28 Mars 2024

Biznesmeni Ramiz Kelmendi synon PTK-në

Prishtinë, 16 korrik - Pronari i kompanisë së njohur “Elkos Group” dhe i rrjetit të supermarketeve “ETC”, biznesmeni më i suksesshëm kosovar, njëherësh edhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, do të jetë një nga pretendentët për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës (PTK).

Në këtë garë Kelmendi do të hyjë bashkë me dy partnerë të tjerë, një kompani amerikane dhe një austriake. Në këtë intervistë për “Epokën e re” Kelmendi ka thënë se po i hyn kësaj gare me të vetmin qëllim: që shteti i Kosovës të përfitojë. Për “Epokën e re” Kelmendi ka treguar se si i ka lindur ideja për të qenë konkurrent për blerjen e PTK-së, për mënyrën se si do ta menaxhojë dhe për përfitimet që do t’i ketë shteti i Kosovës nëse kompania e tij arrin të blejë 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

“Epoka e re”: Z. Kelmendi, nga ju erdhi ideja t’i hyni garës për privatizimin e 75 për qind të aksioneve PTK-së?

Kelmendi: Ideja për të marrë pjesë në privatizimin e 75 për qind të PTK-së më ka lindur ekskluzivisht nga ajo që ne kosovarët apo pjesa intelektuale dhe ajo e bizneseve të Kosovës munden dhe kanë prirje për të menaxhuar, organizuar dhe për të operuar me këto kompani të fuqishme që tashmë janë publike dhe të njohura në Kosovë, në këtë rast edhe PTK-ja. Pra, duke e privatizuar, vepruar dhe duke e bërë sa më të mirë këtë kompani.

“Epoka e re”: Me cilat kompani ndërkombëtare do të merrni pjesë në privatizimin e PTK-së?

Kelmendi: Ne i kemi dy kompani ndërkombëtare. Njëra është kompani amerikane, tjetra austriake. Kompania amerikane është financuese e të dyja palëve. Për çështjet e tjera do të informoheni shumë shpejt. Mund të ndodhë të mërkurën ose të enjten ta definojmë pjesëmarrjen e përqindjes se sa do ta ketë grupi “ELKOS” në privatizimin e PTK-së.

“Epoka e re”: Sa do të jetë përqindja?

Kelmendi: Do të sillet rreth 25 për qind, por kjo do të shihet në takimin e fundit të cilin do ta kemi me këto kompani. Prandaj, do të shohim se sa ajo kompani ka krijuar opinion pozitiv për ta mbështetur edhe financiarisht grupin tonë.

“Epoka e re”: Nuk po frikësoheni se po i hyni një rruge të re?

Kelmendi: Për ta operuar Telekomunikacionin e Kosovës është shumë më lehtë. Pra, është një punë pak më voluminoze, por nuk është punë e cila nuk është e njohur për ekonominë e Kosovës dhe ekspertët. Unë jam inxhinier i diplomuar i Elektronikës dhe Telekomunikacionit. E njoh mirë këtë veprimtari. Kam kryer kurse në këtë drejtim. Gjithashtu, kam kryer edhe praktikë në atë kohë si student. Këtë lëmë e njoh profesionalisht. Nuk është vështirë të menaxhohet një kompani si PTK-ja. Në këtë kompani ka punëtorë të profesionalizuar. PTK-ja ka strukturë për të bashkëpunuar në menaxhimin e kësaj kompanie.

“Epoka e re”: Mendoni se keni bagazh të mjaftueshëm për menaxhimin e PTK-së?

Kelmendi: Sigurisht se kemi bagazh. Besoj se do t’i ndërrohet imazhi vetëm për të mirë dhe privatizimi ka konstatuar këtë gjë, se çdo kompani publike kur privatizohet merr kahen e formën e duhur të kualitetit të menaxhimit.

“Epoka e re”: Sa është rëndësishme që një kompani vendore si grupi “ELKOS” t’i hyjë kësaj gare?

Kelmendi: Në këtë rast ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm. Kosovës pas privatizimit të këtyre aseteve publike, në çfarëdo forme e me çfarëdo përqindje parashihet që në vitin 2013 do t’i mungojnë minimumi 100 milionë euro të hyra buxhetore që i ka krijuar nga profiti i këtyre kompanive që janë derdhur plotësisht në buxhetin e Kosovës. Dhe sipas ligjeve në fuqi, profiti i krijuar nga këto kompani, pra vetëm 10 për qind të profitit neto tatimohet dhe 90 përqindëshin e profitit ka mundësi që investitorët ta nxjerrin jashtë shtetit të Kosovës dhe të investojnë në shtetin e tyre apo në shtetet e tjera. Në këtë rast, për PTK-në parashihet që rreth 30 milionë euro në vit buxheti i Kosovës të varfërohet, nëse privatizojmë plotësisht kompani ndërkombëtare, pa marrë parasysh se prej cilit shtet vijnë. Nëse ka edhe kompani vendore atëherë do të ketë mundësi që së paku 25 për qind të atij 30 milionëshit t’i mbetet Kosovës.

