19 Prill 2024

Ç´po ndodhë në përfaqësitë tona?

Shkruar nga Gani Qarri

Kosova megjithëse shtet i ri, dhe vetëm për pak vite zhvillon diplomaci të pavarur, as kjo periudhë e shkurtër kohore nuk i ka penguar disa nga pjesëtarët e stafit të saj diplomatik, që të bëjnë afera nga më të ndryshmet, në shërbimet e jashtme të shtetit tonë.

Skandalet tashmë të njohura nuk janë dështimi i parë, i vetëm as i fundit i saj, në diplomaci.

Përfaqësitë tona shtetërore, janë kthyer në fabrikë për punësimin e familjarëve, militantëve partiak dhe pjesëtarëve të koalicioneve, të cilët jo rrallë me sjelljet e tyre joprofesionale e skandaloze po dëshmohen si karagjoz të pështirë dhe kriminel e mafioz të vërtetë

Në çdo vend serioz shërbimi diplomatik i vendit, konsiderohet pasuri kombëtare.

Vetëm politikanët e inkriminuar të Kosovës, shërbimin e jashtëm të saj, e përdorin për punësimin e familjarëve dhe militantëve partiak, ndaj ky sektor vuan më së tepërmi nga politizimi i skajshëm, nepotizmi, klientelizmi, mungesa e transparencës dhe eliminimi i tërësishëm i kriterit të meritës.

Në një mbrëmje vere të vitit 2013, Urtak Hamiti u kap nga policia kroate, duke bërë xhiro i dehur, derisa godiste me radhë makinat e parkuara të banorëve kroat me veturën zyrtare të ambasadës së Kosovës nëpër rrugët e qendrës së Zagrebit.

Mu ky \"diplomat\" që asokohe kishte mbushur ballinat e mediave vendore e të huaja me pamje të skandalit diplomatik, pa kaluar shumë kohë nga shkarkimi i tij, u angazhuar në Universitetin Publik \"Kadri Zeka\" të Gjilanit si profesor për të ligjëruar pikërisht lëndën “E të drejtës diplomatike dhe konsullore” dije që studentët e Juridikut në Universitetin e Gjilanit, detyrohen ta marrin tash e atëherë nga një ish-diplomat i sprovuar me skandale diplomatike.

Por, skandali diplomatik i tij, mjerisht nuk ishte i vetmi as i fundit në shërbimin e jashtëm të vendit tonë.

Edhe një diplomat tjetër i Kosovës në Slloveni, mediat njoftonin se si fyente palët, që guxonin t\'i kërkonin shpjegime, kurse zyrtarja e ambasadës së Kosovës në Zvicër, shërbente klientët duke mbajtur këmbët mbi tavolinën e punës.

Ndërsa siç jemi të informuar kohët e fundit, skandali më i ri kriminal, në Ambasadën e Kosovës në SHBA, nga Albert Veliu, për momentin është maja e ajsbergut.

Ai ktheu shërbimin diplomatik të Kosovës, në pasqyrën më të keqe të shtetit tonë të ri, në botë dhe në një vend mik si Amerika, fakt i cili vërteton katërçipërisht edhe keq-qeverisjen e vazhdueshme kriminale brenda vet Kosovës.

Kjo flet më së miri se shërbimi diplomatik i shtetit te Kosovës është bastarduar dhe kriminalizuar tej mase dhe në norma të palejuara, pothuajse në të gjitha ambasadat dhe konsullatat e shtetit tonë të vogël.

Emërimet e paligjshme dhe nepotike që janë bërë e bëhen në përfaqësitë tona diplomatike, pa reformim të thellë dhe ndryshimin e gjendjes aktuale në këtë shërbim, turpet, skandalet dhe dështimet diplomatike, asnjëherë nuk do të kenë të ndalur.

Rasti i Albert Veliut, i cili u bë publik vetëm fal DEA-s amerikane, është treguesi më i saktë se si nga politikanët e ikriminuar, edhe kriminelëve më flagrant u ofrohen poste e strehim dhe \"konak\" i ngrohtë në konsullatat dhe ambasadat e Kosovës kudo.

