28 Mars 2024

Mustafa: Bibliotekat themeli i një shteti të shëndetshëm

Prishtinë, 11 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Isa Mustafa, mori pjesë në hapjen e “Javës së Bibliotekës”, e cila u mbajt në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Të pranishëm në hapjen e edicionit të 15-të, të hapjes së javës së Bibliotekës ishin ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Greg Delawie, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim shala, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, si dhe profesorë e mysafirë tjerë të këtij edicioni, që sivjet ka temën “E drejta e autorit dhe biblioteka”.

Kryeministri Isa Mustafa tha se bibliotekat janë themeli i një shteti të shëndetshëm dhe u japin njerëzve mundësinë të përjetojnë idetë e reja, të bëjnë kërkime shkencore, të mbledhin e të shpërndajnë përshtypje të mrekullueshme nga përfitimet që kanë gjatë përdorimit.

“Biblioteka reflekton diversitetin dhe karakterin, nevojat dhe pritjet e njerëzve tanë, hulumtuesve, profesorëve, studentëve, nxënësve. Këto janë pritjet që ne i kemi dhe i realizojmë nëpër biblioteka”, tha kryeministri Mustafa, duke theksuar se biblioteka është burim më i plotë i kërkimit të informacionit, i domosdoshëm dhe i nevojshëm për njerëzimin, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe për familjarë e zyrtarë.

Më tej, kryeministri theksoi se në botën e biznesit njerëzit i përdorin burimet e bibliotekës për të marrë vendime të mençura në fushën e tyre, për të përmirësuar aftësitë për punë, profesorët për të arritur rezultate më të larta shkencore, ndërsa studentët e nxënësit për ta forcuar dijen akademike e shkollore.

Kryeministri Mustafa, po ashtu theksoi se Biblioteka Kombëtare e Kosovës, por edhe bibliotekat publike dikur dhe sot, kanë qenë dhe kanë punuar për të mbledhur, ruajtur e përpunuar trashëgiminë shkencore e kulturore, veçmas në kohë të vështira.

“Qeveria e Kosovës drejtpërdrejt apo nëpërmjet dikastereve të saj do të vazhdoj të përkrahë zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në veçanti dhe të bibliotekave publike në përgjithësi, ashtu siç edhe dy ministritë tona, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po bëjnë sot në përkrahjen e kësaj biblioteke, veçmas në procesin e digjitalizimit të saj”, tha kryeministri Mustafa.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin për ndërtimin e bibliotekave, për fuqizimin e arkivave, muzeve dhe institucioneve tjera, për të përfaqësuar të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë, të gjitha pasuritë kulturore dhe dijet e tyre.

Kryeministri Mustafa, po ashtu kërkoi nga bibliotekat e rajonit dhe më gjerë mbështetje për integrimin e Bibliotekës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Kosova e ka një orientim të qartë evropian dhe ne duam që këtë orientim të qartë ta realizojë edhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe bibliotekat tjera në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa.

Në hapjen e edicionit të 15-të të “Javës së Bibliotekës”, kryeministri Mustafa falënderoi ambasadorin dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila gjatë gjithë edicioneve ka përkrahur jo vetëm këtë veprimtari të rëndësishme, por në përgjithësi zhvillimin e dijes dhe të bibliotekave në Kosovë, si dhe ekspertët e fushave bibliotekare dhe të informacionit që kanë ardhur nga Amerika, nga vendet evropiane, Shqipëria, për ofrimin e ndihmës dhe dijes së tyre për ngritjen e Bibliotekës dhe të shërbimeve në bibliotekat e Kosovës.

Kryeministri Mustafa po ashtu përgëzoi drejtuesit e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për ndërtimin e platformës së komunikimit, si kjo e Javës së Bibliotekës së Kosovës, përmes të cilës pjesëmarrësit mund të ndajnë përvojat mes vete, ngjashmëritë dhe dallimet për një kuptim më të mirë kulturor e bibliotekar.

Kryeministri Mustafa, në emër të Bibliotekës Kombëtare, i ndau Ambasadës Amerikane çmimin “Pjetër Bogdani”, çmim i pranuar nga ambasadori Delawie.

Në arsyetimin e lexuar nga Muhamet Hamiti, kryetari i Këshillit Drejtues të kësaj biblioteke, vlerësohet kontributi i kësaj ambasade në zhvillimin e Bibliotekës por edhe të sistemit bibliotekar të Kosovës.

Ambasadori Delawie tha se do të vazhdoj të mbështes të gjitha bibliotekat në Kosovë edhe në të ardhmen, duke theksuar arsyen pse e bëjnë këtë mbështetje.

“Ne besojmë se bibliotekat janë element qendror i demokracisë, dhe ata që punojnë si bibliotekar dhe që ndihmojnë qasjen në materiale bibliotekare, bëjnë punë të jashtëzakonshme në mbështetjen e demokracisë së vendit” tha ambasadori Delawie.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, bëri të ditur se Java e Bibliotekës do të përfshijë shumë aktivitete, qëllimi i të cilave nuk është vetëm mbledhja e komunitetit bibliotekar, por edhe një rrjeti më të gjerë njerëzish, akademik, mësimdhënës e lexues.

“Java e Bibliotekës, veprimtaria e saj ka një lidhje me idenë e ndërgjegjësimit publik për bibliotekat, si t’i motivojmë njerëzit për të lexuar, si t’i mbështesim që ata t’i përdorin bibliotekat, si t’i  bëjmë bibliotekat një mjedis banimi ku jo vetëm lexohet, studiohet e hulumtohet, por edhe krijohet” tha drejtori Gajraku.

Përveç çmimit “Pjetër Bogdani”, Biblioteka ka ndarë edhe mirënjohje për kontribuuesit në zhvillimin e Bibliotekës. Mirënjohje i është ndarë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si donatore për projektin e digjitalizimit.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tha se Java e Bibliotekës është një ngjarje shumë e rëndësishme dhe se ndihet i nderuar me këtë mirënjohje.

“Digjitalizimi është një proces global dhe ai ka përfshirë edhe bibliotekën e cila posedon një aset të konsiderueshëm të titujve të ndryshëm dhe padyshim qasja digjitale në regjistrin dhe indeksin e burimeve të Bibliotekës do të ndihmojë në qasjen sa më të lehtë dhe Ministria e Arsimit ka pas nderin që të ndihmoj dhe do të vazhdoj përsëri me të gjitha mundësitë e veta që të ndihmoj modernizimin e bibliotekës, këtij institucioni shumë të rëndësishëm për zhvillimin akademik, për hulumtimin dhe kërkimin shkencor. Edhe njëherë në emër të Ministrisë së Arsimit shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm”, tha ministri Bajrami.

Është hapur edhe ekspozita e Musine Kokollarit, ndërsa për pasurimin e fondit të librave të bibliotekave në Kosovë, duke dhuruar libra dhe bibliotekat personale, janë ndarë mirënjohje të veçanta.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)