25 Prill 2024

Filloi mbarë dita e parë e testit të Maturës Shtetërore në Ferizaj dhe Gjilan

Ferizaj, 28 maj - Testi i Maturës Shtetërore 2018 është mbajtur sot në rajonin e Ferizajt dhe Gjilanit, komuna këto që janë përzgjedhur për të filluar këtë proces të rëndësishëm me short publik, ndërsa Matura Shtetërore do të vazhdojë edhe për tri ditë në rajonet tjera të Kosovës.

Për të parë nga afër mbarëvajtjen e testit në këto dy komuna, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, vizitoi shkollat “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj dhe shkollën “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, ku u shoqërua nga kryetarët e komunave, Agim Aliu dhe Lutfi Haziri.

Ministri Bytyqi gjatë vizitës në Ferizaj theksoi se, rezultatet të cilat do të dalin nga ky test janë kontribut i mësimdhënësve dhe menaxherëve të shkollave, padyshim duke pasur edhe përkrahjen nga kryetarët e komunave dhe Ministria e Arsimit.

Ministri Bytyqi tha se vizita në Ferizaj është bërë me qëllim për të parë nga afër procesin e testimit dhe për të marrë informata nga drejtori i DKA-së për rrjedhën e mbajtjes së testit, ndërkaq uroi që ashtu siç ka filluar sot testi, të vazhdojë edhe ditëve të tjera.

“Ne presim rezultatet më të mira, sepse konsiderojmë që këtë vit ka qenë një angazhim i përgjithshëm. Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me nivelin lokal dhe kjo ka ndikuar që përgatitjet në përgjithësi për këtë vit të jenë më të mira dhe presim rezultate më të mira”.

Ndërsa, gjatë vizitës në Gjilan ministri Bytyqi tha se procesi i testimit po shkon ashtu siç është planifikuar dhe shprehu besimin se rezultatet e testit të maturës këtë vit  do të jenë më të mira.

“Vërtetë presim rezultate të mira, siç na tha kryetari, Gjilani është dalluar me rezultate të mira në test, shpresojmë që në gjithë Kosovën te kemi rezultate të mira, shpresojmë që këto rezultate të jenë reale”.

Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, falënderoi ministrin Bytyqi që ka qëndruar në Ferizaj, që të shohë për së afërmi si është duke shkuar procesi i testit të maturës, në një shkollë elitare në Ferizaj, siç është gjimnazi “Kuvendi i Arbrit”.

Aliu tha se procesi i testimit po zhvillohet shumë qetë dhe në kushte shumë të mira. Ai uroi që nxënësit të kenë sukses, duke u zotuar se si kryetar komune do të punojë për të krijuar kushte dhe mundësi për nxënësit, i bindur që hapat të cilët ka ndërmarrë komuna së bashku me Ministrinë e Arsimit do të shpijnë drejt cilësisë dhe efekteve konkrete të përmirësimit të cilësisë në arsim.

Ndërsa, kryetari i komunës së Gjilanit, Lufti Haziri tha se testi i Maturës shënon një ditë të veçantë për nxënësit dhe komunën e Gjilanit. Haziri tha se ky test ka filluar jashtëzakonisht mirë dhe se nuk është shënuar asnjë incident, kopje apo fotografi që ka dalë jashtë shkollave.

Ndryshe, 7700 nxënës po marrin pjesë në test për rajonet e Ferizajt dhe Gjilanit. Ndërsa, në gjithë Kosovën janë 27 mijë e 700 nxënës të kësaj gjenerate. Rezultatet priten të dalin deri më 1 qershor.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)