28 Mars 2024

Rritet interesimi për bujqësinë

Prishtinë, 31 maj - Ka përfunduar periudha e aplikimit për grantet dhe subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Rezultatet fillestare janë tejet impresive dhe inkurajuese, sepse përveç rritjes së përkrahjes financiare dhe shtimit të sipërfaqeve të mbjella, ka rritje të dukshme edhe të interesimit për t’u marrë me bujqësi.

Për të përfituar grante investive dhe subvencione prej Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2010 kanë aplikuar 7.718 fermerë, në vitin 2011 gjithsej 17.917 fermerë, ndërsa në këtë vit kanë aplikuar 27.636 fermerë.

Kjo rritje e interesimit vjen më së shumti si rrjedhojë e stimulimit dhe përkrahjes që është duke ju ofruar viteve të fundit fermerëve, jo vetëm nga Ministria e Bujqësisë, por edhe nga donatorët e sektorit, të cilët gjatë viteve të fundit në masë të madhe investimet e tyre i kanë orientuar drejt sektorit të bujqësisë.

Gjithashtu, nëse shikohen në tërësi sipërfaqet e mbjella me kultura pranverore dhe vjeshtore, në vitin e kaluar kemi pasur të mbjella 110248.4 hektarë me kultura pranverore, ndërsa sivjet në bazë të të dhënave të 32 drejtorive komunale bujqësore, kemi të mbjella 114412.9 hektarë, që krahasuar me vitin e mëparshëm, ka rritje për 4164.5 hektarë.

Ndërsa, tek sipërfaqet e mbjella me kultura vjeshtore, sivjet të mbjella kemi 83875 hektarë me grurë, ndërkaq në vitin paraprak kemi pasur të mbjella 77710.8 hektarë grurë. Pra, edhe këtu ka rritje për 6164.2 hektarë me grurë.

Numër më të madh të aplikacioneve ka tërhequr nënsektori i grurit me 10,062 aplikacione dhe i misrit me 6,158 aplikacione, duke u pasuar me nënmasën e pagesave direkte për sektorin e blegtorisë me 7,073 aplikacione, ku 5,554 janë për pagesat direkte për krerë të lopëve qumështore dhe 1,519 për krerë të kafshëve të imëta.

Poashtu, për të përfituar subvencione për zgjoje bletësh kanë aplikuar gjithsej 1125 bletarë, për sipërfaqet e mbjella me lulediell kanë aplikuar 825 fermerë, për sipërfaqet e mbjella me farë të grurit kanë aplikuar gjithsej 978 fermerë dhe për të përfituar grante investive për projekte të zhvillimit rural kanë aplikuar gjithsej 1415 fermerë.

Vlen të theksohet se në vitin 2010 numri i fermerëve që kanë aplikuar për të përfituar grante investive në shkallë prej 50% për projektet e tyre ka qenë 931, ndërsa në vitin 2011 kanë aplikuar gjithsej 1178 fermerë.

Vlera e investimeve vetanake të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2012 është gjithsej 17.6 milionë euro, ku me 7.6 milionë do të përkrahen fermerët përmes pagesave direkte, me 5 milionë përmes granteve investive dhe me 5 milionë të tjera përmes investimeve në projektet kapitale.

Komisionet e Ministrisë së Bujqësisë tashmë janë duke e realizuar procesin e kontrolleve të aplikacioneve në terren dhe ekzekutimi i pagesave për fermerë planifikohet të fillojë nga mesi i muajit qershor.

Ky proces parashihet të përfundojë në tërësi deri në muajin gusht dhe në muajin shtator do të hapet edhe periudha e dytë e aplikimit për të përfituar grante investive të Bankës Botërore dhe Danida-s, të cilat janë pjesë e programit institucional dhe menaxhohen nga Ministria e Bujqësisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)