Fatkeqësisht vetëm në Kosovë, ambasadorët, konsujt dhe stafi përcjellës, ende vazhdojnë të zgjidhen nga \"nëntoka\" në bashkëpunim me figurat më të larta të inkriminuara politike e vendimmarrëse në vend ,duke deleguar bashkëpunëtorët e tyre dhe pjesëtar të krimit të organizuar në shërbimet e jashtme të shtetit.

Richard Holbrooke, deklaronte se; “Në diplomaci mësohet më shumë nga dështimet\", ndaj pasi që Kosova rregullisht prodhon dështime gjithfarë dhe më tepër se të mjaftueshme sidomos në shërbimet e jashtme, pësimet e deritanishme duhet të shërbejnë mjaftueshëm si mësim kthjellues edhe për shtetin e ri të Kosovës, që përfundimisht ajo të reformojë diplomacinë e saj skandaloze.

Kjo edhe për shkakun, se ka vite që janë ndezur dritat e kuqe gjithandej dhe japin alarmin se politika, siç dëshmon edhe ngjarja më e freskët në SHBA, i ka mbushur përfaqësitë tona diplomatike edhe me mafioz e kriminel dhe bashkëpunëtor të terrorizmit ndërkombëtar.

Ndaj dëmi që po i shkaktohet shtetit te Kosovës nga punësimet e të inkriminuarve në shërbimet e jashtme të saj,me persona si bashkëpunëtori i mafies Albert Veliu, i cili ,siç shprehet Departamenti amerikan i shtetit, ai në misionet e tij të pista me COSA NOSTRA-n, ka pastruar edhe mbi 800 mijë USD, akte si këto po ia zënë frymën Kosovës.

Kriminelët e vendosur nga politika e inkriminuar në diplomacinë shtetërore ,përkundër të gjitha të zezave që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë, derisa të mos kapen nga departamentet e shteteve mikpritëse, jo vetëm lëvizin të lirë ,por edhe zhvillojnë veprimtari kriminale pa u trembur nga askush.

Ndaj ka ardhur koha që përfundimisht, ky vend të bëjë reforma të thella në drejtësi, të çlirohet nga kriminelët dhe zyrtarët e lartë të korruptuar, të cilët sa më parë që të dënohen dhe shkojnë në burg, aq më mirë do ishte edhe për Kosovën e cila do të ndjehej shumë më rehat, me sa më pak njerëz të tillë në resorët shtetëror dhe përfaqësitë e saj diplomatike nëpër botë.

Fatkeqësisht vendi ynë i vogël pa asnjë dyshim, ka edhe kush e di sa Alberta të tjerë nëpër ambasadat e veta, ndërsa sigurt edhe më shumë të tillë ekzistojnë dhe punojnë papengueshëm në të gjitha institucionet ,brenda shtetit te Kosovës, e cila nga veprimet si këto, të lë përshtypjen se është kthyer në pronë të disa politikanëve provincialë me pozita udhëheqëse në pushtet që e përdorin atë vetëm për interesat e veta dhe familjarëve të tyre.

Ndaj është koha e fundit dhe nevojë imediate që përzgjedhja e shërbyesve diplomatik për shërbim jashtë vendit, medoemos ti nënshtrohet kontrollit parlamentar, për përzgjedhjen e njerëzve të duhur dhe përmirësimin e imazhit të dëmtuar të Kosovës nëpër botë.

Dështimi në shërbimin e jashtëm, është edhe dëmtim i sovranitetit të vendit në përfaqësimin diplomatik, nga përfaqësuesit e “pa” ligjshëm që politikanët e inkriminuar po i delegojnë atje, gjë që nuk ka të bëj as me veprime të ligjshme, as me akte të një shteti funksional.

Ndaj Kosova sado që shtet i ri dhe vetëm për pak vite me diplomaci të pavarur, stafin e saj diplomatik duhet ta reformojë urgjentisht dhe kushtëzojë me ligj që të mos përsëriten skandale aq të shpeshta, e nëse nuk ndryshon as tani diçka në këtë drejtim, ato nuk do të jenë dështimi i parë, i vetëm as i fundit dhe lindjet e skandaleve të reja do të vijojnë pareshtur sidomos në shërbimet e saj të jashtme, si pika më e ndjeshme e diplomacisë së vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)