26 Shtator 2017

Ushtrimet fizike ngadalësojnë plakjen

Londër, 13 maj - Ushtrimet fizike me intensitet të lartë mund të reduktojnë efektet e moshës në nivelin qelizor të njeriut dhe ta pakësojnë plakken me 9 vjet, thuhet në një studim.

\"Fakti që je 40 vjeç nuk do të thotë se je 40 vjet biologjikisht\", thotë profesori i Universitetit Brigham Young, Larry Tucker.

\"Të gjithë e dimë, se njerëzit mund të duken më të rinj se sa mosha e tyre e vërtetë. Sa më aktivë të jemi fizikisht, aq më pak na plaket trupi biologjikisht\", thotë profesori.

Studimi, i botuar në gazetën \"Preventive Medicine” – Mjekësia Parandaluese, zbuloi se njerëzit me aktivitet të lartë fizik, kanë qeliza më të reja, bazuar tek matja e gjatësisë së telomereve të tyre.

Telomeret janë pjesa fundore proteinike e kromozomeve njerëzore, të cilat shkurtohen me kalimin e moshës, ngaqë sa herë që një qelizë riprodhohet, ajo shkurtohet. Ushtrimet fizike duket se e mënjanojnë këtë proces.

Tucker thotë se të rriturit që kryejnë shumë ushtrime fizike i kanë telomeret 9 vjet më të reja se sa njerëzit që nuk kryejnë ushtrime dhe 7 vjet më të reja se të personave që kryejnë ushtrime fizike në mënyrë të moderuar.

Për t’u konsideruar si individë shumë aktivë, gratë duhet të vrapojnë të paktën nga 30 minuta 5 herë në javë dhe burrat të vrapojnë nga 40 minuta 5 herë në javë.

\"Nëse do të shohësh ndryshim në ngadalësimin e plakjes biologjike, pak ushtrime nuk janë të mjaftueshme. Nevojitet stërvitje e rregullt fizike dhe me intensitet të lartë.\"- thotë prof. Tucker.

Ai arriti në këtë përfundim pasi studjoi të dhënat e 5,823 të rriturve, të cilët u përfshinë në studimin e Qendrave Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, të Shëndetin Kombëtar dhe Studimit të Ushqyerjes, të cilat matën gjatësinë e telomereve të personave të përfshirë në studim. Shkencëtarët morën në konsideratë në këtë studim edhe nivelet e aktivitetit fizik të pjesëmarrësve.

Telomeret më të shkurtëra u vunë re tek njerëzit që kishin një jetë sedentare; diferenca mes telomereve të tyre dhe të atyre që kryejnë ushtrime fizike me intensitet të ulët nuk ishte shumë e ndryshme.

Prof. Tucker tha se ende nuk dihen arsyet përse aktiviteti fizik parandalon shkurtimin e telomereve.

\"Ne e dimë se aktiviteti fizik i vazhdueshëm ndihmon në pakësimin e vdekjeve dhe në zgjatjen e jetës dhe tani e dimë që pjesërisht ky avantazh mund të realizohet në saje të ruajtjes së gjatësisë së telomereve\", - tha ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Shtator 2017

- Shoqata e pemëve “Pema” nga Kovraga me përkrahjen e programit AGRO të USAID-it organizon tryezën e rrumbullakët me temë “Prodhimtaria e mollës në Kosovë - gjendja aktuale, perspektiva dhe sfidat”. (Fshati Kovragë i Istogut, vendi ku është organizuar zakonisht “Dita e Mollës”, ora 10:30)

- Ministria e Drejtësisë organizon konferencë për media, në të cilën do të marrin pjesë, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi. (Ndërtesa e Ministrisë e Drejtësisë, ora 11:30)

- Ambasadori I ShBA-ve Greg Delawie do të flas në ceremonin e lansimit të Trekandit, kompania e parë e financuar dhe mbështetur  nga Gjirafa Lab. (Sheshi 21, ora 17:15)

- Muzeu i Kosovës, në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane me moton Ditët e Hapura hap ekspozitën me fotografi nga autori nga Turqia, Erhan Bayladi. (Muzeu i Kosovës, ora 19:00)

- Shfaqjet performanca teatrale “Copë Copë”. (Teatri i Qytetit “Adriana Abdullahu” në komunën e Ferizajit, ora 20:00)

 

Ngjarjet e fushatës zgjedhore


- Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, takohet me përfaqësueset e shoqatave te grave, i pranishëm do të jetë kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, mban konferencën për medie për të diskutuar problemet dhe brengat e qytetarëve të Prishtinës. (Sheshi Skënderbeu, pranë ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Dega e NISMA për Kosovën në Klinë do të bëj hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. (Shtëpia e kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, ora 13:00)
 
- Dega e NISMA për Kosovën në Istog do të bëj hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. (Restaurant Freskia në Istog, ora 15:00)

- Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë tubimin zgjedhor në qytetin e Vitisë, marrin pjesë kryetari Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti, deputetja Shqipe Pantina dhe kandidati për kryetar të Vitisë, Salih Salihu. (Restaurant Lindi në Viti, ora 17:00)

- Dega e NISMA për Kosovën në Pejë do të bëj hapjen e fushatës zgjedhore. (Restaurant Universi në Pejë, ora 17:30)

- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban tubim zgjedhor në Pejë, merr pjesë edhe Kryeministri dhe Kryetar i AAK-së Ramush Haradinaj. (Hotel Dukagjini, ora 18:00)

- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban takim me fermerë të Pejës, merr pjesë Kryeministri dhe Kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj. (Restoran Koha 3, ora 19:00)

- Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës të Prizrenit Dr. Hatim Baxhaku shpalos programin qeverisës dhe prezanton kandidatët për Asamble Komunale. (Kompleksi Lidhja e Prizrenit, ora 19:30)