi të veçanta dhe personel, si dhe hapësira të ndryshme shkollore”, tha  Thaçi-Vezgishi.

Nga ana tjetër, zv/ministri Rexhaj gjatë fjalimit të tij deklaroi se “Për të zhvilluar njerëz të menqur dhe të dobishëm, nevojitet shkollë e mirë. Nuk është hera e parë që po e vizitoj këtë shkollë dhe i njoh mirë nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle. Jam i lumtur që si asnjë shkollë tjetër në Kosovë, nxënësit e kësaj shkolle e kanë mbështetjen e fortë të Komunës së Prizrenit, e veçanërisht të kryetarit Mytaher Haskuka".
-- 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Tetor 2020

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (ndërtesa e KQZ-së në, kati i parë, ora 10:00) 

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviziton ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit; Blerim Kuçi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Në kuadër të përmbylljes së “Javës  Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë”, ministri i MPMS-së, Skender Reçica viziton fabrikën “NewCo Ferronikeli”. (Drenas, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në përurimin e “Memorialit të Komandant Drinit - Ekrem Rexha. (Tek parku përballë Shtëpisë së Bardhë, ora 11:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish- Zëvendës kryesuesin e Bordit të Agjencisë së Privatizimit, Naser Osmani. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian takohet me Shefin e Zyrës dhe Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovës, Tomáš Szunyog në lidhje me Raportin për Kosovën 2020 të publikuar nga Komisioni Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 12:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ish Ministër i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti pritet me një ceremoni zyrtare kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. (Para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup, ora 14:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev mbajnë konferencë për media. (Konferenca do të përcillet online, ora 15:05)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon bisedën “Off the record: Gjendja e hapësirave të braktisura”. (Kino Armata, ora 15:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. (Ndërtesa e Presidencës në Shkup, ora 15:35)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. (Kabineti i Kryetarit të Kuvendit në Shkup, ora 16:10)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Artan Grubi, Zëvendës Kryeministër i parë i shoqëruar edhe Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së. (Ndërtesa e Kuvendit në Shkup, ora 16:35)

- Nënshkruhet MoU për krijimin e rrjeteve të pastra 5G në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Departamentit të SHBA-ve. (Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, ora 17:15)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Udhëheqësit e partive politike si Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, Bilall Kasami nga Lëvizja Besa,  Afrim Gashi nga Alternativa dhe Menduh Thaqi nga PDSH. (Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, ora 17:40)