18 Prill 2024

Me Serbinë, pajtim politik apo pajtim historik

Shkruar nga  Behxhet Sh Shala - Bajgora

Pajtimi si domosdoshmëri apo pajtimi si utopi: Pas çdo lufte bëhet i domosdoshëm angazhimi për tejkalimin e situatës dhe ndërtimit të paqes,  për aq sa është e mundur. Nuk ka shtet apo vend në botë që pas luftës nuk është ulur në tavolinën e bisedimeve për ndërtimin e një të ardhmeje, pa konflikte, përmes ballafaqimit me të kaluarën.

Pajtimi midis popujve nuk mund të bëhet me vendime administrative apo me diktate politike, qoftë për të ruajtur poste dhe pozicione politike, qoftë për të përfituar nga situata, politikisht dhe materialisht.

Edhe Kosova ka kaluar një luftë të tmerrshme, me shumë viktima në njerëz, të zhdukur, të arrestuar dhe të mbajtur si pengje lufte, me shumë femra të dhunuara, me shumë të shpërngulur dhe dëme të shumta materiale.

Shqiptarët e Kosovës dhe hapësirave tjera në ish Jugosllavinë, që nga formimi i shtetit të Serbisë e deri te shkatërrimi i ish Jugosllavisë dhe Serbisë i janë nënshtruar një terrorizimi të planifikuar shtetëror, deri në gjenocidin e fundit të luftës 1998 – 1999.

Realisht,  serbët dhe Serbia ndaj shqiptarëve ka bërë krime që mund të kualifikohen si gjenocid edhe në disa raste sikur që ishte spastrimi etnik i tokave të banuara kryesisht me shqiptarë nga sanxhaku i Nishit, krimet gjatë dhe pas luftës së dytë botërore sikur që ishte masakra e Tivarit dhe masakra në Drenicë gjatë kryengritjes së udhëhequr nga Shaban Polluzha, aksioni i grumbullimit të armëve dhe shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve në Turqi sipas marrëveshjes “ xhentëlmene “ të Jugosllavisë dhe Turqisë dhe shumë krime të tjera siç janë vrasjet, arrestimet dhe gjykimet arbitrare dhe dëbimi nga tokat e tyre.

E tëra kjo përfundoi me luftën e lavdishme të UÇK-së të viteve 1998 – 1999 që udhëhiqej nga dy kolosë të pavdekshëm dhe të përjetshëm, udhëheqësi politik i të gjithë atyre patriotëve që asnjëherë nuk e ndalën aktivitetin politik dhe kombëtar, Bacës së Madh Adem Demaçi dhe udhëheqësit të Madh ushtarak, Komandntit Legjendar, Adem Jashari.

Që të dy e sakrifikuan çdo gjë të tyren, për lirinë dhe çlirimin e shqiptarëve mirëpo, me asnjë veprim nuk e rrezikuan lirinë e të tjerëve, qofë edhe armiq që ishin sikur Serbia dhe serbët. Në praktikat juridike nuk parashihet përgjegjësia kolektive për krime andaj cilësohet dhe trajtohet ligjërisht vetëm përgjegjësia individuale.

Nëse dikush do të indentifikohej me përgjegjësi kolektive atëherë gjasat më të mëdha do t’i kishin serbët dhe Serbia për faktin se të gjitha strukturat politike, shtetërore, akademike, kulturore, shpirtërore madje edhe sportive të Serbisë ishin radhitur prapa krimeve të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë.

Për shkak të korrektësisë dhe të së vërtetës duhet të pranojmë se edhe shqiptarët, kur i kanë pasur “ dy gram pushtet “,  në kohën e Italisë dhe dajës Hetë dhe menjëherë pas luftës së UÇK-së nuk janë treguar fort të mëshirshëm ndaj serbëve !

Krimet e pandëshkuara:  Shumica e krimeve kundër popullatës civile në Kosovë, 99% e të cilëve janë shqiptarë nuk janë gjykuar dhe kriminelët kanë mbetur të pandëshkuar.

Pandëshkueshmëria ka ndikuar edhe në raportet ndëretnike, nuk ka pasur ballafaqim me të kaluarën prandaj pajtimi këtu mund të njëjtësohet me Utopinë e Murit përkundër deklaratave optimiste dhe premtimeve që po i  shpërndan majtas – djathtas, Shkëlqesia e Tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi. Deklaratat e zotit Thaçi janë krejtësisht të fushës së pragmatizmit politik dhe vardisjes ndaj faktorit ndërkombëtar.

