19 Mars 2024

Me tritol erdhi në pushtet Edi Rama

Shkruan: Rexhep Shahu

Me tritol e mashtrime marramendëse erdhi ne pushtet Edi Rama. Kemi harruar se si shpërthente tritoli, si shembeshin ndërtimet kur erdhi Rama në pushtet para këtër vitesh? Si zgërdhihej e kënaqej e mburrej Rama. Si na dëmtontë të gjithëve me vendimet e tij të paligjshme. Ai shkatërronte dhe ne me taksat tona paguanim atë që shkatërronte Rama. Qeveri e vërtetë tritoli, por e kallaisur, që i shndriste si kurrë herë tjetër kallaji.

Harruam se si policët mbanin në krahë makinat e kompjuterat e kazinove, të llotove sportive? Jo për zhdukjen e këtij biznesi kriminal e rrënues të familjeve por që të njihte qeni të zotin e ri, që i shtoi kazinotë në Tiranë e në Shqipëri.

Harruam se si u bë nami për kuponat tatimor të kefeneve, të shitësve të frutave e perimeve? Në dogana jooo, nuk ka probleme evazioni atje, por te kafet e prasshitësit ka evazion. Ju kujtohet kur gjobiste deri 5 milionë lekë prindin në dyqanin e familjes, pse fëmija e zevëndësonte prindin.

Të gjithë shpresuam se do vihet rregull, se nuk do të tolerojë shteti informalitetin, se do të marrin fuqinë e duhur faturat. Por u mbars mali e polli mi.

Ju kujtohet reprezalja për ndalimin e duhanit në vende publike. U gëzuam shumë se më në fund po zbatohet një ligj, vetëm një ligj. Ishte stinë, apo shou stine derisa u bë problem te tregtarët se atyre u ra shitja e cigareve dhe qeveria e tregtarëve nuk mund të lejojë që të dëmtohen tregtarët.

Ju kujtohet gurguleja për rrypat e sigurimit? Unë kam besuar se vetëm këtë gjë ta bënte Edi Rama, do të ishte mjaft për qeverinë e tij. Por bëri një vrimë në ujë. Ca muaj nuk shihje kënd pa rryp sigurimi, tani nuk mbajnë njerzit as rryp pantallonash. Do të thotë qeveria bëri një vrimë në ujë, të fortët nuk vënë rrypin e sigurimit dhe policia hesht nga frika e telefonatave të bosave.

Ju kujtohet terrori pr zbatimin e ligjit për pagesat e energjisë elektrike. Të gjithë u revoltuan se të gjithë në një mënyrë a tjetër u ndëshkuan. Por fyerja ishte e rëndë kur burgoseshin njerëz të pamundur, të vobektë, të sëmurë, njerëz që as dje as sot as nesër nuk do të kenë mundësi ta paguajnë energjinë elektrike dhe që shteti duhet t\'ua japë falas. E harruam burgun, sorollatjet nëpër gjykata, prokurori. E harruam se sa familje janë debitore.

Unë jam knaqë që të paguajnë të gjithë sepse ata që kanë paguar janë diskriminuar dhe janë quajtë budallej, por jam trishtuar kur janë burgosë të vobektit, kur janë burgosë gratë, kur kanë vdekë njerëz në burg.

Po 300 fishimin e Lazaratit e harruam kaq shpejt. 300 herë u shtua sipërfaqja e drogës. Dhe droga filloi të eksportohej me avionë dhe Rama i quante mushkonja. A harruam kaq shpejt avionët e bosëve të drogës, ortakëve të qeverisë. Nëse nuk do kishin ortakë në qeveri nuk do guxonte avin të fluturonte për drogë. Unë e di se nuk e përdorni drogën, por që ju ta përkëdhelni nga supet kryeministrin Rama me votën tuaj, qeverinë  që e ka bërë vendin kanabistan, këtë nuk arrij ta përtyp.

Po dëgjoj shpesh të thuhet \"ani, mirë, i dimë të gjitha, por është i yni, do ta votojmë. Mjafton që nuk është malok\".

Ani votojeni Edi Ramën gjithë jetën po të doni. Por një gjë mos e harroni kurrë, ju që e votoni atë dhe filozofinë e tij qeverisëse, mënyrën e tij të qeverimit, që të aftët i dëbon prej pune e prej atdheu dhe zgjedh më të paaftët, që qeveris me shokët e vetëm me shokët e njohur, që premton qiejt e nuk mban asnjë premtim, që mashtron pa pikë turpi, dhe është kampion si mashtrues, që u hedh trutë e gomarit kur kërkon ta bëjmë Enver që të qeverisë vetem si Enveri, pra, ani votojeni Edi Ramën, por mos e harroni kurrë se malokët nuk shuhen, nuk zhduken, nuk shpërbëhen, nuk deformohen, mbijetojnë. Kur them malokët, kam parasysh gjithë Shqipërinë e gjelbër, gjithë Shqipërinë kodrinore malore, përveç  Bllokut ku enverizmi rritet gjirizeve.

A kemi harruar kaq shpejt se si u dëbuan mijera njerëz prej atdheut në kërkim të një jete më të mirë, që të shpërtojnë nga arbitrariteti i dhunës së qeverisë Rama, u dëbuan në mënyrë përfekte siç parashihte Vaso Çubrilloviqi para gati një shekulli për shpërnguljen, dëbimin e shfarosjen e shqiptarëve. Ikën të dëbuar shqiptarët për në vendet ku nuk të dhunon qeveria, ku nuk të terrorizon me propagandë tërrorizuese, kur ti i thua nuk kam bukë, punë, energji e ajo të thotë ke, mos guxo të thuash se nuk kam.

Mbi 300 mijë të rinj morën udhët duke braktisë atdheun. Është e vështirë të besohet se ikën dikush prej gëzimit dhe shkon në vende të tjera, pa qenë i pasur e turist që don të shëtisë. Gjithkush don punë e siguri në vendin e vet. Shqiptarëve Edi Rama ua mohoi dhunshëm këtë mundësi. Rinia e braktisi atdheun, këtë atdhe azil pleqsh, këtë atdhe ku tall bythën me njerzit Edi Rama dhe si klloun cirku endet studio më studio dhe bën shou me lehësa që nuk kafshojë, u turret të gjithëve se nuk del dikush t’i thotë, mashtrues, qelbësirë që na turpëron rracën.

Kaq shpejt harruam se si ua mbylli gojën mediave, se si i bleu, si i ndolli, si i bëri memece. I vetmi njeri i lirë që llomotit në këtë vend është Edi Rama që sheh veten në pasqyrë, që vetë fletë e vetë vulos, që organizon ekpozita pikture si kryeministër.

Kaq shpejt harruam shoun e Ramës në Beograd me Vuciqin, pajtuesin e madh, internacionalistin e madh, nacionalistin e madh, shfaqjen bastarde me vëllain e madh Erdogan në Prizeren.

Kaq shpejt harruam shitjen e ndeshjes së kombëtares tek serbët, pritjen e skuadrës së mundur shqiptare në Tiranë dhe festimin me madhështi të humbjes, shëtitjen e turpshme të kryeministrit bojagji me autobuzin e lojtarëve të kombëtares, që Rama i bëri si seksion të Partisë Socialiste. Kaq shpejt tifozat kuqezi u bënë militantë të shokut Rama.

Dua ta besoj se shqiptarët do të reagojnë, dua të besoj se nuk jemi popull lopësh.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)