24 Prill 2024

Agrobizneset kanë potencial për eksport

Prishtinë, 5 mars - Ndërmarrjet bujqësore, të cilat kanë potencial për të eksportuar në vendet e rajonit dhe tregjet ndërkombëtare, sivjet do të gjejnë mbështetje të madhe edhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Agrobizneset e sektorit të frutave të imta dhe ato të përpunimit të pemëve, perimeve, mishit dhe qumështit, sivjet për herë të parë janë pjesë e programit të MBPZHR-së dhe përmes granteve investive do të mbështeten në zgjerimin e kapaciteteve të tyre prodhuese dhe në përmirësimin e aftësive konkurruese.

Kështu tha ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, sot në seminarin dyditor mbi standardin e importit në SHBA dhe sistemin e përgjithshëm të preferencave, të cilin e ka organizuar Departamenti për Zhvillimin e Ligjit Tregtar në SHBA dhe Agjencia për Promovimin e Investimeve në Kosovë, në të cilën po marrin pjesë shumë zyrtarë dhe ekspertë amerikan të fushës së tregtisë.

Në hapjen e këtij seminari, ministri Stavileci theksoi se Kosova është vend që karakterizohet me resurse të shumta natyrore, si minierat, energjia, metalurgjia e rëndë dhe resurse të tjera, por sektori i bujqësisë, sipas tij, ka rol jetik në zhvillimin ekonomik.

“Prodhimtaria bujqësore është njëra prej aktiviteteve më strategjike për nga rëndësia ekonomike dhe agrobizneset, janë një prej veprimtarive komerciale me zhvillimin më të hovshëm, veçanërisht në këto vitet e fundit” tha Stavileci.

Ai tregoi se të gjitha investimet e Ministrisë së Bujqësisë bëhen në përputhje me planin e përgjithshëm për zhvillimin e bujqësisë dhe këto janë të fokusuara në sektorët që Kosova ka përparësi krahasuese, ku objektiv i tyre përpos rritjes së prodhimtarisë, është edhe rritja e eksportit të produkteve bujqësore përmes përmirësimit të aftësive konkurruese të fermerëve.

Në anën tjetër, Andrea Tomaszewicz, zyrtare e lartë për ekonomi në Ambasadën e SHBA-së, tha se qëllim i tyre është që ta ndihmojnë sektorin privat, pasi sipas saj është njëri nga sektorët që sjell zhvillim të hovshëm ekonomik në Kosovë.

“Ky seminar dyditor është një mundësi e mirë për të rritur eksportin drejt SHBA-së, e po ashtu edhe për të zvogëluar disbalancin tregtar që ekziston ndërmjet vendeve.

Gjatë këtij seminari ju do të arrini t’i mësoni edhe rregullat kryesore dhe kriteret që duhet plotësuar nga prodhuesit në mënyrë që produktet të eksportohen sa më lehtë në SHBA”, tha Tomaszewicz.

Ndërsa, drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, tregoi se tashmë kanë lehtësuar procedurat për të eksportuar në vendet e rajonit dhe tregjet ndërkombëtare.

“Kemi arritur që ta zvogëlojmë numrin e dokumentacioneve të kërkuara për eksport, në vetëm dy nga tetë sosh sa kërkoheshin përpara.

Ndërsa, në bazë të legjislacionit në fuqi janë mbi 200 kompani në Kosovë, të cilat shfrytëzojnë procedurat me ndikim ekonomik për eksport dhe import”, tha drejtori Huruglica.

Ndryshe, ministri Stavileci, sot gjatë ditës ka marrë pjesë edhe në hapjen e Panairit Regjional të Ndërmarrësisë, të organizuar nga Agjencioni për Zhvillim Ekonomik Rajonal në Lindje dhe projekti i SPARK-ut.

“Ngritja e potencialit ekonomik të Novobërdës, Kllokotit, Ranillugut dhe Shtërpcës”. Në këtë panair, i cili po mbahet në palestrën e sporteve “Bashkim Selishta” në Gjilan, po marrin pjesë rreth 100 agrobiznese të këtij regjioni.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)