23 Shtator 2017

Devollët kundërligjshëm kërcënojnë me zhvatje të buxhetit

Fjalimi i deputetës Margarita Kadriu

Përderisa klasa politike kosovare janë duke u marrë me njëri- tjetrin, nga një shteg i lënë hapur shumë vjet më parë për goditje ndaj buxhetit të shtetit, shteti pësoi humbjen e madhe të radhës në Gjykatën e Arbitrazhit. Siç shihet, tanimë po ikin edhe gati 40 milionë euro të tjera përmes Arbitrazhit!

Para më shumë se 8 muajsh, pikërisht nga kjo foltore, e ngrita alarmin para qytetarëve, Qeverisë dhe deputetëve kolegë, se buxheti i taksapaguesve kosovarë po rrezikohet nga një skeme e kundërligjshme, kërcënuese, edhe atë për afro 450 milionë euro, përfshirë edhe shpenzimet e mbrojtjes.

Jo vetëm që e ngrita këtë çështje, por propozova edhe rekomandimet, të cilat në mungesë kuorumi një herë ose herën e parë nuk kaluan, por që më asnjëherë tjetër qëllimshëm nuk u vendosën në rend dite për të marrë votën tuaj.

Por, atë çka qytetarët morën ishte lajmi për vendimin e radhës të Gjykatës së Arbitrazhit, ku shoqërisë së shumëpërfolur  \"Devolli\" iu aprovua padia për hiç më pak se edhe për afro 40 milionë euro të tjera shtesë!

“Qershia mbi tortë” pritet të vijë së shpejti me vendimin për “AXOS”-in kundër Telekomit të Kosovës, respektivisht kundër Qeverisë së Kosovës dhe buxhetit të saj të varfër!

Prej kërkesës time për aprovimin e rekomandimeve kaluan mbi 8 muaj, e fakti se tanimë shkuan edhe 40 milionë euro të tjera, siç duket, edhe sot për zyrtarët e lartë të shtetit nuk është ndonjë arsye për të marrë masa!

A do të mbajë ndonjëherë dikush në këtë shtet, jo vetëm përgjegjësi politike, por edhe juridike e penale për këto zhvatje që po i bëhen buxhetit të taksapaguesve kosovarë?!!!

Natyrisht, si gjithnjë, është taksapaguesi i varfër ai, që e paguan faturën e çdo dështimi, ndonëse do të duhej të kishim një llogaridhënie konkrete të zyrtarëve përgjegjës pas një hetimi serioz të Prokurorisë Speciale të Shtetit.

Po të reagohej me kohë, apo po të votoheshin rekomandimet e propozuara, ku i bëhet ftesë Prokurorisë për të hetuar dhe për të zbardhur të vërtetën lidhur me paditë që kanë bërë “Z-MOBILE” dhe “AXOS”-i , pra në momentin që të dy paditësit, kompanitë që kanë ngritur padi, do të ishin nën një proces hetimor, edhe qëndrimi i Arbitrazhit do të relativizohej, me mundësinë për ta hedhur poshtë si të pabazë padinë e ngritur.

U bëj thirrje të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, si dhe deputetëve të pavarur, që urgjentisht sot t\'i votojmë rekomandimet, ku mes të tjerash kërkohet:

Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë nga Prokuroria që menjëherë të fillojë hetimin për të verifikuar nëse zyrtarët e përfshirë në këto procedura të prokurimit kanë vepruar në përputhje me ligjin dhe për këtë të njoftojë me prioritet dhe shpejtësi  Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Pa e adresuar përgjegjësinë, pavarësisht prej pozicionit të secilit zyrtar, pavarësisht rangut që ka, nuk mund të kemi transparencë dhe drejtësi.

Buxheti pësoi në dy vendimet e fundit, ku humbjet janë dhe po i afrohen vlerës prej  50 milionë euro,ndërkaq pritet vendimi për edhe afro 400 milionë euro të tjera të buxhetit të shtetit. Por, pyetja pa përgjigje mbetet: kush janë fajtorët, kush janë autorët e këtij krimi të planifikuar kundër shtetit?

