29 Mars 2024

ZRRE aprovon Udhëzuesin për Liberalizimin e Tregut të Energjisë

Prishtinë, 20 janar - Bordi i ZRRE aprovon Udhëzuesin për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë, vlerëson konkurrencën e tregut, vendos Parimet e Përcaktimit të Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit dhe Taksat e Kyçjes për OST dhe OSSH dhe ju rekomandon të gjithë operatorëve që, edhe përkundër përmirësimeve të deritanishme, të rrisin përpjekjet për përmirësim të shërbimeve dhe saktësi në raportimet rregullative.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e tij të parë për vitin 2017, të mbajtur më 18 dhe 19 janar, ka aprovuar Udhëzuesin për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë.

Përmes një njoftimi për media theksohet se ky Udhëzues vjen si rezultat i ndryshimeve ligjore dhe si nevojë e përshtatjes së legjislacionit sekondar me ligjet e reja të energjisë, të aprovuara nga Kuvendi i Kosovës në korrik të vitit 2016, të cilat janë në përputhje me pakon e tretë të direktivave të Bashkimit Evropian dhe përcaktojnë funksionimin e një tregu të lirë në sektorin e energjisë.

\"Udhëzuesi, përveç që shërben si udhërrëfyes për veprimet që do të ndërmerren nga të gjithë akterët drejt funksionalizimit të tregut të lirë të energjisë elektrike, po ashtu definon mënyrën, kushtet dhe kohën e hapjes së tregut të energjisë elektrike në Kosovë, në nivelin e Prodhimit dhe Furnizimit të energjisë elektrike.\"

\"Definimi i kushteve nga Udhëzuesi do të shërbej si mbështetje për amandamentimin dhe plotësimin e legjislacionit sekondar, të cilin aktualisht është duke e bërë ZRRE\", theksohet në njoftim.

Gjithashtu Bordi ka shqyrtuar Raportin për Vlerësimin e Konkurrencës në Tregun e Energjisë Elektrike në Kosovë. Raporti ka identifikuar se aktualisht janë tre [3] furnizues të licencuar për të furnizuar gjithë tregun me pakicë të energjisë elektrike, mirëpo deri më tani dy nga këta të licencuar nuk janë plotësisht aktiv dhe KESCO ende ka 100% të pjesëmarrjes në treg.

Si pasojë e mungesës së konkurrencës efektive, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe parandalimit të abuzimit me pozitën dominuese të furnizimit me energji elektrike, Bordi ka vendosur që ZRRE të përcaktojë Obligimet e Shërbimit Publik për furnizues të ofrimit të Shërbimit Universal me energji elektrike.

Bordi ka shqyrtuar rekomandimet e raporteve të monitorimit të operatorëve të licencuar. Rekomandimet, të cilat Bordi ka vendosur të ju përcjellë të licencuarve, përkundër potencimit të përmirësimeve, theksojnë nevojën e përkushtimit më të madh nga të licencuarit për përmirësim të shërbimeve dhe saktësi të prezantimit të të dhënave.

Bordi ka vendosur që të njoftojë të licencuarit se rekomandimet e raporteve janë obliguese dhe ka kërkuar që të ndërmarrin masa të menjëhershme për plotësimin e tyre, ndërsa për çështjet përkatëse, Bordi ka vendosur që të jenë pjesë e shqyrtimit periodik tarifor në mënyrë që të sigurohet se konsumatorët paguajnë vetëm për kostot reale të shërbimeve të ofruara nga operatorët e rregulluar.

Po ashtu në këtë mbledhje Bordi ka aprovuar Parimet e Përcaktimit të Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit dhe Taksat e Kyçjes për OST dhe OSSH. Këto dokumente përcaktojnë parimet mbi të cilat OST dhe OSSH duhet të hartojnë Metodologjitë e Përcaktimit të Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit dhe Taksat e Kyçjes për OST dhe OSSH.

Në këtë mbledhje po ashtu Bordi, pas shqyrtimit, ka aprovuar kërkesën/aplikacionin, e ndërmarrjes “2 Korriku” sh.p.k, për shndërrimin e Autorizimit Fillestar në Autorizim Final për ndërtim të HC “Soponica” KK Kaçanik, me kapacitet prej 1.3 MW. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)