25 Shtator 2022

Fillojnë investimet në shkollat “Rexhep Elmazi” dhe “Musa Zajmi”

Gjilan, 2 gusht – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar të martën shkollën e mesme të ulët “Rexhep Elmazi” dhe atë “Musa Zajmi”, për t’i parë nga afër investimet e filluara.

Kryetari Hyseni ka njoftuar se shkolla “Rexhep Elmazi” po përfiton nga Programi i Efiçiencës së Energjisë nga marrëveshja me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

“Në këtë program përfshihen masat e efiçiencës së energjisë si izolimi i kulmeve, izolimi termik dhe ndërrimi i dyerve e dritareve. Zbatimi i këtyre masave do të ulë koston e shpenzimeve të objektit dhe krijon kështu mundësinë që kursimet të shfrytëzohen në projekte e investime në dobi të qytetarëve”, ka thënë kryetari Hyseni.

Ai theksoi se duke kursyer kështu paranë publike, po krijojmë kushte më të favorshme arsimore në komunën tonë.

“Ndërkaq, me financim nga komuna e Gjilanit po bëhen intervenimet infrastrukturore si rregullimi i nyjeve sanitare në SH.F.M.U “Musa Zajmi” dhe “Rexhep Elmazi”, për të vazhduar kështu edhe me shkollat e tjera”, ka përfunduar kryetari Hyseni.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 shtator 2022

- Federata Atletikës së Kosovës dhe Departamenti i Sporteve, organizon maratonën “Prishtina 2022”, në të cilën marrin pjesë mbi 500 garues. (Nisja bëhet nga Teatri Kombëtar, ora 9:00)

- Me qëllim të koordinimit ndër-institucional mes Qeverisë dhe Pushtetit Lokal mbahet takimi i përbashkët me Kryeministrin, Albin Kurti, Ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Ministrin e Financave, Hekuran Murati, Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Kryetarët e Komunave me ç ‘rast do të diskutohet performanca buxhetore e Komunave dhe Investimet Kapitale, energjia, etj... (Hotel Dukagjini në Pejë, ora 10:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban Konventën Programore të Gruas Demokratike të Kosovës.  (Hotel Emerald, ora 10:00)  

- Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan mban konventën e madhe programore. (Salla e Teatrit të Qytetit në Gjilan, ora ora 11:00)

- Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë bën prezantimin e instalacionit simbolik “Fëmijët në Shkolla”. (Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, ora 12:00)
 
- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi, marrin pjesë në hapjen solemne të Qendrës Kulturore Boshnjake, me rastin e festimit të Ditës Kombëtare të Boshnjakëve. (Qendra Kulturore Boshnjake në Prizren, ora 14:00)