“Epoka e re”: Qëllimi juaj është që Kosova të fitojë?

Kelmendi: Ne duhet të tregojmë se nuk është Kosova me afaristë të pafuqishëm. Ju e dini mirë se Kosova ka filluar nga një administrim politik ndërkombëtar, duke qenë tërësisht ndërkombëtare me pjesëmarrje kosovare. Tani një spektër politik i fuqishëm ka arritur që atë ta kthejë, pra ta heqë mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës. Praktikisht nga fundi i këtij viti Kosova do të jetë e pambikëqyrur nga ndërkombëtarët. Me këtë krijojmë edhe një besim se kompanitë dhe bizneset kosovare mund t’i menaxhojnë edhe këto kompani publike të cilat me të vërtetë janë të fuqishme.

“Epoka e re”: Keni kontaktuar me sindikatat të cilat e kundërshtojnë privatizimin e PTK-së?

Kelmendi: Duhet të merren parasysh sindikatat e kompanive publike, në këtë rast edhe të PTK-së. Zakonisht ata janë mësuar me një regjim të jetës, me një standard të përgjegjësisë, me një standard autoritativ dhe vetjak. Prandaj, është vështirë të ndryshohet mendja menjëherë. Mirëpo ne do të provojmë, pasi t’i firmosim dokumentet me kompanitë ndërkombëtare, që të organizojmë një takim me sindikatën. Do të bëjmë përpjekje se si t’ua shpjegojmë vetit tona pozitive që do t’i sjellë grupi ynë dhe të tjerët në funksion të atyre punëtorëve që tashmë janë në PTK. Pra, qëllimi ynë është t’i bindim se ardhja jonë nuk do të ndryshojë asgjë. Ne do ta respektojmë ligjin ashtu siç është paraparë për tre vjet për punëtorët. Në të njëjtën kohë do të shohim se si mund t’i zgjasim edhe disa vite të tjera, shembull për disa punëtorë që janë afër të pensionohen.

“Epoka e re”: Pra, keni plan për punëtorët e PTK-së?

Kelmendi: PTK-ja edhe sot ka krijuar profit me këta punëtorë që ka. Kjo do të thotë se vetë posta është një gjenerator i menjëhershëm i parasë. Nuk do të thotë se duhet të investosh shumë dhe të pritesh të vjelësh para. PTK-ja është në funksion të punës dhe çdo ditë pune ka një qarkullim të caktuar. Nuk ka aspak krizë dhe as brengë se nuk mund të vazhdojmë tutje. Duhet të ecet edhe më fuqishëm në mënyrë që të zvogëlohen disa shpenzime të panevojshme. Vetë mbikëqyrja e privatit del se kompania duhet të jetë më e ekonomizuar. Sot PTK-ja ka një imazh të mirë. Të punësuarit aty të ardhurat personale i kanë shumë më të larta sesa ekonomitë e tjera të Kosovës. Ne pretendojmë të vazhdojmë, të ecim edhe me një imazh më të mirë. Parashohim të ndodhin investime të cilat deri më tani kanë qenë të penguara. Nuk është investuar shumë në objekte dhe pajisje për arsye se buxhetit të Kosovës i janë dashur shumë para.

“Epoka e re”: Z. Kelmendi, jeni pjesë e politikës si deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës. Mendoni se do ta keni të vështirë këtë garë?
Kelmendi: Po mendoj se politika kosovare është pjekur. Asnjë afarist, pa marrë parasysh se çfarë fuqie financiare ka, nuk mund të ketë ndikim politik të fuqishëm te qytetarët pa ndryshuar imazhin e një lideri të caktuar politik. Neve na duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrë që mos të përdoren punëtorët dhe të bëhet presion tek ta. Unë flas me sinqeritetin më të madh, as tani si pronar i kësaj kompanie që jam, asnjëherë s’kam kërkuar të më japin votën dhe të ndikohen politikisht në bazë të pronarit të tyre. Meqë në rastin e PTK-së unë nuk jam pronar i qind për qind, mund të jem 25 për qind dhe 25 për qind shteti, kurse 50 për qind të tjerët. Pra, nëse shikoni, ndikimi im është më i vogël në kuptimin e asaj që të bëjë ndikim të përgjithshëm politik në Kosovë.

“Epoka e re”: Do të marrin pjesë edhe kompani të fuqishme ndërkombëtare? I frikësoheni konkurrencës?

Kelmendi: Sikur të isha i vetëm do të ishte ndryshe. Kosova është e vogël në raport me shtetet të cilat do të marrin pjesë, siç janë në këtë rast Turqia, Franca dhe Gjermania. Vetë fakti që ato marrin pjesë, ne e kemi njëfarë doze të mbisigurisë së tyre, që ata do të jenë më të fuqishëm. Meqenëse këtu kemi një fond dhe një partner tjetër, i cili është i fuqishëm në Evropë, tregon se kemi të bëjmë me një duel të dy fuqive më të mëdha. Dhe unë do të jem vetëm pjesë e zbatimit të këtyre fuqive.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)