Presidenti i Kosovës nuk ka as njohuri elementare për procesin e pajtimit, si në aspektin procedural, historik, përmbajtësor e mos të flasim për aspektin moral.

Menjëherë pas përfundimit të luftës, kryeadministratori i Kosovës, z. Kushner pati kërkuar nga Baca Adem që sipas modelit të Afrikës së Jugut ta formojë një Komision të së Vërtetës për pajtim me serbët. Baca Adem pati pranuar dhe Kushnerit i pati treguar listën me kushtet që duhet t’i plotësojë Serbia në mënyrë që të fillohet me bisedimet për pajtim dhe kërkesa e parë ishte që Serbia ta njohë Kosovën si shtet në mënyrë që bisedimet të zhvilloheshin midis dy shteteve e jo midis Serbisë dhe UNMIK-ut.

Pastaj kërkoi të lirohen të gjithë të burgosurit politikë, të tregohet vendndodhja e personave të zhdukur, të zhdëmtohet Kosova për dëmet materiale, të dënohen të gjithë ata që urdhëruan, planifikuan, nuk i penguan apo që i bënë krimet ndaj shqiptarëve dhe disa kërkesa tjera. Pas kësaj, edhe unë isha i pranishëm në takim, Kushner tha se këto kushte janë të papranueshme për Serbinë prandj Baca e mbylli bisedën duke mos pranuar t’i hiqet asnjë kërkesë që e bëri dhe të cilat do t’i bënte çdo shtet normal.

Pastaj u përpoqën ta bëjnë një mekanizëm për pajtim me Serbinë me bijtë dhe bijat e shqiptarëve jugosllavë mirëpo, pas disa takimeve hoqën dorë nga kjo aventurë sepse nuk prodhonte asnjë efekt. Këta që donin të na pajtonin me Serbinë ishin miq dhe pjellë e Serbisë dhe baballarët e tyre qençe i kishin shërbyer Serbisë duke punuar kundër popullit  gjuhën e të cilëve, për fat të keq e kishin gjuhën shqipe ndonëse mendonin, ëndërronin, frymonin dhe vepronin jugosllavisht dhe serbisht.

Pastaj, një gjuetare e shquar e fondeve e formoi një mekanizëm të quajtur KOM(B)RA (e  Kallashit) ku bënin pjesë Serbia, Bosnja dhe Kroacia dhe ku Kosova llogaritej si pjesë e Serbisë dhe e cila nuk bëri punë për të përmendur sepse, ndonëse nisma ishte nga Serbia, po ky shtet mbeti epiqendër e krimit dhe destabilizimit edhe 18 vjet pas përfundimit të luftës .

Ç’bëri  Hashimi e që u sulmua aq shumë:  Hashimi , tash president i Kosovës ishte në fshatin Staro Gacko të Lipjanit dhe vendosi kurorë në lapidarin e të vrarëve serbë, të gjithë të fshatarë duke punuar tokat e tyre, nga vrasës dhe kriminelë të panjohur deri më  sot.

Vrasësit  e këtyre fshatarëve serbë nuk u zbuluan deri më sot përkundër mijëra e dhjetëra mijëra policë të UNMIK-ut, ushtarë të KFOR-it, 30-të e më shumë shërbime informative dhe kundërtzbuluese të huaja etj. Sikur nuk kishte interes dhe gatishmëri të kapen ata që kryen krimin prandaj erdhi te paragjykimi në baza etnike duke i akuzuar shqiptarët si kryerës të këtij krimi.

Fjalët se terroristët shqiptarë i kanë vrarë fshatarët serbë, pa rezultate të hetimeve dhe pa një vendim gjykate, serbët lokalë i skalitën në lapidarin – memorialin para të cilit u përkul dhe vendosi kurora me lule presidenti i painformuar dhe manipulues, Hashim Thaçi duke zgjuar mllefin e thuaja të gjithëve.

Ai u injorua nga serbët lokalë duke bërë një veprim të papeshuar fare. Po të njëjtin veprim e përsëriti edhe në Gorazhdec me ç’rast vendosi kurora me lule në varre ku ishin varrosur të rinjt serbë që ishin vrarë nga kriminelë të paidentifikuar deri më sot mirëpo, sikur në Staro Gacko edhe këtu ishin skalitur akuzat se :” terroristët “ shqiptarë i  vranë këta fëmijë që laheshin në lumin e fshatit.

