21 Janar 2022

Admovere promovon strategjitë në fushën e arsimit të lartë në Kosovë

Prishtinë,1 dhjetor - Admovere bën promovimin e raportit “Strategjitë në fushën e arsimit të lartë në Kosovë“, të botuar nga Admovere e të mbështetur nga KFOS.

Raporti ka për qëllim që të analizojë dhe krahasojë trendet e vlerësimit të problematikave në arsimin e lartë në aspektin institucional.

Më konkretisht, hulumtimi pëqendrohet në pesë indikatorë: transparenca dhe llogaridhënia, puna shkencore, gjithëpërfshirja, ndërlidhja e programeve të studimit me tregun e punës dhe akreditimi.

Raporti krahason dhe shqyrton objektivat e përcaktuara dhe nivelin e përmbushjes së tyre në mes të të gjitha strategjive (dhe planeve të veprimit) të arsimit të lartë në Kosovë, të nxjerra nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), dhe në mes të strategjive universitare (dhe raporteve vjetore) të Universitetit të Prishtinës (UP).

Për nevojat e këtij hulumtimi, me theks të veçantë janë shqyrtuar Strategjia Kombëtare për Zhvillim (SKZH) dhe udhërrëfyesi për zbatimin e saj, Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë (PSAK) 2017-2021 dhe Plani i Veprimit, Planet Strategjike të UP-së 2017-2019 dhe 2020-2022.

Për të vlerësuar zbatimin e strategjive, me fokus tek indikatorët e lartpërmendur, janë shqyrtuar më hollësisht rastet e tre fakulteteve të UP-së, përkatësisht Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti i Filozofisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 janar 2022

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë bën homazhe te varri i Presidentit Historit Ibrahim Rugova, me rastin e 16 vjetorit të vdekjes së tij. (Velani, ora 10:00)

- Për nder të 23 vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit Skender Rexhepi dhe Fitim Duraku Komuna e Rahovecit dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të bëj homazhe dhe nderime te vendi i rënies. (Fortesë, ora 11:00)

- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Zëvendës Ministri i Mbrojtjes Shemsi Syla. (Ambientet e Hotel Sirius, ora 11:00)

- Komuna e Gjilanit organizon Akademi përkujtimore për Presidentin Ibrahim Rugova. (Teatri i qytetit të Gjilanit, ora 14:00)