25 Janar 2020

Akreditohet Qendra për Studime Universitare e FSK-së

 Prishtinë, 17 tetor - Këshilli Drejtues i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve (KD i AKK) ka nxjerrë vendim me rastin e procesit të validimit dhe akreditimit të Qendrës për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë të Kosovës.

KD i AKK- së, në vendimin e lëshuar, njofton se „validohet dhe akreditohet Qendra për Studime Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës (QSU), me adresë Kazerma „Adem Jashari“ në Prishtinë, për periudhën tri vjeçare 30.09.2019 deri 30.09.2022 me kualifikimin: „Nëntoger në Forcat e Armatosura, Niveli V sipas KKK me 120 kredi të AAP“.

Forca e Sigurisë e Kosovës në kuadër të mandatit të ri për ngritjen e kapaciteteve profesionale të edukimit ushtarak ka rishikuar dhe zhvilluar plan-programin e QSU-së, për fillimin e procesit të akreditimit bazuar në nenin 23, pika 6 e Ligjit nr. 06/L-123 për Forcën e  Sigurisë së Kosovës, andaj si rezultat i një pune profesionale të KDS-së dhe QSU-së, është marr vendim mbi akreditimin e profesionit të ushtarakut nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (KD i AKK).

Kjo nënkupton që kadetët që studiojnë në QSU, tashmë diplomohen në dy programe të akredituara njëkohësisht, programi profesional „Nëntoger në Forcat e Armatosura“ i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) dhe ai civil me titullin „Baçelor i Shkencave“ i akredituar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA).

Këto dy diploma janë kriter bazë për emërimin si nëntoger në FSK apo Forcat e Armatosura të vendeve tjera.

Akreditimi i QSU-së si institucion edukativo-arsimor ushtarak dhe validimi i programit të saj, është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e FSK-së.

Ky proces do të ndikojë në masë të madhe që kadetët të aftësohen në mënyrë më të strukturuar dhe më cilësore. Ndërsa, në anën tjetër kjo kërkon nga stafi akademik që të jenë në hap me zhvillimet ushtarake dhe të përdorin teknikat më moderne të mësimdhënies.

 Vizioni i FSK-se është që në të ardhmen të avancojë edhe më tej QSU-në dhe të zhvillohet si institucion ushtarak rajonal, me vlera standarde dhe parime bashkëkohore për përgatitjen e gjeneratave të reja në ballafaqim me sfidat e së ardhmes.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 janar 2020

- Federata e Futbollit e Kosovës mban ligjëratë kundër kurdisjeve të ndeshjeve nga zyrtari për integritet në FFK. (Salla e kuqe në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ora 12:00)