As këtu nuk u bënë përpjekje që të kapen ata që e kryen krimin prandaj u krijua një hapësirë paragjykuese dhe akuzuese për shqiptarët e cila u përdorë për presione politike!

Mbase mund të isha shqiptari i parë që ka hyrë në Gorazhdec pas përfundimit të luftës në përpjekje për të ndihmuar në rivendosjen e marëdhënieve krejtësisht të luhatura midis serbëve dhe shqiptarëve.

Mjedisi në të cilën hasa ishte krejtësisht e një ikonografie shoviniste serbe ; flamuj   serbë, në shkollë, ambulantë, objektin e kryqit të kuq, postë dhe institucionet tjera paralele ishin mbjellur me fotografitë e kriminelit Millosheviq ndërsa në qendër të fashatit ishte një lapidar me listën e të vrarëve e në këtë listë numri 1 ishte paramilitari Shalipur i njohur për krime të shumta ndaj shqiptarëve sikur edhe një tekst plotë urrejtje ndaj shqiptarëve. Kam takuar përfaqësues të fshatit, mësues, punëtorë shëndetësorë e mbase edhe agjentë të UDB-së dhe BIA –së të maskuar me ndonjë profesion tjetër.

U kam bërë me dije se në këtë mënyrë integrimi dhe bashkëjetesa me shqiptarët do të jetë i pamundur dhe se në këto rrethana as që do të angazhohesha për ta sepse nuk e kishin as respektin më të vogël për viktimat shqiptare me të cilët kishin jetuar bashkë deri dje. Ishte interesante se nuk e pranonin fare përgjegjësinë për krime dhe se arsyetonin veprimet e Serbisë, e cila, sipas tyre e ka mbrojtur shtetin.

Kam shumë gjëra të pathëna për këtë por i ceka ato më të rëndësishmet  të cilat Hashim Thaçi, ose nuk i di fare, ose për shkaqe politike  i harron duke manipuluar me të vërtetën. Janë disa rregulla në procesin e pajtimit, që nga ajo se si fillon e deri te përfundimi. Hapi parë është kërkimfalja nga autoritetet më të larta shtetërore të shtetit që ka bërë krime në Kosovë.

Në rastin tonë kjo mungon sepse Serbia e kushtëzon kërkimfaljen duke kërkuar reciprocitet ; nëse Serbia kërkon falje për krimet e bëra në Kosovë atëherë edhe Kosova duhet të kërkojë falje për krime kundër serbëve.

Pastaj, hapi i dytë  është largimi i gjuhës së urrejtjes nga lapidarët, përmendoret, memorialet, pllakat përkujtimore etj., gjë që në rastin e Staro Gackos dhe Gorazhdecit nuk e kemi prandaj presidenti Hashim nuk është dashur të përkulet para këtyre mbishkrimeve me plotë urrejtje të cilat, jo që nuk sigurojnë mospërsëritjen e krimeve por thërrasin për krime tjera.

Rolin e Vili Brandit që u përkul para viktimave hebreje nuk mund ta ketë Hashim Thaçi ndonëse këto vizita i bëri pak para vizitës së nënpresidentit Bajden. Reagimi i palës serbe (udhëheqësit e Serbisë) ishte në përputhje me mbishkrimet e Staro Gackos dhe Gorazhdecit sikur edhe reagimi i qytetarëve serbë të këtyre vendeve.

 Hashim Thaçi, për shkak të mosdijes apo për shkaqe manipulative sikur edhe se nuk ka fare këshilltarë që kuptojnë shkrim – lexim nga historia, i fyeu rëndë viktimat shqiptare sikur që nuk bëri asgjë për viktimat serbe.

 Kurse,  procesi i pajtimit kurrë nuk ka sukses pa pëlqimin dhe pjesëmarrjen aktive të viktimave sepse, në fund të fundit bëhet për respekt dhe shpagim të viktimave dhe parandalim të viktimave tjera! Kosova është larg pajtimit dhe nuk mund të konsiderohet pajtim nëse nesër, dikush në emër të Kosovës nënshkruan diçka në këtë drejtim,  pa u plotësuar as parakushtet elementare për këtë!

Pajtimi nuk bëhet me vendime administrative apo politike por me vullnetin e dyanshëm të palëve,  pasi t’i kenë kaluar procedurat e parapara. Prandaj do të ishte mirë dhe e shëndetshme që Hashim Thaçi të merret më gjëra që i takojnë dhe nëse toka mund të falet, vuajtjet mund t’i falë  vetëm ai që e ka pësuar! Jo ai që bënë karrierë në emër të vuajtjeve të të tjerëve !

