17 Janar 2018

Vitin e ardhshëm Kosova bëhet me sigurime bujqësore

Prishtinë, 11 korrik - Me krijimin e sistemit të sigurimit për prodhimtarinë bujqësore, i cili pritet të fillojë së implementuari që nga viti i ardhshëm në vendin tonë, do të arrihet menaxhimi i rreziqeve të ndryshme në këtë prodhimtari, duke i parandaluar apo minimizuar pasojat e tyre negative.

Për zhvillimin e këtij sistemi tashmë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore kanë nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi për të zhvilluar sistemin e sigurimit për prodhimtarinë bujqësore në Kosovë.

Në vazhdën e këtij procesi, sot është mbajtur takimi i sektorit të sigurimeve bujqësore në Kosovë, në të cilin ka marrë pjesë ministri i MBPZHR-së, Memli Krasniqi, përfaqësues të BQK-së, të IFC-së në Kosovë, të  Kompanive të Sigurimit, si dhe përfaqësues të shoqatave të fermerëve, ku para tyre është prezantuar projekti për sigurime bujqësore në Kosovë.

Me këtë rast, ministri Krasniqi, tha se ky zhvillimi i këtij sistemi do të jetë një hap shumë i rëndësishëm që do të ndikojë fuqishëm në rritjen e prodhimtarisë bujqësore në vend dhe tregoi se implementimi i tij do bëhet për herë të parë në Kosovë, dhe se për këtë gjë ai tha se MBPZHR-ja  planifikon që t’i subvencionojë një pjesë të kostos për primet e sigurimit për bujqësi, në mënyrë që t’i bëjë ato më të përballueshme për fermerët, dhe për t’i përkrahur dhe mbrojtur bizneset e tyre bujqësore.

“Në këtë mënyrë në formë të organizuar do të mbrojmë punën dhe të ardhurat e fermerëve në njërën anë, por edhe standardin e jetës së tyre të ndikuar nga humbjet eventuale të prodhimit ose cilësisë, në anën tjetër. Përmes implementimit të këtij sistemi ne do të arrijmë edhe rezultate tjera, po ashtu të ndërlidhura dhe tejet të rëndësishme në prodhimtarinë bujqësore në Kosovë. Një nga këto  do të jetë edhe rritja e nivelit të qasjes në financa të sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural, të shoqëruar edhe me pritjen për uljen e normave të interesit të kredive bujqësore. Përmes kësaj do të rritet prodhimtaria bujqësore në vend, do të rritet eksporti si dhe numri i vendeve të reja të punës në sektor. Po ashtu, do të kontribuojmë në shtytjen e nivelit të rritjes  së përgjithshme ekonomike të vendit”, ka thënë ministri Krasniqi.

Në anën tjetër, Leah Soroka, menaxhere e Programit për Evropë dhe Azi Qendrore, projekti Agro-Finance në Bankën Botërore, tha se tashmë kanë filluar punën për zhvillimin e këtij sistemi së bashku me MBPZHR-në, i cili sipas saj është i domosdoshëm për fermerët kosovarë.

“Ne tashmë jemi duke krijuar fillimisht një mjedis të përshtatshëm ligjor, një strategji të sigurimeve bujqësore, si dhe jemi duke siguruar një kornizë të fortë rregullative të tregut. Po ashtu, në kuadër të këtij projekti ne do të krijojmë kapacitetet e brendshme duke ofruar mbështetje teknike dhe trajnim për palët kyçe të interesit, si në dizajnimin e produkteve të reja të sigurimeve, organizmin e informatave për të blerë ri-sigurim me çmime dhe kualitet të lartë, si dhe do të ofrojmë shërbime këshillimore me cilësi të lartë”, tha Soroka.

Ndryshe, bazuar edhe në marrëveshjen e nënshkruar, IFC-ja do ta këshillojë Ministrinë në zhvillimin dhe zbatimin e një sistemi të sigurimit për bujqësi që është transparent, i qëndrueshëm dhe financiarisht i zbatueshëm, për ta përmirësuar konkurrueshmërinë në tregun gjithnjë e më të integruar të mallrave. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 Janar 2018 - Mbahet mbledhje e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i projektligjit për ndërmarrjet sociale. (Ndërtesa e Kuvendit, sallaN 303, ora 10:00)

- Në kuadër të organizimeve në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nesër më 17 janar 2018, zhvillohen homazhe te shtatorja e Skënderbeut. (Shtatorja e Skënderbeut, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit të punës së Komisionit, për vitin 2017 si dhe shqyrtimi i draft-planit të punës së Komisionit, për vitin 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Për nder të 18 vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, do të mbahet shënimin simbolik të këtij përvjetori, në të cilin pjesëmarrës do të jenë Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, Ministri i Financave Bedri Hamza, palët e interesit dhe donatorët. (Qendra e Shërbimit të Tatimpaguesve, ish-ndërtesa e Gërmisë, ora 11:00) 

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit,  salla  C 301, ora 11:00)

- Prezantohen projektet e studentëve, të cilët do të pasqyrojnë punën që është bërë gjatë semestrit dimëror 2017/18. (Fakulteti i Edukimit, ora 11:00)

- Mbahet mbledhje e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Tatimin në Pronën e Paluejtshme, me raport amandamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Finanaca. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 12:00)

- Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj do të vizitojë kompaninë e prodhimit të produkteve farmaceutike “Trepharm”. (Hapësirat e “Trepharm” në Sllatinë, ora 12:30)

- Komuna e Gjilanit ben zbulimin e bustit te heroit Gjergj Kastrioti - Skenderbeu. (Sheshi kryesore para zyres se kryetarit ne Gjilan, ora 13:00)

- Mbahet Akademi kushtuar 550 vjetorit të Skënderbeut, me ç ‘rast do të promovohet pulla postare e Postës së Kosovës dhe Postës së Maqedonisë në të cilen do të nderohen edhe figurat e shquara të shqiptarëve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 36-vjetorin e vrasjes së tyre. (Teatri Kombëtar të Kosovës, ora  15:00)

- Komuna e Gjilanit organizon akademin e Flakes se Janarit 2018, qe i kushtohet 550 vjetorit te vdekjes se heroit kombetar Skenderbeu dhe 50 vjetorit te protestave masive per flamurin kombetar. (Teatri i Qytetit, ora 16:00)

- Muzeu i Kosovës, me nismën e "Museum Illyricum" - Zvicër, organizojnë ekspozitë me libra; pulla dhe bankënota nga mesjeta e deri në vitet '30-ta. (Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, ora 18:00)

- Hapet ekspozitë 55 portrete për 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. (Swiss Diamond Hotel, ora 18:00)

- Në 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Skenderbeu dhe 50 vjetorit të protestave masive për flamurin kombëtar organizon aktivitetin Peneli i Flakes. (Teatri i Qytetit të Gjilanit, ora 19:00)