Përgjegjësit, kushdo qofshin ata, duhet të përballen me pasojat ligjore. Kështu do të krijohej një precedent pozitiv, në mënyrë që askush të mos guxojë të synojë e të planifikojë ta dëmtojë buxhetin e shtetit, ose shtetin dhe qytetarët.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Shtator 2017 - Universiteti “Kadri Zeka” bashkorganizator i manifestimit tradicional kulturor, letrar e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”. (Stubëll të Epërme të Vitisë, ora 9:00)

- Fakulteti i Komunikim Masiv i Kolegji AAB në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit - FHF - Universiteti i Tiranës, Università per Stranieri di Perugia, Itali, Departamentin e Letërsisë dhe Gazetarisë - Universiteti i Elbasanit, Departamentin e Komunikimit - Universiteti Bedër-Tiranë, School of Journalism and Public Relations, Shkup dhe Institute of Communication Studies - Shkup, organizojnë Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Historia e medias dhe transformimet mediatike”. (Teatrin AAB “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB, ora 10:30)

- Nën përkujdesje të kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri organizohet Akademi Përkujtimore kushtuar luftëtarëve të lirisë, Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj. (Amfiteatri i qytetit ‘Istref Begolli’ në Pejë, ora 11:00)

- Komuna e Pjese do të bëj zbulimi i lapidarit të luftëtarëve të lirisë, Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj. (Para objektit të policisë së Kosovës në Pejë, ora 12:00)

- Në kuadër të Simpoziumit Ndërkombëtar te Shkencave Shëndetësore mbahet Workshopi me ekspert vendor dhe të huaj i organizuar nga nga Kolegji Heimerer dhe Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale. (Swiss Diamond Hotel, ora 13:00)
 
- Pas identifikimit të trupit të pa jetë të Dëshmorit të Kombit Kapllan Ahmeti, SHFD e UÇK - së në Bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Skenderajit, organizojn ceremonin e rivarrimit të dëshmorit të kombit Kapllan Ahmeti. (Varrezat e dëshmorëve në fshatin Radishevë, Skenderaj, ora 15:00)

- Federata e Paqes Universale organizon konferencën ndërkombëtare me temë “Kultura dhe Paqja në Ballkan- Roli i Parlamentarëve“. (Kuvendi i Kosovës, salla 506, ora 15:00)




Ngjarjet e fushatës zgjedhore

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban Konferencë për Medie. (Zyrat e LDK-së te Shadërvani në Prizren, ora 11:00)

- Kandidati i LDK-së për kryetar komune në Mitrovicë, Safet Kamberi do ta shpalosë programin qeverisës për qytetarët dhe prezantimin e kandidatëve për Asamble Komunale. (Sheshi afër zyrave të LDK-së në Mitrovicë, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, mban konferencë për media ku do të flet për një nga projektet e radhës për Prishtinën. (Zyrët e Lëvizjes Vetëvendosje! në lagjen Arbëria, ora 14:00)

- Aleanca per Ardhmërinë e Kosovës mban manifestimin qendror të hapjes së fushatës për zgjedhjet lokale të 22 Tetorit 2017.  (Salla “1 Tetori” në Prishtinë, ora 14:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli do të jetë prezentë në Ferizaj ku do të merr pjesë në tubimin fushatës për zgjedhjet lokale 2017. (Selia e degës së PDK-së në Ferizaj, ora 15:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban takim zgjedhorë në fshatin Rakaj të Ferizajt. (Fshati Rakaj, ora 16:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës shpalosë Platformën për Zhvillim Ekonomik Lokal. (Hotel International në Prishtinë, ora 17:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban tubimin zgjedhor të radhës, në qytetin e Gjilanit. (Teatri i Qytetit, ora 17:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban takim zgjedhorë në fshatin Komogllavë të Ferizajt. (Fshati Komogllavë, ora 17:00)

- Gruaja Demokratike në Gjakovë organizon manifestimin solemnë me rastin e prezantimit të kandidateve femra të cilat garojnë në listen për Asamble Komunale në Gjakove nga Partia Demokratike e Kosovës. (Hotel Pashtriku në Gjakovë, ora 17:00) 

- Partia Demokratike e Kosovës mban takim zgjedhorë me qytetarë të Ferizajt. (Restaurant “Fitorja”, ora 19:00)