29 Mars 2024

KKZHE fokusohet në zvogëlimin e informalitetit

Prishtinë, 13 shkurt - Duhet të bëhet përpjekje maksimale dhe të fokusohemi në mënyrat se si të rrisim formalitetin tek bizneset, regjistrimin e rregulltë të punëtorëve, krijimin e politikave që mundësojnë rritjen e produktivitetit të punëtorëve e që përkthehet në pagë më të lartë për ta dhe jo në rritjen e pagës minimale.

Ky ishte qëndrimi i të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE), i mbajtur sot, e që udhëhiqet nga zëvendëskryeministrja Kusari-Lila.

Në takimin e nëntë u diskutuan një sërë çështjesh me interes ekonomik si: procesi për marrëveshjen e tregtisë së lirë me Turqinë, reforma mbi sistemin gjyqësor dhe ndikimet e saj në proceset ekonomike, reforma në sistemin e apelimit të taksave, tregu i punës dhe paga minimale, si dhe çështje tjera të cilat ishin vazhdimësi e takimeve të kaluara.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, HashimThaçi, foli për progresin e shënuar të ekonomisë së Kosovës.

“Sipas raportit të Bankës Botërore mbi Të Bërit Biznes, Republika e Kosovës ka shënuar avancim në përmirësimin e ambientit afarist, duke zvogëluar ngarkesën administrative ndaj bizneseve”, theksoi kryeministri Thaçi.

Më tutje, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, i informoi anëtaret e Këshillit për procesin e negociatave për marrëveshjen e tregtisë së lirë me Turqinë.

Ajo tha se raundi i dytë i bisedimeve do të mbahet në Prishtinë, me datë 14 dhe 15 shkurt, ku do të shkëmbehen informatat rreth listës potenciale të produkteve bujqësore dhe industriale, pajtimit dhe definimit ligjor të rregullave të origjinës.

Shumë studime ekonomike potencojnë faktin se funksionimi i gjyqësorit në Kosovë është tejet i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës, posaçërisht në qasjen në financa dhe lehtësimin në kredi-dhënie.

Duke pasur parasysh faktin se nga janari i këtij viti Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë filluar implementimin e reformës së sistemit gjyqësor, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi prezantoi një raport të detajuar për reformat në sistemin gjyëqsor, si dhe ndikimin ekonomik që mund të ketë kjo reformë.

Ai tha se deri në fund të vitit çdo gjykatë do ta ketë Departamentin për Çështje Ekonomike, si dhe do të hapet një departament i veçantë për zgjedhjen e kontesteve nga investitorët e huaj.

Me kërkesë të Aleancës Kosovare të Biznesit, pikë e rendit të ditës ishte hulumtimi i nevojave të tregut të punës,  ku kryetari i kësaj Aleance, Agim Shahini prezantoi gjetjet aktuale të tregut të punës.

Sipas të dhënave zyrtare jo më shumë se 5-8% të punësuarve që e deklarojnë pagën në Administratën Tatimore të Kosovës paguhen në nivelin e pagës minimale (130 dhe 170 euro), pra rritja e pagës minimale do të kishte ndikim tek një pjesë shumë  vogël e të punësuarve.

Pas diskutimit dhe analizimit të fakteve, të gjithë anëtarët, unanimisht qenë të mendimit që të fokusohen në zvogëlimin e informalitetit dhe jo rritjen e pagës minimale.

Rritja eventuale e pagës minimale mund të ketë ndikim negativ në nivelin e punësimit, i cili do të ishte më evident tek shtresa e fuqisë punëtore që është e pakualifikuar.

Rritja e pagës minimale gjithashtu do të ndikojë në uljen e numrit të punëtorëve të regjistruar me orar të plotë, gjë që do të stimulojë regjistrimin e punëtorëve me orar të pjesshëm

Më tej, në këtë takim, zv.ministri i Financave, Ramadan Adviu, prezantoi reformat e Sistemit të Apelimit të Taksave në Kosovë, ndërsa më pas zv.ministri i Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani, raportoi rreth krijimit të Grupit Punues për Industri të Rënda, përbërjes së tij, si dhe rreth planeve për takimet e ardhshme.

Ky ishte takimi i parë për këtë vit i Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, i cili është organi kryesor këshillues dhe vendimmarrës për politikat ekonomike dhe reformat dhe mbahet çdo muaj.

Ky këshill përbëhet nga Zyra e Kryeministrit, 11 ministri, Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, tri asociacione të biznesit, si dhe nga donatorë të jashtëm të cilët po e ndihmojnë Kosovën.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)