17 Janar 2018

Shqipëria heq barrierat për patatet nga Kosova

Prishtinë, 12 korrik - Shqipëria nuk do të zbatojë vendimet e marra ditë më parë për prodhuesit e patates nga Kosova. Këtë e kanë bërë të ditur ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Ministri Memli Krasniqi, i cili tash e disa ditë ka qenë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet në Shqipëri për të eliminuar këto barriera, ka thënë se që nga sot prodhuesit e patates mund të eksportojnë prodhimet  e tyre drejt Shqipërisë pa llogaritjen e çmimit referent të përcaktuar më herët nga autoritetet në Shqipëri.

“Kemi marrë një sqarim të vendimit të Doganave të Shqipërisë, sipas të cilit nuk do të implementohet çmimi referent i paralajmëruar më parë dhe ne besojmë te ky përkushtim i Qeverisë Shqiptare por edhe i organeve relevante që të vazhdohet me praktikën e kaluar, ku janë pranuar dokumentacionet  e transaksioneve bankare ndërmjet eksportuesve nga Kosova dhe importuesve nga Shqipëria”, ka thënë ministri Krasniqi, duke shtuar se të dy qeveritë në vitet e fundit kanë dhënë shembuj jashtëzakonisht të mirë të bashkëpunimit veçanërisht në fushën e bujqësisë.

Sipas tij, Kosova ka qenë tregu ku Shqipëria në vazhdimësi i ka rritur eksportet e veta bujqësore, por ku edhe Kosova ka arritur që të ketë një rritje të ndjeshme të eksportit bujqësor në përgjithësi, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

“Ne e kemi një bujqësi komplementare, sezonat tona nuk janë konkurruesve njëra me tjetrën dhe në këtë drejtim edhe me homologun tim por edhe me gjithë zyrtarët e Qeverisë së Shqipërisë ne kemi pasur një pajtueshmëri që të ketë një qasje të ndihmesës së njëri-tjetrit dhe në asnjë mënyrë të pengesës ndaj njëri tjetrit. Dhe unë shpreh vullnetin tim për një bashkëpunim të mëtejmë deri te një unifikim i tregut, ashtu siç është dhënë  zotimi edhe nga udhëheqësit e dy qeverive edhe në të kaluarën”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, lidhur me vendosjen e çmimit referent për pataten kosovare,  ka thënë se ka qenë një ndalesë e pa studiuar dhe e pamotivuar në asnjë mënyrë, as në planin ekonomik dhe as më gjerë dhe sipas tij kjo situatë e shkurtër që ka penguar produktet e patates që të shkojnë drejt tregjeve të Shqipërisë, ka përfunduar.

“Duke marrë shkas nga ky rast unë sigurojë gjithë prodhuesit e patates nga Kosova se barrierat disa ditëshe në tregun shqiptar janë thyer dhe mendoj se sasitë e planifikuara nga prodhuesit e Kosovës për t’u eksportuar drejt Shqipërisë do të shkojnë më një intensitet më të madh gjatë këtyre ditëve dhe gjitha institucionet janë të interesuara që ky proces të vazhdohet më një ritëm më të lartë në mënyrë që mos të krijohet asnjë mungesë  në të ardhurat e  planifikuara të prodhuesve kosovarë të fushës së patates”, ka thënë ambasadori Minxhozi.

Ndryshe, ministri Krasniqi dhe ambasadori Minxhozi kanë shprehur gatishmërinë e tyre për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, në mënyrë që fenomenet e tilla si kjo të mos përsëriten më.

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 Janar 2018 - Mbahet mbledhje e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i projektligjit për ndërmarrjet sociale. (Ndërtesa e Kuvendit, sallaN 303, ora 10:00)

- Në kuadër të organizimeve në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nesër më 17 janar 2018, zhvillohen homazhe te shtatorja e Skënderbeut. (Shtatorja e Skënderbeut, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit të punës së Komisionit, për vitin 2017 si dhe shqyrtimi i draft-planit të punës së Komisionit, për vitin 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Për nder të 18 vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, do të mbahet shënimin simbolik të këtij përvjetori, në të cilin pjesëmarrës do të jenë Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, Ministri i Financave Bedri Hamza, palët e interesit dhe donatorët. (Qendra e Shërbimit të Tatimpaguesve, ish-ndërtesa e Gërmisë, ora 11:00) 

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit,  salla  C 301, ora 11:00)

- Prezantohen projektet e studentëve, të cilët do të pasqyrojnë punën që është bërë gjatë semestrit dimëror 2017/18. (Fakulteti i Edukimit, ora 11:00)

- Mbahet mbledhje e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Tatimin në Pronën e Paluejtshme, me raport amandamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Finanaca. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 12:00)

- Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj do të vizitojë kompaninë e prodhimit të produkteve farmaceutike “Trepharm”. (Hapësirat e “Trepharm” në Sllatinë, ora 12:30)

- Komuna e Gjilanit ben zbulimin e bustit te heroit Gjergj Kastrioti - Skenderbeu. (Sheshi kryesore para zyres se kryetarit ne Gjilan, ora 13:00)

- Mbahet Akademi kushtuar 550 vjetorit të Skënderbeut, me ç ‘rast do të promovohet pulla postare e Postës së Kosovës dhe Postës së Maqedonisë në të cilen do të nderohen edhe figurat e shquara të shqiptarëve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 36-vjetorin e vrasjes së tyre. (Teatri Kombëtar të Kosovës, ora  15:00)

- Komuna e Gjilanit organizon akademin e Flakes se Janarit 2018, qe i kushtohet 550 vjetorit te vdekjes se heroit kombetar Skenderbeu dhe 50 vjetorit te protestave masive per flamurin kombetar. (Teatri i Qytetit, ora 16:00)

- Muzeu i Kosovës, me nismën e "Museum Illyricum" - Zvicër, organizojnë ekspozitë me libra; pulla dhe bankënota nga mesjeta e deri në vitet '30-ta. (Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, ora 18:00)

- Hapet ekspozitë 55 portrete për 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. (Swiss Diamond Hotel, ora 18:00)

- Në 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Skenderbeu dhe 50 vjetorit të protestave masive për flamurin kombëtar organizon aktivitetin Peneli i Flakes. (Teatri i Qytetit të Gjilanit, ora 19:00)