Fjalimi historik i një parahistorie:  Shkëlqesia e Tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi iu drejtua, sikur Papa i Vatikanit, urbi et orbi, qytetarëve të Kosovës dhe “ miqve” ndërkombëtarë me një përshkrim të gjendjes aktuale dhe një udhëzim se si duhet të veprohet në të ardhmën, për të mirën e Kosovës dhe integrimit të saj në NATO, BE, Kombe të Bashkuara e ku jo tjetër!

Në fakt, ai e lexoi një tekst që ia kanë shkruar të tjerët, analfabetë vendorë dhe dashakeqës ndërkombëtarë. Po ta kishte lexuar pak më vonë do ta kishte një efekt tjetër ndërsa ai veproi sipas parimit :” hekuri rrihet sa është i nxehtë apo të përfitoi sa është e pranishme hija e Bajdenit në Kosovë “. 

Këtë fjalim e mora si presion të hapur dhe kërcënim për deputetët e Kuvendit të Kosovës se si duhet të votojnë për Demarkacionin dhe se Asociacioni i Serbisë në Kosovë duhet të formohet me çdo kusht dhe pa rishikime!

Sa i përket Demarkacionit për çka nuk jam ekspert, nuk i besoj 100% as Komisionit Shtetëror e as Ekipit të Ekspertëve dhe sipas një logjike, e vërteta duhet të jetë dikund në mes. E sidomos nuk iu besoj pozitës dhe opozitës sepse të dyja duan të përfitojnë nga ky proces.

Pozita po luan pandershmërisht në kartën e antiamerikanizmit për ata që janë kundër këtij Demarkacioni (edhe unë bëjë pjesë këtu) sikur që opozita po e përdorë pandershmërisht kartën e tradhëtisë kombëtare për ata që janë për Demarkacion.

Është e pandershme, e palogjikshme dhe jonormale ta cilësosh dikend antiamerikan nëse nuk pajtohet me qëndrimet tuaja aq më parë që antiamerikan nuk cilësohen as vet amerikanët që nuk pajtohen me qëndrimet e qeverisë së tyre amerikane.

Gjithashtu, është e turpshme, e palejueshme dhe e pamoralshme që, me një lehtësi aq të madhe ta shndërroni dikend në tradhëtar të kombit nëse nuk pajtohet me qëndrimet tuaja!

Për aq kohë sa i thyejnë shpatat për Demarkacioni duke dërguar akuza dhe fyerje të ndërsjella, më mirë do të ishte të organizoheshin debate sqaruese ku do të dëgjoheshin argumentet e të dyja palëve pas së cilave do të dilte një rekomandim obligues për të gjithë.

Nuk është Murat Meha, Mesie i Demarkacionit të cilit duhet t’i besohet 100% sikur që nuk është as Shpejtim Bulliqi Profeti Muhamet i Demarkacionit i cili nuk mund të kundërshtohet për Demarkacion. Që të dy janë të manipulueshëm dhe që të dy e servojnë një të vërtetë për manipulim me masa!

Askush nuk e ka bërë matjen e territorit të Kosovës për të deklaruar se nuk humbet as edhe një pëllëmbë toke të Kosovës apo të Pejës! Për pa u sqaruar me fakte ky Demarkacion dhe pa arritje të një konsensusi, nuk do të duhej të votohej në Kuvend dhe ai që e voton këtë formë të paverifikuar, e merr një përgjegjësi të madhe dhe këtë mund ta bëjnë vetëm në cilësi personale.

Prandaj, lejoni deputetët të votojnë në bazë të bindjeve të tyre dhe mos i detyroni të votojnë për interese të çastit sepse gabimet janë të pandreçshme! Pse vetëm Kosova duhet të plotësojë kushte që nuk i janë kërkuar asnjë shteti për liberalizim të vizave ?

Dhe, jam shumë i sigurt se, edhe nëse votohet Demarkacioni, nuk do të ketë liberalizim të vizave. Jo në këtë vit. Gjithashtu, jam shumë i sigurt se, së paku 80% të atyre që e kanë përcjellur fjalimin e Cezarit  në shtëpinë e vetme publike me letra në Kosovë, nuk e pajtohen me ato fjalë.

Apo siç më tha  një anëtar me emër të madh në PDK se pas fjalimit të Cezarit në RTK, kam filluar të ndjejë dhembshuri për Adem Grabovcin! Nuk e komentova !
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)